Milena Harito, sot mban pozicionin e ministres së Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike. Është nga ata njerëz në kabinetin “Rama”, që nuk ka një të kaluar personale në parti, por një të kaluar familjare në pozicionet shtetërore. Stërgjyshi i saj ka qenë ministër në qeverinë e Fan Nolit, i cili, sipas Haritos kish lënë amanet që pasardhësit të mos merreshin me politikë. Praktikisht, ajo ka shkelur amanetin e stërgjyshit, por këtë e ka bërë si mision në shërbim të një kauze të përbashkët. Sot e ftuam në Dita ministren, për një bashkëbisedim për përfshirjen e saj në qeveri, jetën, por mbi të gjithë për çështjet e punësimit në administratën publike.
Zonja Harito si po shkon çështja e punësimeve në administratë?
Punësimet në Administratë Publike janë për momentin të ngrira që prej datës 26 shkurt, që përkon me publikimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe shtrirjen e efekteve të plota të ligjit të ri të Nëpunësit Civil. Në varësi të nevojave të institucioneve që janë pjesë e shërbimit civil, do të shpallen në muajt në vijim konkurset për postet e lira. Konkurse që tash e tutje do të organizohen krejt ndryshe. Nuk do të konkurrohet më për një pozicion të caktuar pune, por për një grup pozicionesh, për shembull për jurist-specialistë dhe në funksion të renditjes së fituesve, janë kandidatët ata që do te përzgjedhin pozicionin e punës. Pra sistemi bazohet shumë më tepër në meritokraci.
Qeveria aktuale ka ardhur në pushtet me një premtim për të hapur 300 mijë vende pune, ju duket sërish i arritshëm një objektiv i tillë?
Ky objektiv, është një objektiv mjaft ambicioz, por ju siguroj që qeveria jonë do të rrisë mirëqenien sociale dhe do të krijoje siguri në punë për qytetarët duke mundësuar hapjen e vendeve të reja pune. Me rritjen e investimeve të huaja dhe vendase, falë edhe kthimit të borxheve të prapambetura që nga viti 2007 dhe injektimit në ekonomi të shumave të konsiderueshme, do të krijohen vende të reja në të gjithë Shqipërinë. Por një nga sfidat e tregut shqiptar të punës është edhe mospërputhshmëria e kërkesës me ofertën. Në këtë fushë ka shumë për të bërë dhe vetëm në muajt e parë janë rreth 4000 mijë vende pune të lira të identifikuara nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit. Ndërkaq po punohet për të përafruar kërkesat e tregut me kapacitetet e punëkërkuesve.
Opozita thotë se janë rreth 5000 punonjës administrate që kanë humbur vendin e punës pas rotacionit të pushtetit, sipas të dhënave që keni ju sa janë larguar realisht nga puna dhe cila ka qenë arsyeja?
Departament i Administratës Publike disponon sot të dhëna të sakta dhe të konfirmuara vetëm për shërbimin civil, që ishte një pjesë e vogël e administratës, rreth 3000 vetë nga rreth 80 000 punonjës që ka administrata. Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, një pjesë më e madhe e punonjësve përfitojnë këtë status, rreth 6 mijë vetëm në administratën qendrore dhe rreth 15 mijë nëse bashkë me institucionet e pavarura dhe pushtetin lokal. Mund t’ju them që numri i të larguarve nga shërbimi civil është tepër i vogël në krahasim me shifrat e nxjerra nga opozita. Në 6 muaj kanë dal në listë pritje 264, 88 kanë dhënë dorëheqje, 5 janë larguar me masë disiplinore. Por ju siguroj që edhe në nivel më të gjerë, nuk janë larguar 5000 punonjës. Numri i tyre është shumë më i ulët, as sa gjysma e kësaj shifre sipas të dhënave që na raportojnë institucionet. Bëhet fjalë për punonjës për të cilët institucionet përkatëse duhet të respektojnë rregullat e kodit të punës.
Pak ditë më parë jeni shprehur në media se nuk do të ketë emërime në administratë deri në korrik, pse ka dal ky vendim dhe nuk mendoni se ngjallë reagime te ata që po presin për një vend pune?
Administrata publike nuk mund të punësoje gjithë punëkërkuesit e vendit pasi vendet e lira janë të pakta në krahasim me vendet e punës që ofron sektori privat. Më pak se 1 në gjashtë të punësuar në Shqipëri janë në sektorin publik. E dyta, vetëm duke filluar nga muaji korrik Departamenti i Administratës Publike do të mund të fillojë organizimin e konkurseve të reja për shkak të detyrimeve që përcakton ligji i ri dhe aktet e tij nënligjore. Për gjithë institucionet e reja që përfitojnë këtë status do të bëhet përcaktimi i qartë i detyrave të çdo punonjësi, dhe verifikimi i plotësimit të kritereve përpara çdo rekrutimi të ri.
Nëse do të zbatohet ky vendim përse zhvillohen takime nga deputetët me elektoratin?
Roli i deputeteve nuk është dhe nuk mund të jetë roli i një drejtori të burimeve njerëzore i cili menaxhon karrierën profesionale të votuesve. Deputetet votohen nga komuniteti me qëllim përmirësimin e kushteve ekonomike-sociale të zonave përkatëse. Takimet që ata zhvillojnë me elektoratin nuk janë takime punësimi, por takime në të cilat shënohen shqetësimet e njerëzve dhe më pas i përcillen komisioneve parlamentare përkatëse dhe institucioneve të ekzekutivit.
Duket sikur jeta e politikanëve shkon vaj dhe shqetësimet e tyre janë të pakta. Ju vetë, çfarë ju shqetëson më shumë këto kohë apo cila është ajo gjë që ju vret sytë kur dilni nga shtëpia?
Pohimi i juaj është pjesërisht i vërtetë. Një pjesë e politikanëve, veçanërisht e atyre të Partisë Demokratike, duket sikur janë tërësisht të shkëputur nga realiteti dhe nga shqetësimet reale të qytetarëve. Mjafton të shikosh kauzat dhe çështjet që ngrenë në Kuvend çdo të enjte për të vërtetuar sa më sipër. Asnjë mësim nuk duket të kenë nxënë nga humbja që pësuan. Madje refuzojnë ta shikojnë në sy këtë humbje dhe akuzojnë qeverinë për gjendjen në të cilën ata vetë kanë lënë vendin. Gjendje që ne po e përmirësojmë gradualisht dita-ditës duke u ofruar qytetarëve siguri në jetën e tyre të përditshme dhe progres shoqërisë në përgjithësi.
Jeta
Politika? “M’u desh të shkelja amanetin e stërgjyshit”
Një vajzë e prehtë në matematik do të zgjidhte të vazhdonte studimet në shkenca ekzakte, në një degë të re të hapur në atë kohë, siç ishte Informatika. Më vonë, Milena e informatikës u martua në vitin 1991 më një djalë fizikant. Sot ata janë prindër të dy fëmijëve, Ana 19 vjeç, studente në shkenca ekzakte dhe Gregori 13 vjeç. Sot, banon në qendër të kryeqytetit, në lagjen ku edhe është zgjedhur deputete. Për të hyrë në rrugën e politikës në Shqipëri, iu desh të hiqte dorë nga jetesa në një qytet si Parisi. Në këtë pjesë të intervistës kemi folur pak më shumë për jetën e ministres Harito, rininë, emigrimin në Paris dhe më pas kthimin në Tiranë.
Zonja Milena, të jesh ministre, çfarë do të thotë për një femër, aq me tepër, ministre e administratës?
Të jesh në detyrën e ministrit është për këdo përgjegjësi, sfidë, peshë si edhe mundësi për të sjellë progres, për t’u krijuar qytetarëve më shumë siguri. Administrata jonë publike është parë për një kohë të gjatë në të kaluarën si një “trofe”e partisë në pushtet për të punësuar njerëz të caktuar jo detyrimisht për merita profesionale. Ndërkohë, si qytetarë, të gjithë dëshirojmë që administrata të na shërbejë, të na ofrojë shërbime të mira e të shpejta, të na krijojë siguri në jetën tonë të përditshme. Gjithashtu administrata publike është ajo që do të ketë barrën kryesore gjatë negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Arritja e këtyre dy rezultateve në dukje të thjeshtë: shërbimi ndaj qytetarëve dhe negociatat me Bashkimin Europian janë një sfidë e madhe për administratën publike shqiptare.
Duhet të ketë ndryshuar ritmi juaj, dita, angazhimet. U mësuat lehtë?
Për sa e mbaj mend veten gjithnjë kam punuar shumë. Madje prindërit kujtojnë që sapo fillonin pushimet e verës, filloja e mërzitesha, ndaj i hapja vetes punë të ndryshme. Në këtë kuptim nuk ka ndryshuar gjë. Ndërsa në kuptimin e peshës së përgjegjësive, dhe vështirësisë së vendimeve që duhen marrë pa dyshim që është ndryshim i madh.
E latë me dhimbje Parisin, apo ideja dhe dëshira për t’u rikthyer në Tiranë ishte më e fortë?
Çdo ndarje është e dhimbshme ashtu si çdo sfidë e re përballohet vetëm më dëshirën dhe vullnetin për t’ia dalë në krye.
Dimë që familja juaj ka qenë pjesë e politikës, ndërsa ju, deri papara se të ktheheshit nuk ishit bërë pjesë e saj. Pse kishit nguruar? Çfarë iu shtyu tani që të jepnit kontributin tuaj në politikë?
Unë e shikoj pjesëmarrjen në politikë si mision në shërbim të një kauze të përbashkët. Për të dhënë kontribut duhet të kesh së pari eksperiencën e duhur që të kesh ç’të japësh. Njëkohësisht duke qenë jeta politike shumë e ekspozuar dhe shumë angazhuese, unë vetë u ndjeva e gatshme të jepja diçka nga vetja, vetëm pasi isha në paqe për çka kisha dëshirë të ndërtoja në jetë, në kuptimin e familjes dhe të karrierës. Sa për paraardhësit, një stërgjysh ministër në qeverinë e Fan Nolit, kish lënë amanet që pasardhësit të mos merreshin me politikë. Kështu që m’u desh të shkelja amanetin e stërgjyshit.
Ju jeni bashkëshorte, jeni prind, a e pritën mirë familjarët tuaj këtë kalim dhe çfarë thonë tani kur shohin angazhimin tuaj real?
Im shoq dhe fëmijët e respektuan deri në fund dëshirën time duke më mbështetur pa kushte dhe për këtë ju jam shumë mirënjohëse. Pa këtë mbështetje angazhimi im nuk do të kishte qenë i mundur. Prindërit gjithashtu e respektuan vendimin tim, ndonëse duke ndjekur nga afër politikën në Shqipëri nuk është se kishin ndonjë entuziazëm të madh për këtë angazhim.
Jeni njeri që planifikoni? Ia lini disa gjëra rastësisë?
Planifikoj shumë dhe nuk para më pëlqen t’i lë gjera rastësisë. Aq më tepër tani që ditët janë tejet të ngarkuara dhe besoj kështu do të jetë vazhdimisht. Po nuk planifikove koha ikën shumë shpejt dhe gjërat nuk realizohen.
Zonja Milena, si ka qenë rinia juaj?
Shumë e angazhuar në shkollë dhe me shumë shoqëri. Por edhe me mbylljen që na impononte diktatura, në jetën sociale, në të kuptuarit e disa gjerave. Konsideroj që kam patur shumë fat që jam rritur në një familje jo vetëm të shkolluar, por edhe shumë mendje hapur e tolerante. Dhe mendoj që ky fat më ngarkon me njëfarë detyrimi për të ndikuar aq sa të mundem që shoqëria të ecë drejt hapjes.
Çfarë kujtoni nga jeta studentore dhe pse zgjodhët atë degë studimi?
Të dy prindërit e mi, edhe një nga gjyshërit, janë mjekë. Unë siç ndodh shpesh në traditën familjare dëshiroja të ndiqja studimet për mjekësi, gjë që atëherë ishte shumë e vështirë. Ndaj kam punuar shumë gjatë shkollës së mesme derisa dola me medalje. Ndërkaq kur mbarova gjimnazin u hap për herë të parë dega e informatikës në Shqipëri, me një seleksion tepër të fortë në hyrje. Ishte gjë e re dhe si gjithnjë gjatë jetës time, më tërhoqi sfida. Por edhe sepse kisha aftësi më të spikatura në atë kohë në matematikë dhe në shkencat ekzakte.
Cila është familja juaj, kur e keni krijuar?
Jam martuar ne vitin 1991, im shoq është fizikant dhe punon në modelet financiare të investimeve bankare në Paris. Kam dy fëmijë, Ana 19 vjeç, studente në shkenca ekzakte dhe Gregori 13 vjeç.
Cili ka qenë momenti më i vështirë në jetën tuaj dhe si e keni kaluar atë?
Largimi nga Shqipëria ka qenë padyshim një moment shumë i vështirë, shkëputja nga familja nga shoqëria dhe përshtatja me një shoqëri tjetër, me të tjera rregulla, të tjerë kode, të tjera histori. Ndonëse nuk pata shumë nga problemet praktike të mbijetesës që kanë përjetuar shumë të tjerë, përshtatja duke ardhur nga një vend aq i izoluar ishte një përpjekje e madhe që mobilizonte shumë energji. Distanca nga njerëzit e dashur ishte në atë kohë një vuajtje serioze.
Cili është mjedisi ku jetoni ju, lagja, kontaktet me banorët e tjerë nëse keni?
Unë banoj në qendër të Tiranës, aty ku kam banuar që kur kam lindur. Në zonën ku edhe u zgjodha si deputete. Është një lidhje emocionale e fortë ashtu siç e ka çdo njeri me vendin ku ka lindur. Banorët e lagjes i njoh e më njohin të gjithë, ndonëse tani dal herët dhe kthehem natën vonë kështuqë takimet reduktohen kryesisht në ndonjë moment në fundjavë.
Përveç profesionit, cili është një pasion i juaji në jetë?
Kam patur dhe kam një pasion të madh, leximin. Mendoj se po të kisha mjaftueshëm libra do të mund të jetoja edhe në një ishull, vetëm, si Robinson Kruzoi.


Inovacion, adminsitrate, publike – te tera fjale jo shqipe.
Znj Ministre sipas procedures normale ministria pergadit aktet nenligjore dhe i miraton Keshilli i Ministrave . Meqe ju keni mbaruar per informatike dhe jeni specialiste ne kete fushe ne ligjin e ri per testet e sherbimit civil nuk pas kund konkurime me kompjuter online ose te korigjuara nepermjet skanerit. Eshte normale? Si do i beni konkurset prape me komisionere dallkauke politikanesh. A mos administrates do i nderroni vetem ngjyren e jo profesionalizmin e performancen ne sherbim te qytetarit.