Opozita i kërkon Gjykatës Kushtetuese që të zbardhë vendimin për mandatin e deputetit Koço Kokëdhima, që sipas demokratëve ka shkelur ligjin nëpërmjet kompanisë së tij të internetit duke marrë pjesë në tendera publik.
Deputeti Eduart Halimi tha se Gjykata Kushtetuese duhet ta bëjë sa më parë efektiv vendimin për deputetin në fjalë.
“Edhe pse kërkesa e Partisë Demokratike për mbarimin e mandatit të Kokëdhimës është bërë në verën e vitit të kaluar, Gjykata e ka marrë në shqyrtim në nëntor të 2015, por ende nuk ka zbardhur vendimin që e shpalli si anti-kushtetues fshehjen ndaj drejtësisë që Rama bëri për deputetin Koço Kokëdhima. Parlamenti me urdhër të Edi Ramës doli në mbrojtje të milionave të Kokëdhimës, në mbrojtje të 150 transfertave financiare që ai kishte përfituar në shkelje të Kushtetutës”, sqaroi ai.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Partisë Demokratike duke shfuqizuar një vendim të Kuvendit të Shqipërisë i cili kishte votuar kundër kërkesës për ta çuar për shqyrtim në Kushtetuese për mandatin e deputetit Kokëdhima. Demokratët thonë se kryeministri Edi Rama po i bën presion anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
“Fshehja që po u bën Edi Rama deputeteve ndaj drejtësisë, tregon mënyrën se si po qeveris: sa më shumë shkelje e abuzime, aq më shumë i mban njerëzit e tij, dhe ia fsheh drejtësisë. Shembulli i Ilir Beqës e dëshmon qartë këtë. Gjykata Kushtetuese i hoqi mandatin e deputetit për përfitim fondesh publike, por Edi Rama e bëri ministër duke i besuar koncesionet qindra milion eurosh”, tha gjithashtu Halimi. /Dita/
