Një kompani holandeze po përpiqet të krijojë një hartë me të gjitha betejat në historinë njerëzore, duke përdorur Wikipedia-n. Por çfarë do të thotë kjo për ne?
Duket se Europa dhe SHBA-ja janë territoret ku është derdhur më shumë gjak anembanë botës. Por detajet, tregohen në një hartë të sapopublikuar të të gjitha konflikteve në historinë njerëzore, të pambështetur në librat akademikë, por në informacionin e gatshëm dhe të redaktueshëm në Wikipedia.
Projekti danez i të dhënave Nodegoat po përdor një algoritëm për të mbledhur së bashku detajet, duke marrë informacion nga DBPedia, që i mbledh ato prej Wikipedia-s dhe nga baza e të dhënave Wikidata.
Sipas hartës së Gjeografisë së Dhunës prej Nodegoat-it, konflikti i parë ushtarak i regjistruar në histori ishte Beteja Zhuolu, në Kinën Lindore, në vitin 2500 përpara erës sonë.
Pastaj, thuhet në të, asnjë betejë nuk u regjistrua për më shumë se 1000 vjet deri në Betejën e Megidos, në mesin e shekullit 15 para erës sonë, mes forcave cananite dhe egjiptiane.
Beteja më veriore e planetit është Operacioni Gauntlet, që ndodhi rreth 970 kilometra nga Poli i Veriut, në ishullin norvegjez Spitsbergen gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Megjithatë ka disa gabime të dukshme në algoritmin e krijuar. Lufta më e fundit në tokën britanike, sipas hartës, ndodhi në vitin 2008. Kjo ndodhi kur pati një kryengritje në Mançester në ndeshjen mes dy skuadrave të futbollit në finalet e Kupës UEFA.
Disa artikuj të shtypit e quajtën atë “Beteja e Pikadillit”, një nga nënshkrimet e një artikulli në Wikipedia për këtë. Kjo duket se ka mjaftuar ta lidhë algoritmin e Nodegoat-in me të, duke e përfshirë në hartë.
Konflikti më jugor ishte më pak i mundshëm për t’u konsideruar përplasje forcash, krahasuar me shpërthimin e trazirave në Mançester. Operacioni Shua Polar ishte, në fakt, një udhëtim eksplorues i organizuar nga Kili në vitin 1990.
Kushdo që e sheh hartën do të vërejë një grup betejash të regjistruara në veri të Francës dhe në Vendet e Ulëta.
“Këto grupime luftërash dhe ato në SHBA janë marrë, pjesërisht nga baza e të dhënave të Wikipedia-s dhe nga interesat e përdoruesve”, thotë për BBC-në, Geert Kessels, bashkëthemelues i Lab 1100, kompania me bazë në Hagë pas Nodegoat.
“Ajo që harta tregon mund të ketë një vlerë edukuese”, shton ai. “Një mësues mund t’ia tregojë studentëve me foto atë që ne mendojmë dhe dimë për betejat dhe do të inkurajojë Wikipedia-n të ndihmojë në krijimin e një regjistri më autoritar dhe më bashkëkohor”, thotë themeluesi.
Nodegoat-i gjeti 12,703 beteja të cilat kanë datë dhe vendndodhje. “Cilësia dhe renditja e informacionit të përzgjedhur nga algoritmi mund të varen nga strukturat e artikujve online”, – thotë Pim Van Bree, bashkëthemelues i Lab 1100.
Historiania Ellen Leslie është skeptike rreth projektit, pasi Wikipedia është një burim jo shumë i besueshëm. “Mund të redaktohet nga kushdo. E kuptoj që krijimi i një harte me të gjitha betejat në histori është një projekt gjigant, por do të ishte më mirë nëse kontaktoheshin historianët dhe ekspertët për të mbledhur këtë lloj informacioni në mënyrë të besueshme”.
Leslie shton se harta, në kuptimin e gjerë të hedhjes dritë ndaj konflikteve, ngjall interes, por ajo shton se është e vështirë të përcaktohet se çfarë e përkufizon një betejë në radhë të parë.
Betejat në hartë janë të koduara sipas ngjyrës, për të treguar periudhën gjatë së cilës ndodhën.
Projekti tregon “potencialin për përdorimin e të dhënave online”, thotë Matt Brosnan, një historian nga Muzeu Imperial i Luftës në Londër. Sipas tij, për shkak të burimit është thuajse e pamundur që diçka e tillë të jetë përfundimtare dhe e sigurt nga ana historike”, shton ai. Megjithatë, projekti tregon sesi mund t’i jepet formë sasive të mëdha të të dhënave nga aspekti gjeografik dhe vizual për t’i bërë ato interesante për publikun.
Nodegoat thotë se do ta vazhdojë zhvillimin e algoritmit, me një version të përditësuar të hartës që do të jetë i disponueshëm brenda disa javëve. Rishikime të mëtejshme planifikohen çdo vit për të llogaritur ndryshmet e informacionit të disponueshëm online.
“Ka interes të madh për këtë projekt nga Ballkani”, thotë Kessels. “Atje ndodhën disa prej betejave më të fundit në Europë”.
Harta do të vazhdojë të ndryshojë derisa të kemi gjithnjë e më shumë informacion për atë që ndodhi në histori. Për fat të keq, në shumë pjesë të botës, harta duhet të përditësohet sepse ka luftëra që vazhdojnë dhe beteja të reja që ndodhin çdo ditë./Shqip
