Hapet shkolla e drejtorëve të spitaleve

Pranvera Kola

 

Filloi sot shkolla e drejtorëve, një kurs intensiv menaxhimi spitalor për drejtuesit e spitaleve publike në vend,e cila hapet për herë të parë gjatë këtij viti.

Drejtuesit e të gjitha spitaleve, do të trajnohen për t’u bërë menaxherë më të aftë për mirëadministrimin e burimeve financiare dhe njerëzore, që në thelb kulmojnë te një shërbim më cilësor për qytetarët.

Duke theksuar investimet e rëndësishme që po kryhen këtë vit në sektorin e shëndetësisë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, vlerësoi rëndësinë e menaxhimit të spitaleve si një nga element më kyç për ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për qytetarët. Sipas saj, procesi i decentralizimit të spitaleve do të shoqërohet me llogaridhënie dhe transparencë.

“Cikli i parë i menaxhimit spitalor do të hedhë bazat për menaxhimin e mirë të burimeve financiare. Përpara se të kërkohet rritje fondesh, duhet miradministruar fondi që spitalet kanë në dispozicion. Ndaj shkolla që po hapim sot do vijojë me cikle të tjera – derisa çdo qindarke e parave publike të shkojë te pacienti, në funksion të përmirësimit të shërbimit për qytetarët”, vuri në dukje ministrja Manastirliu.

Më tej, ajo ka sqaruar se edhe për këtë vit do të garantohen barnat bazë në çdo spital, nuk do të ketë stoqe të barnave dhe skadenca të tyre, me lidhjen e marrëveshjes kuadër që lejon administrimin më të mirë të barnave në spitale përgjatë gjithë vitit.

“Shumë shpejt pritet të zhvillohet edhe rankimi (vlerësimi) i spitaleve sipas performancës për të vijuar me procesin e akreditimit të tyre, ku padyshim thellimi i dijeve menaxheriale për drejtuesit do të ndihmojnë në performancën më të mirë të spitaleve dhe akreditimin më të shpejtë të tyre’, shkruan Dita.

 

p.k/dita 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *