Halili: Deklarimi i Ramiz Alisë për “Kult gjeneralësh” në ushtri, pikënisje për prerje kokash

anazapta

Rrëfim i oficerit madhor Hetem Halili, një nga dëshmitarët e gjallë të gjyqit kundër Beqir Ballukut e bashkëpunëtorëve në “Grupin puçist në ushtri”. Si nisi sulmi ndaj gjeneralëve Balluku, Dume e Çako pas konstatimit të Ramiz Alisë për “kultin e gjeneralëve” që “kanë pushtuar shtypin ushtarak”. Tendenca e pasuksesshme e Mehmet Shehut për të mbrojtur gjeneralët e akuzuar

 

Hetem Halili: Të vënë përballë akuzave për “Kult në ushtri” e “Veprimtari sabotuese kundër interesave të mbrojtjes së vendit” gjeneralët e ushtarakët madhorë, me shpresën që të shpëtonin veten, formuluan ndaj kolegëve akuza të shumta, të qena e të paqena. Këta akuza, pas gjykimit politik, i çuan 3 gjeneralët para pushkatimit.

Çdo orë që kalonte, sillte tronditje të paparashikuara jo vetëm në udhëheqjen e ushtrisë, por dhe në Korpuse e njësi të tjera…

Me gjithë tendencën e kryeministrit Mehmet Shehu për të mbrojtur gjeneralët e drejtuesit e tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes (porosia: “Analizoni problemet, i zgjidhni e vazhdoni punën”), situata përkeqësohet nga ora në orë. Epiqendra e goditjeve më të mëdha, ishte në Drejtorinë Politike të Ushtrisë, e cila u quajt nga Enver Hoxha “Komitet Qendror në ushtri”, e pas dënimit të “Grupit Puçist”, me vendim të posaçëm u suprimua. Në Drejtorinë Politike, titullari i saj Hito Çako, akuzohej si “armik” dhe për “mbajtjen në ushtri të oficerëve që janë martuar me ruse”. Hetem Halili, ish-inspektor në Këtë institucion, rrëfen detaje të pa njohura nga këto analiza të vitit 1974, që çuan në ekzekutimin e krerëve kryesor të ushtrisë..

Ju keni qenë inspektor në Drejtorinë Politike dhe keni ndjekur nga afër analizat për dënimin e “Grupit armiqësor në ushtri”?

-Pas analizave që u bënë për Beqir Ballukun e grupin e tij të vogël, ku dolën një sërë problemesh, Enver Hoxha mbajti një fjalim. Kështu, Për Petrit Dumen, Enveri tha: “Ti, Petrit Dume e ke dashur ushtrinë, por e ke dashur siç e  doje ti, jo siç e donte partia”, Për Hito Çakon tha: “Ti je revizionist i gjallë dhe recidivist!”

 

Ju keni qenë pjesëmarrës në analizë, mund të na thoni se çfarë  akuzash u ngritën kundër gjeneral Hito Çakos?

-Në fakt, pak kush e mendonte përshpejtimin e ngjarjeve në këtë mënyrë… U shkua në analiza shumë larg në kohë, Hito Çakon e akuzuan se më 1947 dhe 1948 ka qenë në krahun e Koçi Xoxes… Ai thoshte për Koçi Xoxen se: “Është tanku i Partisë! Në një delegacion me Tuk Jakovën, më 1955, Hito Ka qenë me to dhe i kanë shprehur pikëpamjet si i mendonin”. Kur u diskutua më vonë në plenum për vijën e Tuk Jakovës, Hito Çako tha: “Këto pikëpamje që po thotë tani, m’i ka thënë dhe mua më parë në kohën që ishim në delegacionin në Hungari”.

 

Si reagoi Hito për këto akuza që u ngritën në plenum?

-Ai u vu në vështirësi. Ju kthyen të gjithë dhe i kërkuan: “Pse nuk i ke thënë këto, pse ja ke shprehur Partisë…” Ndërsa furtuna më e madhe do të shpërthente në aktivet e Partisë…

 

Kur u bënë aktivet e Partisë për “puçistët në ushtri”?

-Aktivi i parë u bë në Durrës. Në të morën pjesë 7 anëtarë të Byrosë Politike, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Adil Çarçani, Ramiz Alia, Kadri Hazbiu, etj… Këta anëtarë të Byrosë Politike do të merrnin pjesë dhe në aktivet e tjera në shkallë vendi, ku eksperiencën dhe njohjen me problemin në Durrës, do e pasqyronin dhe reflektonin atje ku ishin të deleguar…

 

Ishit ju në aktivin e Durrësit?

-Mora pjesë vetëm ditën e parë se për shkak të ngarkesës, duheshin përgatitur dhe aktivet në rrethe e njësi të tjera.

 

Çfarë do të veçoni nga këto analiza?

-Ushtarakët e lartë u turrën kundër njëri tjetrit. Bie fjala, Muhamet Prodani i tha Petrit Dumes: “Unë edhe sot nuk e marr vesh nëse ti Petrit ke qenë me Tezat e Artit ushtarak Popullor apo me ‘Teorinë e rrëshqitje’”… Vetë Hito Çako, pasi bëri autokritikë, i thotë Hysni Kapos: “Për këtë çështje unë kam biseduar me ju, ju e dini këtë problem!”

 

Po Hysni Kapo si reagoi?

-Hysni Kapo mori mikrofonin dhe tha: “Ti ke ardhur, ke paraqitur diçka, por nuk e kemi sqaruar… Këtu tensionohet situata… Ndërhyn menjëherë dhe ashpër Mehmet Shehu…

 

Cila ishte ndërhyrja e Mehmet Shehut?

-Mehmet Shehu rrëmbeu mikrofonin dhe tha: “Ti Hito Çako, mos u mundo të shmangesh, të përziesh dhe të tjerët në këtë veprimtari që mban erë të keqe kundër Partisë, ushtrisë e interesave të vendit…” Kjo la një farë shije, krijoi një dyshim tek pjesëmarrësit. Ua thashë më lart se këto libra (tre librat e përkthyer), u ishin dhënë udhëheqjes, e këto debate sikur paralajmëronin diçka shumë të rëndë…

 

Si vazhdoi më tej analiza në Durrës pas ndërhyrjes së Mehmet Shehut?

-Me akuza e kundërakuza të ndërsjellta. Madje, mua më bëri përshtypje se për Hito Çakon flisnin më shumë e më me pasion, ata njerëz që ai kishte pasur më afër, i kishte ndihmuar dhe njiheshin me njëri-tjetrin… Më bëri përshtypje se të gjithë thoshin se nuk i kishin lexuar materialet që u quajtën “të zeza”… M’u krijua përshtypja se për të shpëtuar veten, këta po ja fusnin njëri-tjetrit… Ndonëse materialet i kishin lexuar një pjesë e mirë e tyre…. Në këtë analizë diskutoi dhe gjeneral Dilaver Poçi… Po dhe ai si gjithë të tjerët… Bile disave, u ra të fikët… Përmenda Dilaverin, se me “të kam dhe një bisedë të 20 e ca viteve më pas….

 

Cila ishte kjo bisedë?

-Siç thashë, Dilaverin e kam takuar më vonë, pas vitit 1990, në varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku pashë dy grupe veteranësh, dy kurora. I thashë Dilaver Poçit: “Si vajti kjo punë Dilaver! Edhe veteranët që kanë bërë çdo gjë bashkë gjatë luftës, tani janë bërë më dysë, nuk merren vesh me njëri-tjetrin. Ja me dy kurora”. Ai gjeti rastin dhe më tha: “Dëgjo more djalë! Ne u ngatërruam me këmbët tona dhe nuk na e ka fajin asnjë njeri.”

 

Të kthehemi përsëri tek aktivi i Durrësit, si vazhdoi ai?

-Vazhdoi tre apo katër ditë… Unë merresha me informacionet në shkallë vendi… I grumbulloja ato dhe i arkivoja, i grupoja… Diskutimet dhe reagimet e kuadrove kryesorë në Durrës, (Beqiri ishte ndaluar), nuk u pëlqyen udhëheqjes… Thanë që të thellohen më shumë.

 

Përballë akuzave, kush reagoi më me dinjitet nga Gjeneralët e akuzuar?

-Më mirë diskutoi Halim Ramohito, këtë diskutim të tij, e evidentoi dhe Mehmet Shehu. Pas Durrësit, analiza vazhdoi në gjithë korpuset e vendit… Mbaj mend se një çështje e diskutuar ishte ndasia në marrëdhëniet midis komiteteve të Partisë në Ushtri me Komitetet e Partisë së rretheve…

 

Sipas jush, kush ishte fajtorë?

-Kryesisht ushtria, komitetet e Partisë së saj… Në këto aktive merrnin pjesë të gjithë sekretarët e Partë të Komiteteve të Partisë së Rretheve. Kështu, në aktivin e Elbasanit, kur u shtrua problemi i këtyre mos marrëveshjeve, Mehmeti pyeti Jashar Mezenxhiun: “Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me ushtrinë!”. Ai u përgjigj: “Akull!”.  Ndërsa Mehmet Shehu i tha: “Po mirë, ju të terrenit çfarë keni bërë për ta shkrirë këtë akull? Nëse ata nuk erdhën në zyrat tuaja për të diskutuar këto probleme, pse nuk vajtët ju në zyrat e tyre?”

 

Cili ishte rezultati i këtyre analizave?

-Thashë më lart se Beqir Balluku ishte ndaluar, por ende nuk ishte përcaktuar plotësisht “Grupi Puçist” në ushtri. Në përfundim të analizave u vendos nga Komiteti Qendror, që komisarët e Korpuseve, të ishin dhe anëtarët të Komitetit të Partisë të rretheve, si dhe një nga Sekretarët e Komiteteve të Partisë së rrethit të ishte anëtar i Komitetit të Partisë së Korpusit në ushtri… Tjetër masë ishte marrja masive e kuadrove nga rrethi, me e pa arsim në forumet e Partisë në Ushtri. Kjo, për mendimin tim, nuk qe produktive. Pjesa më e madhe e tyre nuk e justifikuan, nuk bënë gjë… Përkundër… Sollën probleme në anën e përgatitjes ushtarake… Kjo se dhe nuk erdhën njerëz të aftë dhe se niveli i punës së partisë në ushtri, ishte shumë më i lartë se ai në terren… Dhe i zbatimit të normave, kuptohet…

 

Ku shkuan konkluzionet e analizave në shkallë vendi?

-Dërgoheshin tek ne në Drejtorinë Politike të Ushtrisë. Aty përmblidheshin dhe u dërgoheshin Komitetit Qendror të PPSH…

Me këtë punë merrej direkt Sektori Ushtarak që drejtohej nga Gafur Çuçi, e që varej nga Hysniu Kapo…

 

Çfarë ndodhi në këtë moment me Drejtorinë Politike?

-Drejtoria Politike u anashkaluar… Informacionet vinin direkt nga Korpuset në Komitetin Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Gjatë analizave, theksoj se u kërkuan dhe u bënë propozime konkrete si për gjeneralët e ushtrisë, punën e partisë në ushtri dhe nevojën e organizimit e propozime të tjera.

 

Cilat ishin disa nga propozimet?

-Propozimet ishin të ndryshme si “të çmobilizohen”, “të përjashtohen nga partia”, “të dënohen”, “të pushkatohen…”  Këtu, përfshiheshin nga Hito Çako që qe Drejtor i Drejtorisë Politike (i sapo emëruar zëvendës ministër i Mbrojtjes), zëvendësit e tjerë, inspektorët…

Besoj edhe për ju? Të njëjtat propozime u bënë dhe për mua dhe inspektorët e tjerë…

 

Çfarë propozimesh u bënë për ju?

-Korpusi i Shkodrës, në informacionin që dërgoi (komisar ishte E’lham Kondo), propozoi që unë të arrestohesha. Motivacioni i tyre ishte: “Na ka dërguar një fjalim të Hito Çakos të mbajtur në mbledhjen e  Komitetit të Partisë së Korpusit të Fierit për zbërthimin e vendimeve të Plenumit të 4 të PPSH, të cilën na e rekomandonte që të përdoret si material bazë gjatë analizave që do të behshin në  Komitetin e Partisë për Plenumin. Bëhej fjalë për materialin për letërsinë dhe artet.”

 

Cili qe më tej fati juaj?

-Në fakt, isha si të gjithë të tjerët, shumë i shqetësuar nga kjo situatë. Pas disa kohësh, vijnë në zyrat e Drejtorisë Politike Sadik Bocaj dhe Detar Avdija, i pari përgjegjës i Statutit në Komitetin Qendror… Ishin të shqetësuar se kush e ka bërë këtë akt të rëndë. Më takojnë dhe më pyesin: “Kush e ka dërguar materialin dhe shkresën përcjellëse”. U thash: “Unë e përgatita dhe me firmën e Hitoi Çakos e nisa. Është material ndihmës…” U thash se është dërguar zyrtarisht… Pra ishte material ndihmës, i cili mund dhe përdorej sipas gjykimit e mendimit të tyre atje… Pra nuk ishte material bazë… Me kaq kjo u mbyll.

 

Po organizata e Partisë e Drejtorisë Politike, e analizoi këtë problem?

-Po, disa herë. Në mbledhje, vinte dhe Hito Çako, që sapo kishte vajtur zëvendësministër. Me thënë të drejtën, përveç literaturës, (librat), nisën cic-micet me jo shumë peshë… Doli që Hito i kishte thënë dikujt në Shkodër: “Me të dhënë sinjalin e luftarak për luftë, të rrethohen Komitetet e Partisë!”

 

Si u konceptua kjo akuzë?

-Hito Çako u kritikua sikur donte të rrethonte e asgjësonte komitetet e Partisë, por në fakt, “rrethimi i Hitos” kishte të bënte me atë që në rast agresioni, forcat e vendosura të siguronin jetën e komiteteve të partisë, deri dhe në zhvendosjen e tyre në rast agresioni..

 

Po kritika të tjera për Hiton?

-Po. Dikush e kritikoi: “Ti Hito Çako, ke mbajtur në ushtri, oficerë që i qenë martuar me gratë ruse?

 

Cili ishte reagimi i Hito Çako?

-Reagoi menjëherë. Tha: “Nuk ka pasur orientim që t’i hiqnim, nuk mund të ndërmerrnim veprime me kokën tonë pa direktivë të Partisë SË Punës së Shqipërisë. Pasi reagoi Hito, kritikuesi Pepe Kantozi, hebre, oficer në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes, ngeli për një moment. Pastaj tha: “Unë kështu e mendoj!”. Dhe Hito ja ktheu: “Po e mendon kështu ti o çifut, unë le ta ha dhe për këtë, se kam të tjera më të mëdha për ta ngrënë e se kjo nuk ngre peshë…

 

A reaguat ju në këtë moment?

-Në këtë moment mua mu kujtua një ndodhi, që kishte ndodhur në Bazën Ushtarake detare të Vlorës. Një nga kuadrot e larta të Flotës, Haziz Hasa, në një mbledhje stërvitore, pyetjes që u bë “Në rast se portet tona i ka bllokuar armiku dhe s”kanë mundësi të vijnë anijet tona, si mund të zgjidhet ky problem”, ai iu përgjigj: “Në Turqi, në Egjipt dhe në Algjeri”. Shokët e tij në organizatën e partisë, ja morën si veprimtari armiqësore… Si mund të shkonte flota jonë në këto vende!?. Për këtë mbajtën qëndrim në organizatë, diskutuan gjatë. Në atë mbledhje analizë, i kanë bërë 72 pyetje, midis të cilave dhe këto që thash më lart… “Gruaja jote merr pjesë merr pjesë në format e edukimit, jep mësim rusisht në gjimnazin Halim Xhjelo në Vlorë, por nuk diskuton. Po pse nuk diskuton”- e pyetën. Tjetra: “Pse ju në shtëpi i flisni rusisht me njëri-tjetrin dhe me dy vajzat, etj…

Dhe në fund, organizata vendosi ta përjashtoj nga Partia. Mirëpo vajti informacioni lart dhe lidhur me atë pyetjen “për anijet” Hito Çako tha:”Ku në ç”vend tjetër mund të ankorohen përveçse atje ku tha Hazizi! Janë oficerë apo jo!”. Por dhe për “gjuhën” ruse shpëtoi, tha se “ne në gjimnaze, rusishten e kemi gjuhë të dytë”. Komiteti i Partisë, ku sekretari ishte Xhemal Shehu, një kuadër i zoti dhe që i zgjidhte çështjet jo me pasion, por me logjikë e gjakftohtësi… U zgjat koha ca, derisa u morën sqarime… Kishte presione nga komunistë të thjeshtë pse nuk diskutohet… Kur u diskutua në Komitetin e Partisë, nuk u morën para sysh… U kritikua dhe u dënua për qëndrim prepotent… E shoqja ruse priste jashtë… I dha vetëm një vërejtje… Pra zgjidheshin drejt problemet… I tha të shoqes: Shpëtuam!

 

Si e gjykuat ju këtë veprim të Hitos?

-Ne i dhamë të drejtë qëndrimit të Hito Çakos në atë kohë… Rasti i grave ruse ishte me Tahir Bejën, Shaqir Kapexhiun, Jani Bushi (Rukije, myslimane, ruse)… Disa i ndanë vetë… të tjerët për mënyrën e jetesës, ca donin sebep, ca gra kërkuan të iknin vetë…

 

Disa gra ruse, u akuzuan për spiune. A kishte të tilla?

-Kishte. Ishte porosia e Hrushovit: “Vajzat ruse të martoheshin me oficerë shqiptarë”. Ashtu si Musolini: “Vajzat italiane të martohen me shqiptarë…”

 

Për se Enver Hoxha tha se është krijuar “Një komitet Qendror të Partisë në Ushtri”, si është e vërteta sipas jush?

-Më parë pohova se në ushtri ishin 6 anëtarë të Komitetit Qendror. Kjo se problemet që kishte ushtria, diskutoheshin një herë me këta 6 anëtarë, pastaj shkonin në Komitetin Qendror. Anëtarët e Komitetit Qendror në ushtri ishin Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Sadik Begteshi, Halim Ramohito e Dilaver Poçi…

 

Ndonjë detaj tjetër nga analizat për në Ushtri?

-Po. Sapo ishte arrestuar Beqir Balluku, e vazhdonin analizat. Në analizat që bëheshin në njësi e reparte merrnin pjesë edhe komunistë nga terreni… Kjo bëri që problemet e ushtrisë, shqetësimeve të saj , u bënë edhe objekt i terrenit… Do të përmend një rast ku unë kam qenë i pranishëm. Bëhej analiza në batalionin art mitraljer të Divjakës, që varej nga brigada e Durrësit. Komandant i Brigadës ishte Shuko Minga. “Ka ardhur këtu tek ne Hysni Kapo, ka mbaruar punë dhe ka ikur. Kurse kur erdhi Beqir Balluku, pra kur vinte ai, dha urdhër të thahet rezervuari vaditës për të marr peshq…”, akuzuan. Kjo, në fakt, ishte një akuzë shumë e rëndë për të… Por për mua nuk qëndronte…

 

Po pse nuk qëndronte sipas jush?

-E para, sado që të hanin e pinin gjeneralët, puna nuk shkonte në atë shkallë… Së dyti, edhe ndruajtja, dhe frika… Se atëherë merreshin vesh gjërat… Së treti, ai mund të merrte sa të hante e të pinte, por nuk mund të merrte peshkun e baltovinave, një kamion… Këtu u gjet rasti, “o burra të hedhim baltë sa më shumë…”

 

 

Zbulimi i “Grupit puçist” shkrin Drejtorinë Politike

 

Pas vendimit për ndëshkimin e gjeneralëve “armiq” dhe oficerëve të tjerë madhorë të implikuar në këtë veprimtari, Plenumi i Komitetit Qendror, i cili gjatë punimeve ka konkluduar se Drejtoria Politike e Ushtrisë është kthyer në një Komitet Qendror për Ushtrinë, duke nxjerrë komandat mbi Partinë, miratohet vendimi për shkrirjen e Drejtorisë Politike. Ky vendim u parapri me arrestimin e shumë oficerëve madhorë, që më pas u pushkatuan apo u dënuan me shumë vite burg. Ja vendimi përkatës: “Vendim mbi shkrirjen e Drejtorisë Politike të Ushtrisë. Plenumi i 6-të i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, në mbledhjen e datave 16-17 dhjetor 1074, Vendosi: Të shkrihet Drejtoria Politike pranë Ministrisë së Mbrojtjes dhe puna e Partisë në Ushtrinë Popullore të udhëhiqet drejtpërdrejtë nga Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë, nëpërmjet aparatit të tij. Komitetet e Partisë së Korpuseve dhe Grupimeve Operative, të varen drejtpërdrejtë nga Komiteti Qendror. Plenumi i 6-të i KQ të PPSH”. Enver Hoxha, Firma. Datë: 18.12.1974” (BURIMI. Arkivat e Komitetit Qendror të Partisë Punës së Shqipërisë. Faqe 85, Dosja Nr.2, Fondi 14, Lidhja Nr.1)

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Reformimi i Forcave të Armatosura pas izolimit të Shqipërisë. Si u populluar me ushtarakë e familjarë ishulli i Sazanit dhe vështirësitë e jetesës në izolim.

-Bashkëjetesa e ushtarakëve shqiptarë me ato rusë dhe e familjeve të tyre në ishullin ku futeshe e dilje vetëm me fletëleje të posaçme.

-Pse e refuzoi Komitetit Qendror informacionin e Drejtorisë Politike për Ndërmarrjet ushtarake dhe përplasja e Beqir Ballukut me Hito Çakon.

Share This Article
1 Comment
  • “Sulmi ndaj gjeneraleve nisi pasi Ramizi konstatoi kultin e tyre ne shtypin ushtarak”
    “Perballe akuzave me dinjitoz u tregua Halim Ramohito”
    “Dilaver Poci me tha:Neve s’na ka faj njeri,u ngaterruam me kembet tona
    Ngjarjet jane ato qe jane por perceptimi dhe analiza e tyre nuk eshte e njejte .
    Zoti Halili ta shpif me analizen e tij tmerresisht te siperfaqshme dhe enveriste.
    Per te gjithe enveristet fajin e ka Ramizi kur dihet boterisht se Ramizi ishte per PPSH si Basha per PD!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *