Presidenti i Tiranës, Refik Halili, ka reaguar me një qëndrim zyrtar në faqen e klubit për rastin “Ndikumana”.
Vetëm disa orë pas përfundimit të ndeshjes, numri një i 24-herë kampionëve në fuqi u kërkoi tifozëve të ruajnë qetësinë dhe të pranojnë faljen e sulmuesit nga Burundi, i cili ka reflektuar dhe e ka pranuar se ka gabuar që nuk ka shkuar për të duartrokitur mbështetësit bardheblu në fund të sfidës së “Loni Papuçiut”.
Në mesazhin e Halilit, shkruhet: “Duke parë rezultatet e javëve të fundit gjej rastin të ndaj diçka me të gjithë tifozët bardheblu. Është momenti të qëndrojmë të bashkuar, të ruajmë qetësinë dhe entuziazmin e nevojshëm që do të na drejtojë në rrugën drejt objektivave sezonale.
Një vit më parë ia dolëm bashkë dhe këtë vit unë besoj shumë që sërish bashkë do ia dalim. Tensioni nuk na shërben, përkundrazi na dëmton. Rasti “Ndikumana” në fund të takimit është një keqkuptim qe duhet lënë pas.
Futbollisti ka reflektuar pas ndeshjes, ka kërkuar ndjesë publikisht e megjithatë, për të ruajtur të pacënuar seriozitetin e “KF Tiranës”, ndaj lojtarit do të ketë një penalitet. Skuadra ka nevojë për mbështetje.
Çdo ndeshje duhet ta vlerësojmë të gjithë dhe duke qëndruar pranë njëri-tjetrit të kërkojmë maksimumin. Vetëm në këtë mënyrë do t’ia dalim”.
