Hamilton më i shpejti në provat e lira në Sochi

redaktor

Lewis Hamilton është gjithnjë e më pranë titullit të dytë Botëror në Formula 1. Piloti britanik, i cili ka triumfuar në tre garat e fundit duke marrë edhe kryesimin e klasifikimit të përgjithshëm me 10 pikë më shumë se shoku i tij i skuadrës Nico Rosberg, nuk fali as në provat e dyta të lira që u zhvilluan në cirkuitin e Sochit. Hamilton ishte i papërmbajtshëm edhe në Çmimin e Madh të Rusisë që është bërë pjesë e kalendarit të Formula 1 këtë sezon. Në Sochi piloti anglez i Mercedesit regjistroi kohën më të shpejtë 1 minutë 39 sekonda e 630 të mijtat duke lënë pas me gati 1 sekondë më shumë Mclarenin e Kevin Magnussen. Kohën e tretë më të mirë në Rusi e regjistroi Fernando Alonso, i cili në sesionin e dytë të këtyre provave të lira e pilotoi Ferrarin e tij për 1 minutë 40 sekonda e 504 të mijtat.

Zhgënjeu totalisht Nico Rosberg, i cili edhe njëherë tjetër u shfaq dukshëm inferior përballë shokut të tij të skuadrës duke treguar se në këtë fund sezoni nuk është më ai i fillimit. Vetëm vendi i katërt për gjermanin e Mercedes por ajo që bën më shumë përshtypje është diferenca e madhe në kohë mes Hamilton dhe Rosberg, pasi 29-vjeçari i biri ish pilotit Keke Rosberg regjistroi një xhiro të shpejtë 912 të mijtat më të ngadaltë se ajo e liderit të klasifikimit. Pas gjermanit të Mercedesit u pozicionuan me radhë Valteri Bottas, Jenson Button dhe Felipe Massa. Shumë keq Red Bulli në Rusi me Sebastian Vettel që u pozicionua i 9-ti dhe Daniel Ricciardon që për shkak të problemeve në makinën e tij nuk arriti të regjistronte dot një xhiro të shpejtë. Një gjest shumë të bukur në Sochi ndërmori edhe skuadra e Marussias, e cila nëpërmjet presidentit Graeme Lowdown komunikoi se për respekt të pilotit të saj të dëmtuar rëndë në pistën e Suzukas, Jules Bianchi, në Cmimin e Madh të Rusisë do të garojë vetëm me një pilot dhe ai do të jetë Max Chilton.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *