Dosja sekrete e gjyqit ndaj Kadri Hazbiut
“Mihallaq Ziçishti e Gani Kodra mashtrojnë, ose i keni përpunuar. Nuk jam agjent i rusëve dhe amerikanëve, bandat e arratisura i kam luftuar dhe nuk i kam ndihmuar”
(Vijon nga numri i kaluar)
Seanca e datës 23 gushtit 1983 e gjyqit ndaj Kadri Hazbiut, shënon pikun e debateve mes të akuzuarit kryesor Hazbiu, me ish-zëvendësin e tij Mihallaq Ziçishti(i cili ka pranuar qenien agjent dhe veprimtarinë armiqësore) dhe kryesuesit të seancës Aranit Çela. “Mihallaq Ziçishti e Gani Kodra mashtrojnë, ose i keni përpunuar. Dëshmitë dhe faktet e Ziçishtit janë të manipuluara. Nuk jam agjent i rusëve dhe amerikanëve, bandat e arratisura i kam luftuar dhe nuk i kam ndihmuar. Nuk keni prova, ose më sillni provat ku unë kam kryer veprimtari armiqësore me këta të akuzuar e me Mehmet Shehun!”- ka këmbëngulur Kadri Hazbiu në këtë seancë…
Seanca e datës 23 gusht 1983
Kryetari:– I pandehur Kadri Hazbiu ke pyetje?
Kadriu:– Pyetjen e parë që kam, Mihallaq Ziçishti thotë që i shërbyen, sipas këtyre që kam dëgjuar në ballafaqim edhe këtu para gjyqit, Mehmet Shehut, bandës së tij, përfshi edhe Mihallaq Ziçishtin, se gjithë jetën i shërbyen besnikërisht zbulimit amerikan e jugosllav, kështu e shpjegoi. Si ndodhi dhe si e shpjegon ky që në një moment kyç të zhvillimit historik të ngjarjeve, moment kyç për vendin tonë po e po, por edhe për pozitën e këtyre si tradhtarë e agjentë të amerikanëve edhe për interesat e amerikanëve, këta i tradhtuan amerikanët edhe jugosllavët edhe më pas qenka përgatitur komploti i Teme Sejkos, sipas variantit që është dhënë. Domethënë, sipas interesit të sovjetikëve… Si e shpjegon këtë?
Kryetari:- Po, e qartë…
Mihallaqi:– Unë dhashë shpjegimet e mia, që i kemi shërbyer zbulimit jugosllav, amerikan dhe sovjetik dhe solla si shembull çështjen e Xhelo Koçiut, e cila na u shpërblye nga amerikanët me bandën e Hetem Çakos dhe të Zenel Shehut. Për këto dy banda që erdhën në vendin tonë, këto janë bërë në marrëveshje me zbulimin amerikan dhe këtë e di mirë Kadri Hazbiu. Përsa i përket çështjes së jugosllavëve, unë e shpjegova sesi është vënë në shërbim atje, gjithashtu si është vënë edhe në shërbim të sovjetikëve. Ne nuk kemi tradhëtuar ndonjë nga këto agjentura, përkundrazi kemi vepruar për të ruajtur veten tonë duke theksuar veprimet tona sipas situatave, herë me njërin e herë me tjetrin.
Kryetari:– Po. Pyetje tjetër Kadri…
Kadriu:– Po…
Kryetari:– Këtu jep përgjigje..
Kadriu:– E rrumbullakosi. Si e shpjegon Mihallaq Ziçishti, me çfarë logjike që gjithë këta njerëz, përfshi dhe mua t’i kenë thënë që jam vënë në shërbim të këtij apo atij zbulimi. Si e shpjegon…
Kryetari:- Çfarë të shpjegoj?
Kadriu:- Si e motivon këtë?
Kryetari:– Çfarë!?
Kadriu:– Arsyen përse duhet t’i thotë, se ky nuk thotë që na lidhi kjo punë dhe nëpërmjet kësaj pune mora vesh këtë. Megjithëse dihet dhe është e njohur që zbulimet nuk veprojnë kështu. Agjentët veprojnë kështu… Marrin në lidhje, japin detyra me dhënë shpjegime se u vura në shërbim në atë kohë ose u vura në këtë kohë. Ky nuk thotë vetëm për mua, por thotë kam mësuar për Mehmet Shehun që ishte vënë në shërbim, kam mësuar për Panajot Plakun që ishte vënë në shërbim, kam mësuar për Fiqeret Shehun që ishte vënë në shërbim, kam mësuar për Feçor Shehun që ishte vënë në shërbim, e për mua. Si i shpjegon, domethënë, ky ishte kaporeon i kësaj pune, që duhej të rrëfeheshin këta njerëz te ai, apo shpif…
Mihallaqi:– Mehmet Shehu, në organizatën e tij puçiste kundër revolucionare mblodhi agjentët siç e kam shpjeguar për të gjithë. Si jemi hapur me Kadri Hazbiun njëri-tjetrit, e shpjegova, duke filluar që nga Hiba, në shkollë dhe gjatë veprimeve që kemi kryer së bashku…
Kadriu:- Më falni kryetar nuk e kam për veten time flas në tërësi…
Mihallaqi:– Gjithashtu kjo është një veprimtari e gjatë, nuk është një veprimtari një muaj apo dy. Gjatë kësaj kohe, në këtë veprimtari të gjatë që kemi kryer nën udhëheqjen e poli agjentit Mehmet Shehu, ne kemi ardhur në dijeni të pozicioneve të njëri-tjetrit…
Kadriu:– Si e shpjegon Mihallaq Ziçishti atë që deponon, edhe në ballafaqim, e ka deponuar edhe këtu, që për këto suksese të arritura nga organet e sigurimit në bashkëpunim me popullin nën drejtimin e Partisë për likuidimin e këtyre bandave të diversantëve e të arratisurve e njërën-tjetrën. Po si e shpjegon faktin që thotë, se ne u morëm vesh me amerikanët edhe kapja e bandës së Hetem Çakos, thotë ai përveç të tjerave, na u dha si shpërblim që ne lejuam arratisjen e grupit të Xhelo Koçiut. Historikisht, domethënë, në atë kohë vendi ynë dyndej nga diversantë për të mbajtur gjallë banditizmin si një formë e luftës së ashpër klasore që zhvillohej kundër pushtetit popullor, domethënë, dërgoheshin nga jashtë..
Kryetari:– Pyetje, ti Kadri…
Kadriu:– Një minutë..
Kryetari:– Pastaj shpjegoje ti, po tashti bëj pyetje dhe ai t’u përgjigjet…
Kadriu:– Dua të plotësoj idenë, më falni kryetar. Dhe nuk dërgoheshin vetëm nga amerikanët, por dërgoheshin nga anglezët, italianët, grekët, nga kjo e kjo..
Kryetar:– Dihet ajo, fakt i njohur..
Kadriu:– Fakt i njohur. Si e shpjegon ky që në një kohë kur ne na vijnë krushq, na dërgojnë këtu këto spiunazhe. Edhe sikur ta pranojmë që ishin plotësisht nën tutelën e amerikanëve dhe s’kishin asnjë kontradiktë midis tyre dhe të arratiset Xhelo Koçiu, kur siç shpjegon Mihallaq Ziçishti, Xhelo Koçiu qenkësh mik i Mehmet Shehut. Edhe ky mund të ketë qenë si spiun, unë nuk e përjashtoj. I njohuri im ka qenë, punë armiqësore me të s’kam pasur. Djalin e kishte me pozitë në Ministrinë e Brendshme. Ç’e shtynte të arratisej?…
Kryetari:– E morëm vesh. Çfarë përgjigje jep..
Mihallaqi:– E shtynte Xhelo Koçinë çështja se veprimtaria e tij kish filluar të merrej vesh nga organet e punëve të brendshme dhe një ditë do t’i dilte boja..
Kryetari:– Këta dëshmitarët për dijeni, nuk e di në i lexuat ju, thonë që ajo ishte bërë çështje rrugësh, çështjen e Xhelo Koçiut e dinin të gjithë që do të ikte..
Kadriu:– Ata dëshmitarë që kam lexuar unë, me përjashtim të Petrit Hakanit, nuk kanë folur kështu..
Kryetari:- Ky Hodo Bega i ka thënë..
Kadriu:- Hodo Bega, jo, kupton…
Kryetari:– Ai thotë që e dinte, ishte një çështje e njohur ajo, që do të arratisej ai e dinin të gjithë…
Kadriu:– Tashti mund të thotë kushdo..
Kryetari:– Nuk e di, po kështu thonë dëshmitarët..
Kadriu:– Ka dokumente, ka dosje të Xhelo Koçiut, ka dosje të të gjithë të tjerëve. Po pyetjen e kam këtu unë…
Kryetari:– Atë po përgjigjet ai, atë përgjigje jep…
Mihallaqi:– Çështja e Xhelo Koçiut ishte një veprim që kishte të bënte me figurën e Mehmet Shehut, ai ishte një bandë e kryesuar nga Mehmet Shehut, që ishte në shërbim të anglo-amerikanëve. Si të tillë ata dinin mbi qëndrimin e Mehmet Shehut. Për këtë arsye u organizua arratisja e tyre
Kadriu:- Po Llazar Papopostoli dinte më shumë dhe megjithatë e nxorr nga burgu dhe qëndronte shumë mirë. Pse u trembët nga Xhelo Koçiu juve…
Mihallaqi:– Si shpërblim të çështjes Xhelo Koçiut na dhanë bandën e Hetem Çakos dhe marrja e Halim Xhelos në organet e punëve të brendshme ka qënë bash për këtë qëllim. Për të ngrohur te atin dhe një nga ata që e ka marrë ka qenë Kadri Hazbiu që e njihte mirë…
Kryetari: Tjetër pyejte?
Kardiu:– Kur ishte në marrëveshje hedhja e bandës së grupit të Hetem Çakos, pse ra kaq keq që e mori vesh gjithë populli i Kurveleshit të sipërm dhe Kurveleshit te poshtëm. Logjikisht, në qoftëse kjo ishte një marrëveshje, dhe agjentura amerikane, sipas Mihallaq Ziçishtit, donte të forconte pozitat e Mehmet Shehut, do t’u thoshte, do ta hidhte në vend dhe rrjedhimisht do të merreshin masa, kapej dhe sigurohej një sukses që t’ia rriste hytbenë, më falni shprehjen, hytbenë domethënë pozitën, kupton, autoritetin Mehmet Shehut. Pse u hodh, si e shpjegon….
Mihallaqi:– Tani mos e bëjmë si duhet bërë e qysh duhej bërë, mundet të gjendeshin shumë mënyra të tjera siç po thotë i pandehuri Kadri Hazbiu. Por u zgjodh ai vend atje me qëllim që të kapeshin menjëherë…
Kadriu:- Nga kush u zgjodh?
Mihallaqi:– U zgjodh nga juve, nga ty dhe nga Mehmet Shehu në bashkëpunim me agjenturat e huaja, shqip…
Kadriu:- Mirë, mirë në rregull. Më falni, me këtë rast i nderuar kryetar…
Mihallaqi:-Edhe për këto duhet të japësh ti llogari, si i bëtë…
Kadriu:- Të japësh ti llogari, provokator, jo unë…
Kryetari:- Kadri Hazbiu mos u rrëmbe…
Kadriu:- Kërkoj nga gjykata që të verifikohet. Ka dokumente në degën e Tepelenës, që t’i thonë shiko se do të hidhet banda e Hetem Çakos, le te verifikohet…
Kryetari:- Kush e tha këtë…
Kadriu:- Ky thotë, domethënë se e organizova unë. Në qoftë se e organizova unë, o ka dokumente, o ka njerëz që e thonë…
Mihallaqi:- Nuk është puna e dokumenteve këtu, është çështja e organizimit në marrëveshje me zbulimet e huaja…
Kadriu:-Ky thotë që e paskam përgatitur unë më Sokolovin sovjetik dhe Gllaskovin. Ky zëvendësministër. Unë zëvendësministër, Gllaskovi ishte këshilltar i ministrisë edhe që vinte në ministri në një orar të caktuar. Ç’hyn këtu kjo që prezantova unë. Këtë ja ka prezantuar dhe ja ka rekomanduar si lidhje pune me të cilin duhej të bashkëpunoj ministri. Si e shpjegon? Sokolovi që thotë ky, se ja prezantova unë, Sokolovi dihej që ishte atashe ushtarak, gjeneral. Si e shpjegon ky që ja prezantova unë këtij? Ky, ku ishte ky, në Napoli ishte apo në Shqipëri…
Mihallaqi:- Që kur erdhi Mehmet Shehu në lidhje me Gllaskovin dhe ka mbajtur lidhje me Glaskovin, e shpjegova qartë. Pastaj u njoha dhe unë më të…
Kadriu:- Pse do ta prezantoja unë dhe jo ministri?
Kryetari:- Ja e paske përgatitur ti si zëvendës i parë. Më tutje pyetje.
Kadriu:- Ky thotë që është bërë një piknik i organizuar nga unë në Hibë. Në ballafaqim me mua këtë e ka dhënë ndryshe. Ka thënë që e organizoi Drejtoria Politike. Të shikohet procesi i ballafaqimit.
Kryetari:– Është bërë në Hibë ky pikniku?
Kadriu:- Mua më kujtohet që kemi qenë. Por e thotë, që atë e organizoi Drejtoria Politike ku isha unë. Ishin edhe këshilltarë ushtarakë jugosllavë, thotë në ballafaqim. Këtu përpara trupit gjykues thotë që e organizova unë këtë piknik edhe nuk ishte fjala për këshilltarë ushtarakë jugosllavë, por për Svetozar Koçiçin. Cili qëndron nga këto shpjegime të Mihallaq Ziçishtit!?
Mihallaqi- Tashti ajo mundet të jetë organizuar nga drejtoria politike, po konkretisht me marrjen e organizimit është marrë Kadri Hazbiu…
Kadriu:- Unë shef prapavije s’kam qenë…
Mihallaqi:- Ai, Kadriu ishte strumbullari, si të thuash, në këtë piknik të organizuar.
Kryetari:- Mirë, tjetër pyetje…..
Kadriu:- Fiqret Shehu në deponimet e saj, që unë jam njohur me to, thotë se kur është arratisur Panajot Plaku me gjithë tradhtarin Mehmet Shehu kanë qenë për pushime në Moskë. Mihallaq Ziçishti, të paktën sa e dëgjova unë këtu, tha që mbasi u krye arratisja, i përgatitëm veprimet dhe u krye me sukses, ky, thotë që me Kadri Hazbiun i raportuam Mehmet Shehut menjëherë. Kur ishte në Moskë Mehmet Shehu ku i raportuam ne, e para. E dyta në qoftë se, edhe këtu them të verifikohet, ja ku kam bërë objeksionin vërejtje dhe hetuesve, unë di që Panajot Plaku është arratisur në 1956 dhe jo më 1957, e jo në maj, por është arratisur në gusht o nëkorrik ose në shtator, domethënë, me sa më kujtohet në analizë kur kam qenë, pra në analizën dhe në Plenum.
Mihallaqi:- Arratisja, koha e arratisjes që u zgjodh u zgjodh me qëllim që kjo të bëhej kur Mehmet Shehu të ishte në Moskë me pushime, në mënyrë që të organizohej mundësia e takimit të tij me të. Dhe për arratisjen e tija, kur erdha me pushimet, se skish ku ta gjenim, atëherë i kemi raportuar unë dhe Kadri Hazbiu për realizimin e arratisjes…
Kadriu:- Kur erdhi nga pushimet?. Unë të kuptova dhe kështu duhet të jetë fiksuar që i raportuam menjëherë……
Kryetari:- Po, pyetje tjetër?
Kadriu:– Ky thotë që Teme Sejko u instruktua nga neve nuk dua të futem në rrethanat, që të jepete këtë version që dhe gjoja për interesa të sovjetikëve, unë do them mendimin tim për këtë kur të vijë radha, dhe u manipulua duke instruktuar, siç thotë ky, në vilën e Maminasit. Dy gjëra janë këtu, që pyes unë e që kërkoj ti di. E para, është, mirë këto ishin interesat e sovjetikëve, po të amerikanëve ishin? Dhe pse i tradhtuam amerikanët. E dyta, desha të theksoj, si e shpjegon ky, që e ka bërë herë tjetër kështu që të instruktojë, a ka ndodhur ndonjëherë tjetër në praktikën e tij që të marrësh tjetrin dhe ti thuash se do të flasësh , kupton se je tradhtar, do të flasësh se je agjent, do të flasësh se ke gisht në një komplot agresioni kundër lirisë dhe pavarësisë së vendit edhe ta lësh, duke menduar se do ta shpëtoje dikur. Si e shpjegon, se unë nga ana ime nuk e konceptoj dot…
Mihallaqi:- Unë e kam shpjeguar çështjen Teme Sejkos dhe çështja ishte të mos dilnin sovjetikët. Tash edhe variantet, dhe përveç variantit që zgjodhëm, arrestimit të tija nuk kishte rrugë tjetër. Manipulimi i tija është bërë ashtu si e thashë unë. Domethënë, është manipuluar dhe rakorduar procesi i Teme Sejkos me Tahir Demin edhe Taho Sejkos. Gjithashtu është rakorduar edhe me Kosta Filin e shpjegova qartë. Manipulime të tilla janë bërë apo jo, thashë në proces, janë manipuluar dhe Liri Gega dhe Dali Ndreu që e ka manipuluar Kadri Hazbiu…. (Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
SOM 1
“Unë Kadri Hazbiu kundërshtoj dhe pyes: Si e shpjegon Mihallaq Ziçishti atë që deponon në ballafaqim, që ne u morëm vesh me amerikanët për kapjen e bandës së Hetem Çakos, ku sipas tij, na u dha si shpërblim që ne lejuam arratisjen e grupit të Xhelo Koçiut. Historikisht, domethënë, në atë kohë, vendi ynë dyndej nga diversantë për të mbajtur gjallë banditizmin si një formë e luftës së ashpër klasore që zhvillohej kundër pushtetit popullor, domethënë, dërgoheshin nga jashtë. Janë shpifje ose përpunime, pa bazë akuzat e tij”
SOM 2
“Unë Mihallaq Ziçishti, e kam shpjeguar çështjen e Teme Sejkos dhe çështja ishte të mos dilnin sovjetikët. Manipulimi i tij është bërë ashtu si e thashë unë. Domethënë, është manipuluar dhe rakorduar procesi i Teme Sejkos me Tahir Demin edhe Taho Sejkos. Gjithashtu është rakorduar edhe me Kosta Filin. Manipulime të tilla janë bërë apo jo, thashë në proces, janë manipuluar dhe Liri Gega dhe Dali Ndreu që i ka manipuluar Kadri Hazbiu bashkë me ne të tjerët që sot jemi këtu në gjyq si anëtar të grupit armiqësor të kryesuar nga Mehmet Shehu”
SOM 3
“Fiqret Shehu në deponimet e saj, thotë se kur është arratisur Panajot Plaku me gjithë tradhtarin Mehmet Shehu kanë qenë për pushime në Moskë. Mihallaq Ziçishti, thotë që mbasi u krye arratisja, me Kadri Hazbiun, pra me mua, i raportuam Mehmet Shehut menjëherë. Kur ishte në Moskë Mehmet Shehu ku i raportuam ne, në Moskë apo në Shqipëri!?. E dyta, unë di që Panajot Plaku është arratisur në 1956 dhe jo më 1957 dhe jo në maj, por është arratisur në gusht o nëkorrik ose në shtator. Këtu, thuhet tjetër për tjetër..”
NESËR DO TË LEXONI:
– Kadri Hazbiu debaton me Mihallaq Ziçishtin dhe kryegjyqtarin Aranit Çela: Mohoj akuzën për dijeninë time lidhur me pseudonimin ‘Mjekra’ të Mehmet Shehut.
-Dëshmia e Gani Kodrës: U takova në Durrës me Mehmet Shehun. Pasi më instruktoi, më nisi në Suedi, për të ndihmuar Skënder Shehun, djalin e Mehmetit, në koordinimin me agjenturat e huaja të veprimtarisë së grupit tonë.
-Çfarë veprimtarie agjenturore kreu Mehmet Shehu kur u shtrua në klinikën ‘Pasi’ të Parisit, në bashkëpunim me Llambi Peçinin e Llambi Ziçishtin.