Haris Fakic: Skënderbeu nuk ka gabuar në merkato

redaktor

Fundi i sezonit e sheh Skënderbeun me oshilacione në fushë, një skuadër shumë larg asaj që jemi mësuar të shohim vitet e fundit apo edhe krahasuar me pjesën e parë të edicionit kur në fushë dukej dominuese.

Sigurisht që lodhja është një faktor pasi ndaj Tiranës, kampionët luajtën sfidën numër 52 të edicionit, një numër i lartë jo vetëm për futbollin tonë por madje edhe në arenën europiane.

Për të marë një shembull Real Madrid ka zhvilluar deri më sot 46 ndeshje, çka është një shifër më e ulët krahasuar me ato të luajtura nga Skënderbeu.

Një tjetër faktor janë dhe shitjet e bëra në merkaton e dimrit, ku boshllëku i lënë nga Olainka dhe Berisha ndjehet së tepërmi. Drejtuesit e klubit shpesh herë kanë bërë të ditur se objektivi është suskesi në kampionat por edhe nxjerrja e elementëve të rinj për ti bërë gati më pas për tregun e futbollistëve.

Drejtori Sportiv i korçarëve, Haris Fakic në emisionin “Gol pas Goli” evidenton se ky nuk është një proces i thjeshtë, pasi mbi të gjitha duhet kohë dhe durim.

“Nuk është një proces i thjeshtë të shesësh futbollistë cilësorë dhe të gjesh zëvendësues të të njëjtit nivel. Të rinjtë kanë nevojë për kohë që të ambientohen, por kanë edhe presionin mbi vete, dhe duhen mësuar edhe me këtë fakt. Shembulli më i mirë është James, që kërkon formën e tij më të mirë për të qenë ashtu sic e kemi parë tek Laci.”

Skënderbeu afroi në janar shumë futbollistë të cilët u etiketuan menjëherë si yjet e rinj të kampionëve. Braziliani Renatinho, mesfushori nga Vushtria Valdrin Rashica, paraguaiani Orue, tetovari Valmir Nafiu apo dhe njohjet e vjetra Plaku e Orelesi janë shumë larg pritshmërive.

Drejtori Sportiv i Skënderbeut nuk beson që është gabuar në merkaton e zhvilluar.

“Ne nuk jemi të vetmit që mund të gabojmë në merkato, por gjithsesi nuk e kemi bërë diçka të tillë. Dikush ka formën e mirë për momentin dikush jo. Futbolli është lojë e momentit dhe këtë e tregoi aktivizimi i Sebino Plakut, që ndryshoi lojën ndaj Tiranës.”

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *