Gjatë takimit në Bruksel ditën e sotme mes përfaqësuesve të lartë të kompanive ndërkombëtare si dhe profesor doktorë të universiteteve më prestigjioze në Evropë, Ministra për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, deklaroi se teknologjia e informacionit është një mekanizëm që na ndihmon të punojmë dhe të zhvillohemi.
Harito tha se në Shqipëri janë duke u dixhitalizuar të gjitha shërbimet. “Mjafton t’ju përmend se në Shqipëri jemi duke dixhitalizuar të gjitha shërbimet publike. Aktualisht ofrojmë rreth 1,300 shërbime dhe që të gjitha do të kalojnë në procesin e digjitalizimit duke ndryshuar jo vetëm mënyrën e të punuarit dhe konceptin e shërbimit ndaj qytetarit”, tha ajo në takimin e zhvilluar ku fjalën kryesore e mbajti Kancelarja gjermane Angela Merkel.
Ministrja Harito përmendi faktin se të rinjtë sot kanë aftësi të jashtëzakonshme të përdorimit të teknologjisë dhe se përdorimi i smartphone-s bëhet me lehtësi të lartë dhe sot me zhvillimet teknologjike duhet t’u mësojmë gjeneratës së re, zhvillimin e aftësisë së kërkimit.
Harito deklaroi se në Shqipëri përdorimi i teknologjisë së informacionit është relativisht i lartë dhe në ditët e sotme kur teknologjia ndryshon, profesionet ndryshojnë edhe mënyra e të punuarit ka nevojë të ndryshojë”.
