Haxhinasto: CEZ nuk do lejohet t’u presë energjinë Ujësjellësave

editor

Një ditë pasi CEZ njoftoi se do të ndërpresë energjinë për ndërmarrjet debitore të ujësjellësave ka reaguar Qeveria. Ministri i Ekonomisë Edmond Haxhinasto tha sot se kjo nuk do të lejohet.

“Kjo nuk mund te ndodhë pasi detyrimet jane te tilla që kjo nuk mund të ndodhë.Energjia ndaj ujesjellesave nuk do te nderpritet, pasi kjo është me pasoja shumë të mëdha për qytetarët. Qeveria do të marrë masat ligjore që parashikohen për këtë rast”, tha Haxhinasto.

Zoti Haxhinasto thotë se agjencitë në varësi të Qeverisë dhe Enti Rregullator po ndërmarrin të gjitha veprimet për të mos e lejuar ndërprerjen e energjisë tek ujësjellësat.

“Të gjithë institucionet që merren me këtë cështje, duke nisur që nga Enti Rregullator, por gjithashtu edhe Ministria e Ekonomisë janë duke ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm që këtu mos të ketë asnjë kosto për ujësjellësat në drejtim të furnizimit të tyre me ujë për qytetarët”, tha Haxhinasto.

Kreu i Ekonomisë konfirmoi se një ditë më parë mes Qeverisë dhe CEZ ka patur negociata intensive, ku palët kanë pretendimet e tyre.

“Së pari, gjëja më e rëndësishme është të vijojë realizimi i shërbimit të furnizimit të qytetarëve me energji, të enteve publike, të bizneseve me qëllim që të mos ketë asnjë lloj vakuumi në këtë lloj shërbimi kaq jetik për qytetarët, por edhe për ekonominë. Unë do të them që në procesin e negocimit shtrohen disa variante, skenarë për të rregulluar një marrëdhënie tashmë dihet që është problematike”, tha Haxhinasto.

CEZ Shpërndarje deklaroi një ditë më parë se ndërmarrjet e ujësjellësave i kanë një detyrim total prej rreth 38 milionë euro, të cilin nuk pranojnë ta paguajnë edhe pas lëshimeve që kompania ceke pretendon se ka bërë ndaj tyre.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *