Për dekorin e rrugëve të Tiranës këto ditë në prag të përvjetorit të Pavarësisë nuk ka mbetur gjë për t’u thënë: i shëmtuar, i rënduar, i tepruar, arrogant, katundar, banal… Është një dekor që më tepër mbulon sesa nxjerr në pah, ekzagjerim eksponencial i kuqezisë në përmasa oqeanike, që nuk frymëzon por të zë frymën me boshllëkun e vet.
Megjithatë, ka edhe më keq – kur varfëria intelektuale dhe shpirtërore shërben si platformë për një lloj kombëtarizmi kitsch, në të cilin përzihen pasionet e stadiumit të futbollit, me imagjinatën e fëmijëve të çerdhes.
Këtë e vura re kur po kaloja, para dy ditësh, tek Ura e Lanës, në rrugën “Sami Frashëri”, mes një pylli flamujsh të njëllojshëm, si të arratisur nga posteri i një filmi distopik a i një dokumentari për totalitarizmin. Tek trotuari në krahun lindor të urës ishin ekspozuar dy zemra plastike të kuqe, secila rreth dy metra e lartë, me harta të deformuara të Shqipërisë.
Nuk duhet të jesh ekspert i vizionit kombëtarist shqiptar, për të parë në këto harta projektimin në mos sanksionimin zyrtar të dëshirës së disave prej nesh për t’i parë tokat shqiptare të bashkuara – meqë harta majtas duket se tregon një Shqipëri në të cilën përfshihen edhe trojet shqipfolëse të ish-Jugosllavisë, ndërsa ajo djathtas Çamërinë.
Vetë dëshira, në vetvete, është legjitime; edhe pse nuk ka ndonjë logjikë që 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë të kremtohet edhe me harta të një Shqipërie që nuk është, por që kushedi duhej të ishte. Nëse këto harta do ta përmbushnin misionin e tyre simbolik, atëherë festa e ardhshme do të shndërrohej në një arsye për vajtim, në mos rivendikim.
Natyrisht, të gjithë kombëtarizmat në Ballkan kanë harta të tilla, të cilat nuk u përgjigjen aq kufijve gjeografikë, sesa megalomanive përkatëse; meqë nuk ka kombëtarizëm pa një hartë që t’i referohet apoteozës së kombit të referuar. Sikur të bëheshin një ditë realitet dëshirat e ngrira në harta të tilla, Ballkanit nuk do t’i mjaftonte as krejt Europa.
Nga ana tjetër, një hartë e rivizatuar gjithnjë bie era barut; dhe përnjëmend ka të tillë mes nesh, që nuk e përjashtojnë një luftë të nesërme, për të “marrë” Çamërinë, ose ndonjë territor tjetër të shkëputur me dhunë nga gjeografia e shqiptarisë. Këta të fundit janë viktimat e skajshme të një propagande sa të thjeshtë, aq edhe të efektshme, e cila synon të sigurojë vota duke e tretur politikën në ujërat e gjeografisë.
Nëse ndonjëri prej fqinjëve do t’i merrte seriozisht këto vringëllima kartografike, do të kishim dëgjuar për ndonjë protestë diku, një tërheqje ambasadori, një letër të ndonjë ministri ndaj homologut të vet në Tiranë. Që asgjë nuk ka ndodhur, kjo e shndërron rivizatimin tonë të hartave në një ushtrim patetik dhe mjeran; një psherëtimë të vonuar, e cila nuk i lë mbresa askujt; një buri autobuzi tifozësh, skuadra e të cilëve ka mbetur, prej nuk dihet sa sezonësh, në kategorinë e tretë.
Qytetarët e Tiranës meritonin të gostiteshin, këtë prag feste, me diçka më tepër se këto harta në urën që kalon sipër një kanali ujërash të zeza. Njëqind vjet nuk janë shumë, por nuk janë as edhe pak për një shtet, që e ka për detyrë t’u japë dinjitet shtetasve të vet; por që po sillet si të ishte ndonjë bejlurçinë çfarëdo, që kërkon t’u fitojë zemrat fshatarëve të vet, duke u blatuar zilka, flamurka dhe mish qingji të pjekur.