Uniformat blu kishin shkuar në Luz të Vogël të Kavajës në zbatim të një plani masash për kapjen e personave në kërkim, por janë përballur me dy hajdutë bagëtish, të cilët kanë qëlluar me armë ndaj tyre. Vetëm njëri u arrestua
Bruno Marku
Hajdutë bagëtish nga Lezha terrorizojnë zonën e fshatrave të Kavajës.Pasi janë ndaluar nga policia duke qenë të armatosur, ata kanë qëlluar mbi efektivat e policisë. Në mjetin e përdorur nga hajdutët, janë sekuestruar më pas kafshët shtëpiake të vjedhura, si dhe municione të armëve të zjarrit që ata kanë përdorur kundër policisë.
Së bashku me to kanë gjetur edhe sasi droge të llojit kanabis sativa. Nga informacioni i marrë, mësohet se kanë qenë efektivët e Policisë së Kavajës ata që janë përballur me të shtëna arme zjarri gjatë një aksioni në fshatin Luz i Vogël, në zbatim të një plani masash për kapjen e personave në kërkim dhe me armë pa leje.
Personat që kanë qëlluar mbi policët janë identifikuar. Njëri prej tyre quhej Nikoll Gjonçaj, 20 vjeç, i cili është shpallur në kërkim, pasi është personi që ka qëlluar me armë drejt efektivëve të rendit, që i bënin thirrje të dorëzohej. Policët e Kavajës kanë ndaluar një furgon tip “Benz”, me targë AA 298 FZ dhe dy personat që ndodheshin në makinë kanë tentuar të ikin.
Sipas burimeve të policisë,njëri prej tyre, R.Koca, 17 vjeç, banues në fshatin Kalivaç të Lezhës, është arrestuar në flagrancë, ndërsa tjetri, Nikoll Gjonçaj, po nga ky fshat, në tentativë për të ikur, ka qëlluar me armë zjarri disa herë në drejtim të forcave të policisë dhe ka mundur të largohet.
Nga të shtënat nuk ka pasur asnjë person të plagosur, ndërsa gjatë kontrollit të furgonit të bllokuar janë gjetur 4 bagëti të imta që ishin vjedhur nga 2 autorët, një dash dhe tre qengja, në pronësi të shtetasit Ramazan Haka.
Gjithashtu, në automjet është gjetur edhe një sasi bime narkotike “kanabis sativa”, e paketuar në një qese, me peshë 7.5 gramë, 14 fishekë luftarakë model 56, kalibri 7.62 mm, si dhe gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë gjetur edhe 3 gëzhoja model 56 të kalibrit 7.62 mm që i përkisnin pistoletës së përdorur gjatë gjuajtjes mbi organet e rendit.