Ronaldo Luis Nazario de Lima, braziliani i ashtuquajtur “Fenomeno”, kishte një takim me fatin në Kupën e Botës 2002, e shkruar 15 vite më parë, dhe ja vlen të ritregohet pasi mbetet një nga përrallat më të bukura të futbollit.
Është historia e një lojtari që na mahniti që nga momenti i parë që u shfaq në Evropë, duke u shfaqur te PSV në moshën 17-vjeçare pas këshillës së Romario-s, si një djalosh me superfuqi.
Mënyra se si kombinonte atleticizmin me një prekje poetike të topit ishte e paparë ndonjëherë. Në vitet 90’, në kulmin e tij fizik, bota nuk kishte parë diçka të tillë.
Ronaldo u përzgjodh në skuadrën braziliane të vitit 1994 në moshën 17-vjeçare.
Atëherë ai kishte shënuar 44 gola në 47 ndeshje me Cruzeiron por gjatë atij turneu ai bëri rolin e nxënësit të veteranëve të ekipit që eventualisht ngriti Kupën e Botës. Katër vite më pas ai ishte formuar plotësisht.
Ai ishte një mrekulli. Ishte normale të mendoje se ai do ta fitonte Kupën e Botës në moshën 21-vjeçare.
Por trajektorja e tij ndryshoi drejtim gjatë asaj finaleje dhe emri i tij u bë sinonimi i një nga kapitujve më misteriozë të historisë së futbollit.
E gjithë bota e futbollit u shokua nga lajmi se atij i kishin rënë të fiktë në dhomën e hotelit një ditë përpara finales së madhe.
Nëse ishte shkaktuar nga stresi, ndonjë sëmundje apo diçka tjetër, asnjëherë nuk u mor vesh.
Megjithëse u deklarua se nuk do të luante në finale, çuditërisht ai u quajt i gatshëm pak orë përpara ndeshjes.
Shokët e ekipit, pjesërisht të shokuar dhe traumatizuar nga situata, nuk luajtën si në ndeshjet e tjera të turneut duke pësuar humbjen më të madhe të asaj kohe të Brazilit në një Kupë Bote.
Sikur të mos mjaftonin katër vite pyetje, teori konspirative dhe dyshime, Ronaldo theu ligamentin e gjurit të djathtë përpara Kupës së Botës 2002. Ai humbi të gjitha ndeshjet kualifikuese teksa rehabilitohej.
Aftësia e Ronaldo-s për t’u rikthyer ai i madhi, mbetej një çështje delikate.
Pak më i rëndë se më parë, me një qethje të veçantë dhe me vëmendjen të gjithën tek vetja, ai vazhdoi aty ku e kishte lënë…të shënonte gola.
Të gjithë sytë ishin drejtuar tek Ronaldo në finalen ndaj Gjermanisë. “Të gjithë vazhdojnë të më rikujtojnë Kupën e Botës 1998, dhe s’e di përse. Unë e kam harruar dhe nuk e kam problem.
Dua të luaj një ndeshje të mirë, dhe të sjell titullin në Brazil,” shprehet Ronaldo në prag të ndeshjes.
Finalja do t’i përkiste vetëm një njeriu. Ronaldo u gjend tre herë vetëm për vetëm me portierin Kahn por nuk gjeti rrugën e rrjetës.
Por golat erdhën në pjesën e dytë. Me dy golat në finale ai fitoi Këpucën e Artë me tetë gola gjithsej. Dhe në fund kishte vetëm lot.
“Është e vështirë të përshkruaj emocionet që ndje. E kam thënë edhe më përpara se për mua është një fitore e madhe të luaj sërish futboll, të vrapoj e të shënoj gola.
Kjo është një fitore e skuadrës,” ishin fjalët e Ronaldo-s. Gjërat e mira nuk shkojnë gjithmonë tek ata që presin, por për Ronaldo brazilianin, origjinalin dhe për disa më i madhi, ja vlejti të priste për triumfin e tij.
