Halilaj: Skënderbeut do t’i përgjigjemi në fushë

redaktor

Emocionet që dhuruan çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, tashmë ia lënë vendin deklaratave në prag të javës së 23 të Kategorisë Superiore, që kulmon të hënën më kryendeshjen Skënderbeu- Kukësi. Menjëherë pas fitores 3-1 me Flamurtarin, presidenti i kampionëve në fuqi, Ardian Takaj, deklaroi për mediat se radhën e ka Kukësi, që duhet të hapë krahun në garën për titullin kampion. Kundërpërgjigjja nga kampi kuksian vjen nga portieri Argjent Halilajn, që thumbimet në distancë të presidentit të korçarëve i snobon me profesionalizëm. “Neve futbollistëve nuk na takon t’u përgjigjemi presidentëve, ne përgjigjen tonë do ta japin në fushë dhe në fushë do të fitojë Kukësi”.

Te Kukësi besojnë se eksperienca e akumuluar në dy sezonet paraardhëse në Kategorinë Superiore do t’i ndihmojë nënkampionët që të ngrenë lart trofeun e titullit. “Vijmë nga një seri rezultatesh pozitive dhe besojmë se do t’i fitojmë të dy trofetë. Për dy sezone radhazi jemi shpallur nënkampionë të Shqipërisë dhe tani presim që ta ngremë lart trofeun e titullit”.

Halilaj nuk e përjashton Partizanin nga gara për titull, pavarësisht se të kuqtë kanë grumbulluar 6 pikë më pak në këto 22 javë. “Nuk do ta përjashtoja kurrsesi Partizanin nga gara për titull. 6 pikë nuk janë shumë, mendoj se do të ketë garë të fortë deri në fund, por titulli do të jetë i Kukësit”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *