Moikom Zeqo
Lexova studimin e autores Luljeta DANO për simbolet ornamentike të kostumit me xhubletë, si një tipologji tepër e hershme e trashëgimnisë kostumologjike evropiane.
Studimi është bërë me një optikë krahasimtare dhe një shtrat erudit ku gërshetohen pikëpamjet mitologjike dhe historike, studim zanafillor i simboleve, përqëndrim te një thesar mbijetues i kostumologjisë shqiptare, sidomos te veshja e grave në kostumin me xhubletën e zezë të Veriut të Shqipërisë dhe dy tipet e xhokeve të bardha të Mirditës, duke bërë të mundur, qoftë në mënyrë racionale, qoftë në mënyrë hipotetike, ndërlidhjen e fakteve të shkëputura në kohë dhe hapësirë, duke tërhequr vëmendjen e duke ngjallur kërshëri të mëdha për subjektin në fjalë.
Që kur Artur EVANS zbuloi disa terrakota të hyjneshave me gjarpërinj në duar, me gjinj të zbuluar, me një kostum të gjatë me motive dekorative të ngjashëm me xhubletën shqiptare, bota shkencore bëri përqasje ku tregoi se kostumet kreto – mikenase mbijetojnë në Europë vetëm te xhubleta shqiptare.
Sidomos këtë tezë e konsolidoi Ferenc NOPÇA.
Një mori etnografësh e kostumologësh janë marrë me studimin e xhubletës shqiptare, por jo në orientimin arkeologjik të origjinës.
Hyjneshat në terrakotat kreto – mikenase, lidhen me kultin e amësisë, pra, me seksualitetin, si element të perëndeshës Afërditë, kurse gjarpërinjtë që mbajnë në duar këto hyjnesha lidhen me elementë ndëshkues ose dhe mbrojtës të kultit të perëndeshës Athina, me kultin e Gorgonave që shndërrojnë në gur çdo gjë që shohin, nga ku buron edhe elementi i gjarprit në Egidën e Athinasë. Perëndesha Athina, gjithashtu, në statujat e epokës klasike mban si emblemë në gjoks kokën e Gorgonës Meduzë. Gjarpëri i mburojës quhet i Erektit.
Në disa zbulime arkeologjike në Shqipëri, janë gjetur objekte me subjekte mitologjike.
Në një pllakë terrakote, zbuluar në Durrës e shek.VI para Kr. jepet skena e Gjyqit të Paridit, ku djaloshi i jep mollën e bukurisë Afërditës.
Po e shek. VI para Kr. gjetur në Apoloni, i takon një terrakotë e perëndeshës Artemis, në fytyrë ka tipare mashkullore, një rafigurim me ngjyrë të zezë ç’ka mund ta lidhim me kultin e Black Athena të Afrikës së Veriut, (teoria nga Martin BERNAL), që ka ngjallur aq debate të fuqishme në rrethet akademike, por që mbart në vetvete arsyetime të sakta arkeologjike.
Nëpër shumë terrakota Artemisa jepet me një veshje të gjatë, me kinda që hapen teposhtë afërsisht si xhubleta.
Në një terrakotë të Artemisës, (quajtur në një version tepër të vjetër të emrit të saj Nëna e Bishave), zbuluar në Durrës, e shek. III para Kr. ajo jepet me një kostum gjer në fund të këmbëve dhe ka në gjoks një simbol dekorativ në formë X.
Personat që e mbajnë këtë shenjë kanë pozitë të rëndësishme në mjedisin e tyre, me funksion liturgjik.
Për mendimin tim i ka shpëtuar vëmendjes së studiuesve në disa monumente arkeologjike gjetur në Shqipëri forma e frizurës së flokëve, krejtësisht e çuditshme dhe e veçantë që kanë gratë veriore që përdorin xhubletë, si dhe gratë e zonës së Zadrimës.
Pavarësisht vakuumeve që ka për arsye të ndryshme në dokumentimin e veshjeve, nga kohërat e mundshme gjer disa shekuj të shkuar, siç i ka bota, fusha e pasur arkeologjike e trevave të sotme shqiptare na ofron zbulimin e sekreteve, përmes metodës krahasimtare me lëndën etnografike të shekullit të kaluar në Shqipëri o diçka më tepër.
Shumë terrakota hyjneshash gjetur në Durrës që i përkasin shekujve V – III para Kr. dallohen për modelin e flokëve në ngjashmëri të plotë me atë që përdoret ende sot në Veri të Shqipërisë dhe në Zadrimë, dy modelime këto të ndryshme flokësh.
Por ju lutem, bëni edhe një krahesim të frizurës së flokëve të grave në afreskat e pallatit të Knosit, dhe të atyre në terrakotat që zbuloi Artur EVANS.
Ngjashmëria është tronditëse, por e pazakonshmja është që kjo frizurë e kompozimit të flokëve në disa arketipe është akoma e gjallë dhe në veshjen e traditës reduktuar aq fort, duke u përdorur vetëm për të kremtet te gratë arbëreshe të Italisë së Jugut dhe Siqilisë, që kanë emigruar atje masivisht nga Shqipëria pas vdekjes së Skënderbeut.
Ndikimi nga jugu i Greqisë, madje edhe nga Egjypti, është real, ndaj dua të theksoj, se në një këmbë froni prej guri gëlqeror që i takon shek. VII para Kr. gjendur në qytetin e Durrësit, të cilin unë e kam klasifikuar si një monument të stilit dedalik, janë dy figura të Apolonit dhe Artemisit, me frizurën e flokëve në formën e parukes egjyptiane. Kjo paraqitje ikonografike paragreke tregon modulet e ndikimit të artit egjyptian në figurat mitologjike që më vonë u klasifikuan dhe u arketipuan si të mitologjisë klasike greke.
Kjo përforcon tezën e EVANSIT si dhe të BERNALIT.
Simbolet për të cilat u fol në studimin nga Luljeta. Danos mbi figurën e Athinasë dhe simbole të tjera kultike në kostumologjinë shqiptare, janë prova që ndikimet e kulturës kreto – mikenase kanë depërtuar gjer në Shqipërinë e Veriut, të paktën në kostumologji, të paktën shumë përpara shek VIII para Kr. kur invazioni dorik e shkatërroi dhe e barbarizoi kulturën e ndritur kreto – mikenase, të quajtur ndryshe edhe minoike.
Nëse autorja e studimit sheh pikëlidhjen e ornamentikës së këtyre kostumeve popullore që koleksionon me simbole pagane që lidhen me kulte të tjera hyjneshash femërore, mendoj se është në rrugë të drejtë.
Duke parë me vëmendje koleksionin e pasur të xhubletave që ka grumbulluar me një përkushtim të skajshëm Luljeta, mund të them se ornamentika përfaqëson katër tipe:
Tipi I: lidhet me vijat e valëzuara, njëlloj meandre që tregon fuqinë kultike të Ujërave të ëmbla dhe detare.
Tipi II: është floreal dhe ka të bëjë me kultin e Pemës së Jetës, që burimësojnë kultin e Tokës.
Tipi III: lidhet përgjithësisht me figurat e shpendëve, dragonjve dhe insekteve të shenjta që tregojnë plotfuqishmërinë kultike të Ajrit dhe Qiellit.
Tipi IV: përbën ornamentikën solare, kulti i Diellit, Yjve dhe Zjarrit Kozmik.
Kështu harta mendore e xhubletës është në mënyrë sinkretike, një strukturë e qartë e kozmogonisë në katër elementët primordialë.
Një kozmogoni e tillë e ornamentikës simbolike është në shumë objekte arkeologjike të zbuluara në Shqipëri, sidomos në dy parzmore (gjoksore) ilire prej bronxi të shek. VI para Kr. të gjetura në një tumë të Urakës dhe një tjetër në një tumë të Matit, si dhe studiuar e botuar nga prof. Selim ISLAMI, i cili shikon në sistemin e tyre të motiveve gjeometrike një numër simbolesh diellore, të yjve, “të shpendëve në fluturim”, në trajta sigmoidale, ku duket “gati sinteza e artit gjeometrik ilir, paraqitur me një sintaksë e frymë, thjesht ilire”.
Në këto parzmore sistemi dekorativ paraqet ndoshta një lloj kozmogonie ilire, edhe si koncept mitologjik, për të paraqitur Tokën dhe Qiellin, Diellin dhe Ujët, trupat qiellorë të vendosur në qendër të fushës së parzmoreve.
Më saktë dhe në mënyrë më universale, ornamentikën kozmogonike ilire e ka deshifruar dhe përcjellë miku im, Aleksandër STIPÇEVIÇ, ilirologu më i madh i ditëve tona.
Xhubleta ngërthen disa veprimtari substanciale: Konceptimin dhe përpunimin e tekstilit, mjeshtëritë e ndërlikuara që lidhen me argjendarinë në sistemin e stolive, pjesë e rëndësishme e kostumit me xhubletë, qëndisjen me fije metalike të arit dhe argjendit, të rruazave me ngjyra të llojllojshme, si dhe substancat ngjyruese që përbëjnë një kulturë tejet të veçantë; përdorimi i ngjyrave minerale, kryesisht nga oksidet, i ngjyrave bimore, madje dhe nga gjaku i kafshëve, ku gërshetohet njohja kimike për të siguruar rezistencën e ngjyrave dhe moszbehjen e tyre në kohëra.
Dalim këtu te një çështje e dyfishtë, pak e parë nga shkenca, e studimit grafik të ornamentikës, si dhe e studimit simbologjik të ngjyrave të preferuara, ose dhe të kultivuara nga gjenerimi i veshjes në kohëra.
Në këtë ndërthurje të ngjyrave ka një sintaksë të veçantë, një parapëlqim dhe një kuptimshmëri të hershme.
Kështu xhubleta është një pikturë lëvizëse e llojit antropomorf.
Mund të studiojmë diçka që nuk ka humbur, në njëfarë mënyre një lloj traktati të pashkruar estetik të kombinimit të figurave dhe ngjyrave, si një koncept mendor që nga zanafilla gjer në ditët tona.
Xhubleta ka gërshetuar disa kulte të padiferencuara.
Studimi nga Lutjeta Danos, hap një rrugë tejet interesante dhe është argumentuar e ilustruar nga një material i pasur simbolesh reale.
Kjo veshje e veçantë, pasuri e kulturës popullore shqiptare, është në njëfarë mënyre hartë mendore e trashëgimnive të lashta mitike.
Botimi i këtij studimi plotëson diçka të rëndësishme, që për shumë arsye është konsideruar një njollë e bardhë.
Ja pra, si konceptohen kohërat dhe mendësitë mitologjike të ilirëve dhe shqiptarëve te xhubleta që mund të metaforizohet, si Kyçi i Davidit, i cili mbyll dhe hap trashëgimnitë e mëdha.
Bibla thotë: Atë që e kyç Kyçi i Davidit, nuk mund ta hapë askush dhe atë që çkyç Kyçi i Davidit nuk mund ta mbyllë askush.
Ja pra, si mund të shpjegohet guximi intelektual i njeriut të talentuar, me intuitë të rrallë dhe kureshtje përvëluese, Luljeta Dano.
Luljetën e njoh prej vitesh dhe e çmoj si një nga poetet më të talentuara, prozatore e imagjinatës dhe me origjinalitet plot ndjeshmëri.
\
Jam i bindur se instikti poetik e ka frymëzuar atë për hulumtime të pafrikshme.
Kjo është hullia e vërtetë e intelektit ku nuk dyzohet arti dhe shkenca, por plotësojnë njeri – tjetrin.