Përzgjidhen specialistët që do të ngujohen gjatë fundjavës në ambientet e Agjencisë Kombëtare të Provimeve për të hartuar tezat finale për provimin e parë të Maturës. Sikundër ka ndodhur edhe gjatë maturave të shkuara, hartuesit e testeve për rreth një javë do të qëndrojnë të mbyllur në ambientet e kësaj agjencie, duke përzgjedhur 25 pyetjet finale për testin final të provimit të parë të detyruar të maturës 2013 që do të zhvillohet më 31 Maj në lëndën e Gjuhës shqipe dhe Letërsisë.
Aktualisht strukturat arsimore kanë nisur edhe marrjen e masave për krijimin e kushteve të sigurisë, ku çdo sallë do të survejohet nga kamerat për aq kohë sa ata do të qëndrojnë të izoluar në këto ambiente. Kjo me qëllim parandalimin e rrjedhjes së informacionit mbi përmbajtjen e testit. Po ashtu, në fundjavë kjo qendër do të vendoset edhe nën vëzhgimin e forcave të policisë, si një tjetër masë sigurie. Drejtuesit e AKP-së, konfirmojnë se asnjë prej specialistëve të gjuhësisë dhe letërsisë nuk do të lejohet të mbajë celular në ambientet brenda qendrës gjatë kohës së hartimit të tezave të provimit. Dalja e tyre nga këto ambiente do të lejohet vetëm pasi të ketë nisur zhvillimi i provimit në datën e përcaktuar.
Në total për provimin e parë të detyruar do të hartohen disa profile tezash, të cilat do të klasifikohen sipas profileve të shkollave të mesme që maturanti ka kryer. Sipas udhëzimit të posaçëm, provimet e detyruara dhe me zgjedhje do të fillojnë në orën 10:00, ku testi për secilin nga provimet e detyruara do të përmbajë 25 pyetje; 13 kërkesa janë me përgjigje alternative, që përbëjnë 13 pikë dhe 12 kërkesa janë me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë. Testi për secilin nga provimet me zgjedhje do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje janë me përgjigje alternative dhe vlerësohen me 10 pikë, dhe 10 pyetje janë me zhvillim, të cilat vlerësohen me 30 pikë. Kurse për maturantët që do të japin provim të maturës njërën nga lëndët me zgjedhje, koha është 2 orë. Këta maturantë do ta fillojnë provimin në orën 11.00 dhe do ta zhvillojnë atë në mjedise të veçanta.
