Haxhi Shala, qeveria e Kosovës dhe numri magjik 61

Ornela

Nga Bedri Islami

Haxhi Shala është deputet i Kosovës. Njëri ndër figurat e njohura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i njohur më shumë me emrin “komandant Topi”. Njeri i afërt i Fatmir Limajt, por edhe me lidhje të kahershme me Hashim Thaçin, me të cilin, në marsin e vitit 1998, do të kthehej në Kosovë për të qenë pjesë e strukturave drejtuese të luftës. Njeri i qetë nga natyra, përgjithësisht i përmbajtur, gjithnjë figurë e njohjes së dytë, ai ju bashkua lëvizjes politike “Nisma” të drejtuar nga Limaj, një strukturë politike e dalë nga Partia Demokratike e Kosovës, për shumë arsye, të cilat nuk bëjnë vend në këtë shënim.

Për shumëkënd, Haxhi Shala ishte një figurë e heshtur, kur befas, pas një refuzimi për të votuar qeverinë Hoti dhe kur gjithçka sillej rreth numrit magjik 61, aq vota sa duheshin për të kaluar një qeveri në Kuvendin me 120 anëtarë, ai u bë njeriu, përmes të cilit qeveria e tashmë kaloi “Rubikonin” dhe nisi nga puna.

Po të kishte qëndruar Haxhi Shala në fjalët e para se nuk do e votoj, apo s’i shkoj më tej, “nuk e di a do e votoj”, shumë gjëra mund të rridhnin ndryshe, ishte e mundur që Kosova të niste një fillesë tjetër, por ai, si bëri vetë të njohur, ia mbushi mendjen vetes se qeveria duhej votuar, pasi më parë ia kishin mbushur mendjen atij dy ish-kryeministra, Haradinaj e Thaçi dhe ky i fundit edhe si president.

Një natë para votimit të qeverisë, dy miqtë e tij të vjetër, me njërin nga të cilët kishte lidhje më të shumta, Haradinaj dhe tjetri që kishte qenë dikur disa herë shefi i tij, në luftë e në paqe, trokitën tek shtëpia e tij dhe i kërkuan “besën”, të cilën ai ua dha dhe të nesërmen bëri të njohur pse ua kishte dhënë.

Haxhi Shala u quajt numri magjik i qeverisë, megjithëse jam i bindur se, në mos komandanti i dikurshëm, një tjetër do të gjendej të ishte numri magjik, duke e ditur fare mirë se as Haradinaj dhe sidomos Thaçi, nuk i lënë asgjë rastësisë.

Si kam shkruar dikur, Thaçi është politikani i Kosovës që, qysh më 1 janar në mëngjes e di se ku do të jetë dhe çfarë do të bëjë me 31 dhjetor.

Haxhi Shala ua hoqi këtë merak, për të gjetur një tjetër votues magjik, aq më tepër kur telashet për votimin e qeverisë kishin nisur që në brumin e vetë LDK-së, kur disa nga deputetët e saj, mes tyre edhe kryetarja e Kuvendit, kishin dalë kundër vendimit partiak dhe kishin vendosur të mos e votojnë qeverinë e partisë së tyre.

E gjithë media u suall rreth Haxhi Shalës, si e bëri këtë akt magjik, si shkuan dy figura të njohura e trokitën tek ai, si u bë Thaçi pjesë e ndërtimit të një qeverie kundërshtare të armikut të tij politik, Kurti – sepse Kurti e Thaçi nuk janë më kundërshtarë, ata kanë shkuar shumë përtej kësaj dhe kjo mund të ndodhë gjithnjë kur shefi i pa ardhur ende në qeveri e gjen armikun tek presidenti i vendit të tij dhe kur ky i fundit, i rrahur në politikë tash 20 e ca vite, gjeti thembrën e zbuluar të kryeministrit, të cilën në fakt Kurti e zbuloi qëllimisht dhe, përmes një njeriu që vetë Kurti e kishte thirrur në kor , “Isë, isë, argati i Serbisë”, i hoqi të drejtën e qeverisjes.

Haxhi Shala ishte njeriu i momentit. Deputeti i “Nisma”, që ka nisur edhe kundërshtimet me Limajt, askush nuk e di shkakun e vërtetë, doli nga gjysëm anonimiteti ku kishte rënë kohët e fundit dhe doli në dritë, por në një dritë jo të denjë për të.

Duke u marrë me Haxhi Shalën, media harroi një gjë tejet më serioze dhe që mund të jetë paranisja e një të nesërme ndryshe të politikës.

Çfarë është ajo?

Hashim Thaçi, kundër zakonit të tij, zakonisht ai i thërret njerëzit të shkojnë tek ai dhe nuk shkon tek të tjerët, bëri një lëvizje të pazakontë, ndoshta edhe të rekomanduar nga jashtë Kosovës dhe shkoi ku nuk e kishte menduar – tek Shala.

Shala është deputet i “Nisma”, parti që si thashë, ka nisjen e saj nga PDK-ja, që nga shefi i saj Limaj, dikur nënkryetar i PDK-së. Jakup Krasniqi – sekretar i përgjithshëm i PD-së dhe tek Bilal Sherifi, njeriu më me mend në atë parti dhe dikur krahu i djathtë i Thaçit.

Askush nuk pyeti: përse tek Shala dhe jo tek të besuarit e tij, mbështetësit e tij të njohur, besnikë dhe loajalë deri në fund, të cilët gjenden në rradhët e partisë që ai vetë drejtoi, tek PDK-ja?

Çfarë e detyroi Thaçin të mos shkonte tek njerëzit e tij, por në një portë të huaj?

Është e njohur se duke e drejtuar PDK-në për shumë vite dhe duke e bërë atë forcë qeverisëse thuaj në 20 vite, që nga qeveria e parë, ku dërgoi të ndjerin Bajram Rexhepi si kryeministër, me kushtin e vënë nga LDK-ja që të votonte Rugovën si president dhe deri në fund, ai gjeti rrugët për të qenë i pranishëm si forcë politike dhe ai vetë si drejtues aktiv. Askush më shumë se sa ai nuk ka qenë i pranishëm në qeverisje.

Tani nuk shkoi tek njerëzit e tij.

A tregon kjo se mes tij dhe mikut të tij më të mirë dhe më të afërt, Kadri Veselit, në fakt mitrovicasit që e bëri Thaçin njeriun e lëvizjes klandestine dhe e mbështeti kurdoherë, tani ka nisur detanta dhe po ftohen të dhënat e dikurshme?

PDK-ja kishte deklaruar se nuk do e votojmë qeverinë Hoti dhe nuk e votoi, por kjo nuk do e kishte penguar Thaçin të gjente dy a më shumë mbështetës të hershëm të tij, të drejtëpërdrejtë ose djem të miqve të tij, që të prishnin rregullin. Ai mund ta bënte këtë, dhe mund të kishte gjetur më shumë se sa dy vetë. Kur e ka dashur puna, ai ka gjetur mbështetës edhe tek kundërshtarët e tij, si ndodhi kur erdhi dita që LDK të lante borxhin ndaj tij dhe ta votonte për presidentin e vendit.

Thaçi e di se, pavarësisht dëshirës së tij, që në muajin shkurt të vitit të ardhshëm të mos jetë më pjesë e politikës, kjo e fundit është magneti që tërheq gjithnjë drejt vetes. Do e ketë të vështirë të jetë qytetar i zakonshëm e aq më pak apolitik. Njeriu që ka vendin e tij në historinë e Kosovës dhe historia, ashtu si hakmarrja, shijon më shumë kur serviret në një pjatë të ftohtë, kur gjakrat janë ftohur dhe kur e vërteta nuk është më enigmë, e di se kudo që të jetë, ai do të mbetet njeriu i politikës.

Nëse në shkurtin e vitit të ardhshëm Thaçi do i përkulet kërkesës këmbëngulëse për të vazhduar si president, ai mund ta bëjë këtë, por mos kërkimi i tij për një a më shumë mbështetës tek partia e tij, nuk është shenjë se mes tij dhe Kadri veselit janë ftohur gjërat.

Ai gjeti rrugën më të papritur, por në natyrën e tij.

Mundësoi formimin e qeverisë pa dëmtuar veten, pra, pa dëmtuar krijesën e tij, PDK-në, tek e cila ai ka një pjesë të madhe të jetës së tij.

Haxhi Shala u bë kurbani i ditës, edhe nga moskonceptimi i tij për politikën, por Thaçi nuk ndërmori asnjë hap për të rënduar aty ku nesër mund të jetë përsëri, në mos funksional, me shpirt.

Dhe jam i bindur se do të ketë nënqeshur kur qeveria e re u votua, duke menduar se njeriu që kishte nisur rrugën për ta përmbysur atë, nuk i qëndroi përballë as 51 ditë si shefi i qeverisë dhe as 100 të tilla si kryeministër.

Do të ketë nënqeshur duke menduar çastin kur befasisht, tejet lehtësisht, ia hoqi karriken në të cilën Kurti mendoi të zgjatej më tepër.

 

 

 

Share This Article
7 Comments
  • Cfare loje primitive sa keq a thug se keta jane pronare te popullit te Kosoves dhe jo administratore part time me ligje

  • A ka kuptim qe keta mender burreca qe te quhen luftetare te UCKse dhe ne te njejten kohe sot behen sherbetore te Serbise ?

  • U sabotua nje qeveri e kosovareve per tu zevendesu nga nje qeveri e nderkombetareve!
    Pra nje Haxhi Shal ish UCK-ist kunder Serbise del e voto nje qeveri kosovare qe punen e pare qe ben eshte heqja e taksave per mallrat serbe!
    Koha do ta mbuloje me turp kete qeveri kukull Hoti por me teper akoma do turperohen ato Haxhinjte qe moren plencin ne surrat dhe e votuan.

  • Koheve te fundit Zoti Islami je duke i shkruar ato gjera qe i ke pa nga aeroplani ! Cdokush qe e ka priotitet SHQIPTARIN ne pergjithesi dhe Kosoven ne veqanti zhgenjehet nga nje veprim i till e sidomos kur vije nga disa te ashtuquajtur kamandant te UCKse !
    Citoj :
    “Si Gjeneral i luftes jam hero dhe idealist, i perkas te gjithre popullit liridashes Kroat , si politikan nuk mund ti perkas te gjitheve dhe perfundoj nje palaqo i zhytur me premtime te rreme duke zhgenjyer edhe varret e plaget e deshmoreve dhe shokeve .
    Me mire nje hero lufte ,se sa nje deputet a minister por edhe president edhe kryeminister ”
    Gjeneral ANTE GOTOVINA

  • Zoti Islami,shume kopila ka lene serbi ne Kosove,ti e di me mire se une.Ata si pune te pare e kane te shajne Thaqin dhe pastaj te vazhdojne.E kane ne gjake ….

  • U be mire per Kosoven qe u formua qeveria.Veprimtaria e shtetit duhet me vazhdu normaisht.

  • Te shkoi naten ne erresire presidenti dhe ish kryeministri, si hajna, treguan qe zanatin e hajnit nuk e ndryshojne dot, per te bindur nje budall si Haxhi Shala, Bedri Islami e quan veprim te zgjuar te Hashimit! Me sa kuptohet, ne kete gjelle, per miratimin e nje qeverie antishqiptare, ka peshtyre edhe ky Bedri Islami. Ku paskemi mbritur! Ruajna o zot!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *