Hakmerret ndaj ish të dashurit, duke i hedhur eksploziv në banesë. Për fat të mirë lënda plasëse ka shkaktuar vetëm dëme materiale dhe jo të lënduar në njerëz. Kurse policia vendore njoftoi dje se ka zbardhur krimin e ndodhur dhe çoi në pranga dy të dyshuarit, vajzën dhe ndihmësin e saj. Burime zyrtare thanë se ngjarja ka ndodhur rreth një javë më parë në Metoq, kurse të arrestuarit janë Gëzime L., 22 vjeçe, dhe Denis Shemi, 26 vjeç, të dy banues në Sarandë.
Të arrestuarit e kanë mohuar akuzën e ngritur nga policia për “shkatërrim të pronës me lëndë plasëse” dhe “mbajtje pa leje e lëndëve eksplozive”. Ata pretendojnë se nuk kanë lidhje me krimin e ndodhur dhe se i dëmtuari mund të ketë pasur të tjera konflikte. Por burime nga policia thanë se Gëzime L., ka qenë e lidhur me një 28-vjeçar banues në Metoq të Sarandës dhe më pas janë ndarë pas pak muajsh. Vajza e ka përjetuar keq ndarjen dhe e ka kërcënuar ish të dashurin se do hakmerrej. Nuk ka vonuar shumë dhe para një jave, pikërisht mbrëmjen e 7 qershorit, një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar në Metoq të qytetit bregdetar.
Mjeti “Benz” ka qenë i parkuar afër shtëpisë dhe sipas ekspertëve dëmet ishin në materiale dhe makina pësoi dëmtime të pjesshme. Nga shpërthimi nuk ka pasur lëndime në njerëz, pasi 28-vjeçari dhe familjarët ndodheshin në banesë. Grupi hetimor konstatoi se makinës i ishte vendosur një sasi rreth 100 gramë tritol me fitil zjarrpërcjellës.
Dyshohet se 22-vjeçarja ka rënë në kontakt me të akuzuarin Denis Shemi dhe i ka kërkuar ndihmë për hakmarrje ndaj ish të dashurit të saj. Ky i fundit mendohet se e ka ndihmuar duke i gjetur lëndën plasëse dhe më pas vendosur në makinë. Vajza i ka treguar vendndodhjen dhe mjetin 26-vjeçarit dhe ky i fundit ka vepruar në bashkëpunim. Po hetohet për vendin ku është blerë lënda plasëse dhe persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale. Në pyetje është marrë edhe i dëmtuari, që ka pohuar se ka qenë i lidhur me 22-vjeçaren dhe se kanë pasur një ndarje me sherr dhe madje ajo e ka kanosur me telefonata dhe mesazhe.
Policia konfirmoi se ka arrestuar çiftin e të rinjve që do dalin në gjykatë për masë sigurie, ndërsa të dyshuarit pretendojnë se nuk kanë dorë në ngjarjen kriminale të 7 qershorit në Metoq. Gjithashtu mësohet se Gëzime L., dhe Denis Shemi kishin lidhje shoqërore me njëri-tjetrin dhe pritet që tabulatet telefonike dhe SMS-të të zbardhin më shumë detaje. Dosja hetimore i ka kaluar prokurorisë vendore për veprime të mëtejshme me dy akuza.
