Halili: “Selman Stërmasi” do jetë gati më 15 shkurt për Tiranën

redaktor

“Selman Stërmasi” nuk do të jetë më një stadium i rrënuar në zemër të kryeqytetit, por një impiant multifunksional dhe tërësisht i rikonstruktuar, falë investimit të klubit të Tiranës, që ka menduar t’i rikthejë shkëlqimin e dikurshëm ashtu si dhe funksionalitetin një stadiumi të braktisur nga të gjithë. Në një konferencë për shtyp, presidenti i bardhebluve Refik Halili shpalosi projektin e tij për “Selman Stërmasin”, duke pranuar se falë një investimi të mirëmenduar shumë shpejt stadiumi do të jetë gati për t’u shfrytëzuar nga ana e ekipit bardheblu.

“Brenda një periudhe shumë të shkurtër, deri më 15 ose 20 shkurt do të jetë gati tapeti i ri i stadiumit ‘Selman Stërmasi’, ndërsa do të punohet dhe për rikonstruksionin e pjesës tjetër të impiantit, që do t’i ofrojë tifozëve një stadium sipas të gjitha normave të kërkuara, por gjithashtu do të jetë dhe impianti ku skuadra jonë Tirana do të luajë ndeshjet e saj. Ne po punojmë me intensitet për realizimin e këtij projekti dhe jemi besimplotë se do të arrijmë të ndryshojmë tërësisht imazhin e këtij impianti të harruar prej vitesh”, tha numri një i bardhebluve.

Halili pranoi se do të kërkojë dhe bashkëpunimin e FSHF-së dhe Bashkisë së Tiranës për këtë investim, por gjithsesi dhe nëse nuk merr përgjigje nga këto dy institucione ai ka një projekt të detajuar për rindërtimin e stadiumit, që parashikon rregullimin e tribunës kryesore, shtimin e kapacitet në tribunën përballë, mbylljen e pjesëve anësore me reklama dhe një tapet i ri. Ndërkohë që do të punohet fortë dhe për krijimin e një “shtëpie” moderne dhe për vetë klubin e Tiranës, aty ku gjendet fusha e stërvitore “Skënder Halili”.

“Faza e parë e ndërtimit pritet të përfundojë për çështje ditësh, ndërkohë që do të vijojmë më pas me fazën e dytë që është ndërtimi i një godine për klubin, e cila do të përfshijë një palestër force për ekipin e parë dhe ekipet e moshave, një fushë basketbolli, një lavanderi, një mensë dhe gjithashtu facilitete të shumta për skuadrën. Por për të filluar me fazën e dytë duhet të miratohet projekti dhe nga ana e Bashkisë së Tiranës. Besoj se deri në maj do të kemi arritur të mbyllim gjithçka me sukses”, theksoi Halili. Te Tirana shumë gjëra kanë nisur të lëvizin, dhe përveç një merkato cilësore investimet për krijimin e një klubi modern janë një konfirmim se te bardheblutë nuk është e rëndësishme vetëm e tashmja por gjithashtu dhe e ardhmja.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *