Hakmarrje për bixhozin, e plagos me armë në pritë

redaktor

Konflikti i vjetër për një lojë bixhozi dhe borxhin e mbartur është bërë shkak që përplasja të degjenerojë nga përleshjet me grushte mes dy fiseve të përfshira, deri në një pritë me motive hakmarrjeje, plagosje me armë zjarri dhe dyshimin për grabitjen e 130 mijë lekëve.

Krimi ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Balëz të Elbasanit. Në spital përfundoi me plagë plumbi në trup Naim Gjoni, që u gjet i përgjakur në makinën e tij.

Mjekët thanë se pas operacionit, 53-vjeçari e ka kaluar rrezikun për jetën. Kurse policia identifikoi si të dyshuar pas rrëfimeve të mbledhura, 25-vjeçarin Kledjan Plaku, banues po në këtë fshat, të cilin e shpalli në kërkim për akuzat “vrasje e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Gjoni ka marrë 5 plumba, po për fat të mirë nuk i kanë prekur organet jetësore.

 Ngjarja

Naim Gjoni ka qenë mëngjesin e djeshëm duke lëvizur me makinën e tij në fshatin Balëz ku edhe jeton. Por duket se agresori e ka ndjekur veprimin e 53-vjeçarit, duke i ngritur një pritë, i fshehur pas një grope. Në momentin që mjeti është afruar, i dyshuari Kledjan Plaku ka dalë duke qëlluar me një breshëri automatiku drejt makinës dhe ka lënë të plagosur Gjonin.

Banorët dëgjuan të shtënat dhe i shkuan në ndihmë të dëmtuarit, duke e nisur për në spitalin e Elbasanit. Mësohet se vetë 53-vjeçari ka njohur agresorin, duke ia deklaruar emrin edhe policisë. Uniformat blu ushtruan kontrolle banesash, por nuk e gjetën 25-vjeçarin.

Policia bëri me dije se prej muajsh ka pasur një konflikt mes familjes Plaku dhe asaj Gjoni dhe zanafilla ka qenë një lojë bixhozi dhe një borxh që ka ardhur si pasojë e lojës.

Gjithashtu, pas plagosjes së djeshme, nga familjarët e Gjonit janë ngritur dyshime se autori edhe e ka grabitur, duke i marrë 130 mijë lekë që kishte me vete në makinë. Por policia tha se do verifikojë këtë denoncim, nëse është i vërtetë apo i rremë.

Konfliktet

Konflikti e ka zanafillën 5 muaj më parë, për një lojë bixhozi në fshat dhe ka vijuar gjatë gjithë kësaj periudhe.

Policia ka qenë në dijeni të disa përplasjeve mes dy personazheve, por edhe familjeve të tyre.Që nga ajo kohë, dy grupet ishin përballur disa herë ndërmjet tyre. Në një rast, anëtarët e familjes Plaku u akuzuan se kishin qëlluar me armë ndaj asaj Gjoni, por fatmirësisht pa shënuar të lënduar.

Për incidentin ka pasur edhe denoncime në policinë e Elbasanit, ku janë kryer veprimet hetimore dhe proceduriale, me shoqërim të të dyshuarve. Po disa muaj më parë, bëhet e ditur se i plagosuri Gjoni kishte rrahur në një konflikt të dytë babanë e Kledjan Plakut, duke i shkaktuar plagë të rënda.

Policia dyshon se plagosja e babait të 25-vjeçarit është bërë shkak edhe për hakmarrjen e djeshme.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *