Hamilton arrin pole position në provat zyrtare të Hungarisë

anazapta

Lewis Hamilton befason skuadrën Red Bull duke siguruar të tretën pole position radhazi, të sezonit dhe të 30-n në karrierë. Në fakt duhet thënë se ishte Sebastian Vettel piloti që u çudit më shumë nga prova spektakolare e pilotit britanik, pasi 3 herë kampioni i botës u duk krejtësisht i sigurtë, në vendin e parë, me një kohë që e la të gjithë konkurrencën afro 0,9” larg. I vetmi që mund ta kundërshtonte ishte shoku i tij te ekipi austriak, gjithsesi u kuptua qartë se Mark Webber nuk do të zbriste më në pistë.

Është vërtet enigmë që të gjitha telashet bien përherë mbi shpinën e veteranit australian, megjithatë këtë radhë drejtuesit e Red Bull-it deklaruan se Webber nuk zbriti në pistë në mini sesionin e fundit, për shkak të problemeve me marshet si dhe sistemin Kers. Merita shkon sidoqoftë e gjitha për Lewis Hamilton që ishte i vetmi që ia doli mbanë të thyente Sebastian Vettel, i cili kishte dominuar që të gjitha provat e mëparshme të Çmimit të Madh të Hungarisë.

Provat në fund u bënë vërtet tepër spektakolare me disa pilotë radhazi që tentuan në çastet finale për të zbritur poshtë kohës së Vettel, megjithatë me fat në përfundim rezultoi pikërisht 28-vjeçari britanik, që arriti të triumfojë për vetëm 0,038”. I pari nga vija e dytë do të niset francezi Romain Grosjean, ndërsa Nico Rosberg humbi shumë kohë në sektorin e dytë, e për pasojë e mbylli xhiron e tij në vendin e katërt. Me 0,4” diferencë u pozicionuan respektivisht në vendet 5 dhe 6 Alonso e Raikkonen, ndërsa me radhë prapa tyre u klasifikuan Massa, Ricciardo, e Sergio Perez.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *