Hapat si të konkuroni për praktikat klinike 2019!

Bora Basholli

Nëse kërkesat e studentëve për një spital të caktuar tejkalojnë kapacitetet e spitalit për të pranuar praktikantë, studentët do të përzgjidhen sipas mesatares. Praktika zhvillohet në periudhën Korrik-Tetor.

Gara për studentët e Mjekësisë dhe Infermierisë

Krahas punësimit të mjekëve, portali online “Mjekë për Shqipërinë”, do t’u vijë në ndihmë edhe të gjithë studentëve të profileve mjekësore që duan të kryejnë praktikën klinike në poliklinikat dhe spitalet publike të vendit përgjatë gjithë sezonit të pushimeve. Studentët do të ndihmohen nga mjekët specialistë të institucioneve ku do të përzgjidhen për zhvillimin e praktikës, në përfundim të të cilës do të pajisen edhe me vërtetimin përkatës. Shpesh herë studentët kanë hasur vështirësi në ndjekjen e praktikës përgjatë viteve të shkuara. “Në kuadër të Paktit për Universitetin, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka marrë përsipër të mbështesë studentët e Universitetit të Mjekësisë Tiranë nëpërmjet ofrimit të mundësisë për të zhvilluar praktika klinike në të gjitha spitalet e vendit, gjatë periudhës së verës, kur studentët kanë pushimin ndërmjet viteve akademike. Studentët mund të aplikojnë nëpërmjet portalit “Mjekë për Shqipërinë” për secilin spital, sipas listës së përcaktuar”, bëjnë me dije ekspertët e dikasterit të shëndetësisë.

Hapat si duhet të aplikoni

Sipas afateve të përcaktuara, periudha e praktikës klinike do të zhvillohet në muajt korrik-tetor, deri në nisje të vitit të ri akademik. Sikundër u theksua edhe më lart aplikimi për praktikën do të bëhet online në portal, ku studentëve u duhet që të plotësojnë formularin përkatës me të dhënat e kërkuara nga strukturat shëndetësore. Fillimisht studenti duhet të aplikojë në portal, duke saktësuar spitalin në të cilin do që të kryejë praktikën klinike. Tashmë janë përcaktuar edhe kriteret se si do të bëhet përzgjedhja e kandidatëve për vendet e praktikës në rast se për një institucion paraqiten më shumë kërkesa se sa kapacitetet e mundshme pritëse. Në këto kushte, kërkesat e studentëve për një spital të caktuar tejkalojnë kapacitetet e spitalit për të pranuar praktikantë, atëherë studentët do të përzgjidhen në bazë të mesatares së studimeve që janë duke ndjekur.  Aplikimet duhet të plotësohen deri në mbyllje të këtij muaji. Më pas studentët do të njoftohen nëpërmjet numrit të telefonit për vendin ku do të paraqiten për të zhvilluar praktikën klinike.

Ndjekja e praktikës

Çdo student që do të pranohet në programin e praktikës klinike do të ketë si mentor klinik një mjek në spitalin përkatës i cili do të mundësojë që studentët të përftojnë sa më shumë dije gjatë qëndrimit të tyre në spital. Gjithashtu, studentët angazhohet të kryejnë detyrat e caktuara nga mentori klinik apo nga anëtarë të tjerë të stafit mjekësor të spitalit, gjatë kohës që zhvillojnë praktikën klinike. Në fund të programit studentët do të marrin një vërtetim nga spitali përkatës që konfirmon përfundimin me sukses të programit të praktikës klinike. Praktika realizon përvetësimin efektiv të njohurive praktike-teknike dhe

etike të profesionistit, i garanton atij aftësitë e domosdoshme dhe përgjegjësinë publike për ushtrimin e pavarur të profesionit. Në çdo rast, praktika kryhet në institucionin shëndetësor që plotëson standardet e domosdoshme për realizimin e kërkesave dhe përvetësimin e njohurive praktike, teknike dhe etike të praktikantit.

Punësimi vullnetar në qendrat shëndetësore turistike

Për studentët e mjekësisë të viteve të treta e më lart, si dhe ata të degës Infermieri, që kanë përfunduar vitin e dytë të studimeve të nivelit të parë “Bachelor” ose janë duke kryer studimet e nivelit të dytë “Master”, gjithashtu mund të aplikojnë për të punuar si vullnetarë në qendrat shëndetësore verore të hapura nga dikasteri i shëndetësisë në  kuadër të masave të marra për sezonin turistik, kjo me qëllim për t’ju përgjigjur nevojës për kujdes shëndetësor në zonat me frekuentim të lartë turistësh. Studentët e interesuar duhet të aplikojnë duke dërguar në adresën e emailit [email protected] listën e notave dhe Qendrën Shëndetësore Verore ku duan të punojnë si vullnetarë. Në vijim të shkrimit do të gjeni edhe listën e qendrave mjekësore verore që do të funksionojnë përgjatë sezonit turistik.

Programet e studimit mjekësi

Pranimi në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruarat të ciklit të dytë, është i mundur për çdo kandidat që ka përfunduar me sukses ciklin e arsimit të mesëm dhe që plotëson kriterin e notës mesatare të përcaktuar çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave. Kriteret, kuotat dhe tarifat e shkollimit miratohen nga Senati Akademik dhe bëhen publike, për çdo vit akademik. Për procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit në programet e ciklit të parë, ciklit të dytë dhe programet e integruara të ciklit të dytë, zbatohen udhëzimet përkatëse të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Ndërsa personat që kanë përfunduar një program të plotë studimi, kanë të drejtë të ndjekin një program të dytë studimi. Në këtë rast, kandidatët përballojnë koston e plotë të studimeve. Kuotat e pranimit dhe tarifa e shkollimit për programet e dyta të studimit janë përcaktuar tashmë për pranimet e vitit të ri akademik 2019-2020.  Kritere specifike për t’u pranuar në një program të dytë studimi përcaktohen në rregulloret e fakulteteve. Universiteti i Mjekësisë ofron mundësi për transferime të studentëve në vite të ndërmjetme midis programeve të njëjta të të njëjtit cikël nga institucione të ndryshëm të arsimit të lartë. Si rregull, transferimet bëhen në vite të ndërmjetme dhe pranohen kandidatët me rezultatet më të larta. Kreditet minimale të domosdoshme për transferimin e studimeve janë 30. Vendimi për transferim bëhet në fund të vitit akademik për t’u realizuar në fillim të vitit akademik pasardhës. Procedurat transferuese përfundojnë në fillim të vitit akademik.

 Somarjo

Autoritetet e dikasterit të Shëndetësisë bëjnë me dije se studentët mund të aplikojnë nëpërmjet portalit “Mjekë për Shqipërinë” për secilin spital në vend. Studentët fillimisht duhet të aplikojnë në portal, duke saktësuar spitalin në të cilin duan të bëjnë praktikën. Aplikimet duhet të plotësohen deri në mbyllje të këtij muaji. Më pas studentët do të njoftohen për vendin ku do të paraqiten për të zhvilluar praktikën klinike.

Qendrat ku mund të punësoheni si vullnetarë:

 

Durrës Plazhi Currila Q.SH  Nr.1 Durrës
Gjiri Lalëzit Q.SH  Ishëm
Plazhi Durrës Q.SH 6, Durrës
Plazhi Sh.Kavajës Q.SH 6, Durrës
Shkodër Theth Q.SH  Shalë
Plazhi Velipojë Q.SH  Velipojë
Plazhi Rrjollë Q.SH  Velipojë
Lezhë Plazhi Shëngjin Q.SH  Shëngjin
Plazhi Tale Q.SH Shënkoll
Kavajë Plazhi i Golemit Q.SH  Golem
Plazhi M.Robit Q.SH  Golem
Lushnje Plazhi Divjakës Q.SH  Divjakës
Fier Plazhi Darëzez Q.SH Dermenas
     
Vlorë Plazhi Zvërnec Q.SH Nartë
Plazhi Vlorë Q.SH  Nr.3 Vlorë
Plazhi Orikum Q.SH  Orikum
Plazhi Radhimë Q.SH  Orikum
Plazhi Dhërmi Q.SH  Himarë
Plazhi Drimadhas Q.SH  Himarë
Plazhi Himarë Q.SH  Himarë
Plazhi Qeparo Q.SH  Himarë
Sarandë Plazhi Borsh Q.SH  Sarandë
Plazhi Ksamil 1 Q.SH  Ksamil
Plazhi Ksamil 2 Q.SH  Ksamil
Pogradec Plazhi Pogradec Q.SH  Pogradec
Tropojë Valbonë Q.SH  Margegaj
M.Madhe Razëm Q.SH  Shkrel
Tamarë Q.SH  Kelmen

 

b.b/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *