Ministri i Drejtësisë propozon nëpërmjet Facebook-ut masa më të ashpra ndaj atyre që kapen me armë, si një strategji për të parandaluar vrasjet, të cilat kohët e fundit kanë shënuar rritje dhe janë kryer me armë zjarri. Në profilin e tij, Ministri Eduart Halimi thotë se ata që kapen me armë në rrugë, duhet të dënohen me jo më pak se 10 vjet burg.
“Një mik i imi me shkroi sot në mëngjes në lidhje me paketën e reformës në drejtësinë kriminale, se dënimet për mbajtësit e armëve duhet të ashpërsohen edhe më shumë. Unë gjykoj se ai ka drejtë. Nëse ne shohim shpesh kronikat e zeza, vrasjet më të shumta ndodhin me armë zjarri. Por ajo që unë mendoj është se duhen bërë disa klasifikime në lidhje me këtë çështje. Nëse dikush kapet me armë në rrugë, qëllimi kryesor, kriminal i tij, është të vrasë dikë! E Gjithkush që mund të kapet me armë në banesë, mund të ketë një dënim më të lehtë se ai i mësipërm, por jo më pak se 5 vjet, shumë herë më rëndë se ajo që është sot”, shkruan Halimi.
Gjithashtu, Halimi propozon ashpërsimin e dënimeve për ta që kapen me municione ose me lëndë eksplozive.
“Ne nuk duhet të presim që ai te hedhë në erë ndonjë qytetar, apo një funksionar, te presim pasojën dhe pastaj të reagojmë. Sigurisht që pasoja është një rrethanë renduese më tepër, që duhet të ketë edhe një dënim tjetër po aq të rëndë. Por subjekti që kapet me lëndë plasëse, apo mjete që ndihmojnë në vendosjen e bombave dhe tritolit, nuk mund te ketë një dënim më pak se 25 vjet.”
