Dërguar me email
në adresën e redaksisë
Z.Hoffman,! Dëgjova apelin tuaj që dekurajoni emigracionin drejt vendeve të BE-së. I takoj asaj pjese të popullatës që beson dhe shpreson se, prosperitetin e begatinë duhet ta kërkosh në vendin ku ke lerë. Mirëpo sikurse kuptoni z.ambasador, kjo lëvizje e popullatës fatkeqësisht nuk është pa shkak. Shkaku është realiteti politik, social, ekonomik e shoqëror shqiptar. BE-ja z.ambasador, ndër vite mbylli sytë e në Shqipëri po në vite, u instalua një shtet i kalbur, i korruptuar. Këtu së pari s’ka drejtësi, mund ta fitosh në një shkallë në gjyqësor e përsëri e humb në shkallën tjetër, atë ta rrëmbejnë, ta marrin me lekë. Këtu z.ambasador, po tentove t’i shtosh më tej të drejtat e tua, rrezikon të humbasësh ato pak që ke fituar.
Pas viteve 90-të qeverisja në Shqipëri u kthye në sundim. Të sunduarit ngelën me gisht në gojë, mjaft familjeve ju rrezikua jo vetëm jetesa, por edhe dinjiteti familjar. Tashmë torta qe ndarë. Shpejt Shqipëria u bë parajsë për një pjesë e ferri për shumicën. Këtu si duket s’ka vend për të tërë, ndaj z.ambasador të rinjtë marrin rrugët për në viset tuaja. Është më mirë kështu se sa ta kërkojnë të ardhmen nëpër shkretëtirat arabe. Ndaj hapuni derën djemve e vajzave shqiptare, kontigjentët që po ju vijnë mund të jenë të varfër, por janë të ndershëm. Ju s’duhet të veproni si italianët që i hodhën në det dikur emigrantët shqiptarë me anijen e tyre të luftës. Nga Xhevdet Cora.
