Kryetari i Grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha të enjten se mazhoranca është e gatshme të bashkëndajë me PD triumfin e hapjes së negociatave.
Balla tha se në procesin e vendimmarrjes së BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë, “jemi të gjithë në nevojshëm për të mos i prishur punë Shqipërisë”.
“Sjellja e sotme, bojkoti i sotëm i konferencës së kryetarëve, që me shumë gjasa do mund të përkthehet edhe në një largim nga seanca plenare e datës 15 Janar, të paktën nga sjellja që kuptuam sot, nuk i bën mirë PD, nuk i bën mirë opozitës dhe i prish punë Shqipërisë.
Thirrja jonë është që të gjithë duhet të jemi bashkë për të kontribuar dhe ribëj apelin e kryeministrit Rama që ne jemi të gatshëm që triumfin e Shqipërisë me hapjen e negociatave ta bashkëndajmë me opozitën, sepse në fund të fundit nuk është një triumf i mazhorancës, i PS, por i të gjithë shqiptarëve në aspiratën tonë për integrim evropian.”
Balla tha se Kuvendi do të vazhdojë punën, edhe nëse opozita përpiqet ta bllokojë.
“Ta harrojë kushdo qoftë lideri i radhës i PD apo LSI që mund të pengojnë Shqipërinë në ecjen përpara të Reformës në Drejtësi. Sot kemi opozitën e vetme ndoshta në botë të bërë bashkë nga frika e Reformës në Drejtësi.”
