Hapësira poetike e Dashamir Malos

redaktor

Vangjel Zafirati

Ndjenja të holla e të fuqishme njerëzore, një hapësirë pa kufi, aq sa gjeografike por edhe meditative, përshkojnë pothuajse të gjitha poezitë e Dashamir Malos. Poeti ndodhet midis dy gurëve – simbol, lëviz nga shkëmbi buzë brigjeve të ashpra të Jonit që me durim pret përplasjen me dallgën e egërsuar dhe pastaj ledhatimin jetëdhënës të valës çapkëne dhe shkëmbit në lartësitë e Malëshovës që me stoicizëm të pazakontë përballon vrullin e çmendur të furtunës malore, në pritje të flladit të majit, si shpresë dhe shpëtim.

Midis tyre endet poezia e D. Malos. Por kjo nuk është e vetmja gjeografi e saj. Ka edhe një gjeografi tjetër që i kapërcen kufijtë fizikë të këtyre trevave. Është gjeografia e mallit dhe e nostos, gjeografia e mendimit dhe e shpirtit të emigrantit, e njeriut–poet që ndodhet larg vendlindjes. Takojmë këtu jo pak poezi nga krijimtaria e autorit. Poeti emigrant duke ecur udhëve e shesheve të qyteteve të huaja, mbart më vete mallin e lëndinave të vendlindjes, kujtimin për njerëzit e të afërmit e tij që si një peshë e padukshme, por e rëndë e kërrusin. Kërrusin poetin dhe vargun e tij, poezinë. Kjo peshë është më e rëndë se gurët e vendlindjes, se lisat që u ngiten majave shkëmbore. Shumë herë ngjan me peshën e dëborës kur mbulon katundet e braktisura. Frymëzimi i poetit në këtë rast është si filizat e barit të njomë që mbijnë midis të çarave të gurëve, që fle gjithë dimrin nën dëborë për të jeshiluar në pranverë, duke dalë publikisht me poezinë e tij të përmalluar, me poezinë e nostos, atë të kthimit në vendlindje. Është ajo qe shkruan poeti në një prag viti të ri:

“…E bleva bredhin/E bleva të shtrenjtë,/për lindjen e Krishtit/për ditën e Shenjtë…/ rreth pemës sillet vajza ime/Mua bredhat e vendlindjes/ më blerojnë në kujtime…” (Nga libri “Fshehja e lotit”). Karakteristikë janë vargjet e në një poezi tjetër “Bie borë kudo në Athinë“: “Bie borë e mbi det, /Bie borë kudo në Athinë, /Mua kujtimet mi zgjon teksa flenë, /Dhe mi gjethon malli për shtëpinë…“

Poezia e Dashamir Malos është poezi e njeriut të thjeshtë, të zakonshëm, janë vargje që të çojnë drejt shpirtit njerëzor. Sipas poetit, jeta ka kuptim, kur ekziston përpjekja, kur jemi në kërkim të përhershëm të ëndrrës, dhe që në momentin që i afrohemi, ajo humbet dhe ne, fillojmë kërkimin nga e para! Shkruan në një nga poezitë:

“Sapo tu afrova/ ike pulëbardhë e Jonit/ ike…“ Ndonjëherë lexuesi,duke kaluar shtigjeve poetike të D.Malos pyet vetën se ku e takoi pranverën autori, në lëndinat e Përmetit, apo në brigjet e Jonit?! E ç’rëndësi ka kjo? I rëndësishëm është fakti se ata u takuan dhe ky takim veç të tjerash u bë poezi, u kthye në art. “…Pranvera është grua/ ka thënë një poeteshë/ nga mënyra se si erdhi/ ajo sivjet/ u binda për vërtetë…/“

Autori është një poet lirik. Studiuesi dhe kritiku Fatmir Terziu,duke folur për karakteristikat e e poezisë e vargut të tij, shprehet midis të tjerave: “Lirika e madje e tërë krijimtaria poetike e Dashamir Malos mund të cilësohet si një thyerje e tejdukshme e vargëzimit, ku gjithmonë në letërsi, thyerjet, sado të mëdha të jenë, asnjëherë nuk shkëputen plotësisht nga tradita. Poezia e tij, si e tillë është mbështetur në arritjet poetike të një tradite të gjatë e të njohur, veçanërisht atë greke, ku në disa raste leximi është i këndshëm…“

Me vargje të thjeshta e stil të veçantë, pa mbingarkesa, di të përcjellë tek lexuesi ndjenjën mes një figuracioni të qartë e të goditur. Ndodh ajo që konstaton edhe poeti Agron Shele për poezinë e D.Malos, se “Që në fillim ndeshemi me gjetjet dhe stilistikën e veçantë, stilistikë qe produkton vetëm një penë elitare, për të humbur mes ngjyrimesh dhe muzikaliteti fjalësh, të cilat tingëllojnë pareshtur si një fëshfërimë e largët.

Duke folur për poezinë e autorit D.Malo, krijuesi Xheladin Mjeku shprehet: “Në triptikun poetik që përshkon gjithë organizimin e poezisë së Dashamir Malos, trajtohen tri tema bosht, që këtu përbëjnë strumbullarin poetik të ngjyrosur me kaltërsinë jonike dhe me aromën e detit dhe jetës në vendlindjen e tij, ku, “toka ime është atje/e dhemshur dhe e pa djallëzuar/ toka ime që rrit /lule, thekër/ dhe pemë/ toka ime/ që mban në gji të parët e mi/ dhe kujtimin e një kohe/ të largët“.

Poeti ka një stilistikë të veçantë e cila është organike dhe në funksion të strukturës poetike e të mesazhit që përcjellë. Gjuha e tij është artistike, pa ngarkesa të tepërta e të panevojshme, elegante si vargu dhe mendimi. Poezia e Dashamir Malos është poezi e gjetjeve metaforike. Prandaj dhe është poezi!

CV

Dashamir Malo lindi në Malëshovë të Përmetit. Pas mbarimit të shkollës së mesme në Përmet, sot gjimnazi ,“Sejfulla Malëshova” u diplomua në Akademinë Ushtarake dhe në Akademinë e Policisë. Prej vitit 1997 deri në vitin 2002 punoi dhe jetoi në Athinë, Greqi. Aktualisht punon si oficer policie në Komisariatin e Policisë Kufitare në qytetin e Sarandës, ku edhe banon qysh prej vitit 1988. Ka botuar librat me poezi: “Midis vetmisë dhe heshtjes“(1996) , “Precedent“(2001) , “Fshehja e lotit“(2006) , “Ndoshta“ (2012) dhe vagëllimthi (2014). Ka përkthyer nga greqishtja vëllimin poetik “Poezi të zgjedhura” të poetit, publicistit dhe gazetarit grek, Jorgos Hronas si dhe librin me ese “Vallja e çmendur e Merylin Monroe”. Ka përkthyer gjithashtu cikle me poezi nga poetë të huaj, të cilët kanë qenë pjesëmarrës në 9 takimet poetike të përvitshme që organizon Klubi i Krijuesve Jonianë, Sarandë. Është pjesëmarrës në antologjitë poetike “Portat e harresës”, “Itaka e fjalës” dhe “Korsi e hapur”. Ka botuar cikle me poezi në gjuhët greke, bullgare, maqedonase. Ndër vlerësimet që ka marrë poezia e tij, vlen të përmendet Çmimi i Parë në Konkursin e Tretë Ndërkombëtar të Poezisë “Zëra lirikë”, me poetë nga Ballkani të zhvilluar në Sofje të Bullgarisë në 28 maj 2014, ku u përfaqësua me ciklin poetik “Rekuiem”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *