Në ditën e 6 të protestës, rreth 600 punonjësit e Hidrocentralit të Banjës kanë bojkotuar punën, duke qëndruar jashtë ambienteve të kantierit të firmës turke “Limak Age JV”, që po ngre veprën energjetike mbi lumin Devoll. Punonjësit kërkojnë kontrata kolektive me 8 orë punë, kushte më të mira, orët suplementare dhe rroga më të larta. Ndërkohë, përgjigja e kompanisë turke ka qenë tepër e ashpër, madje ka arritur të kërcënojë punonjësit. Mësohet se kompania i është drejtuar punonjëseve që të ndërpresin protestën, në të kundërt do pushohen nga puna. “Punonjësit të rikthehen në punë brenda tre ditësh. Nëse punëtorët nuk kthehen, do të largohen nga puna”, kështu deklaron kompania turke. Edhe ditën e djeshme nuk u arrit asnjë marrëveshje mes dy palëve, ndërkohë që pati edhe shoqërim të 4 punonjësve nga policia për tubimin e paligjshëm para ambienteve të firmës.
Kompania
Po dje u zhvillua një takim mes Sindikatës së punonjësve dhe përfaqësuesve të firmës turke. Pas takimit, kompania deklaroi se do të largohet nga Shqipëria dhe se nuk pranonte asnjë marrëveshje. Më tej kompania ka sqaruar se nuk do t’i njohë kontratat kolektive, kërkesë e cila është parashtruar nga punonjësit e hidrocentralit, për t’u marrë parasysh. Kreu i Sindikatës, Kol Nikolla, theksoi se duhet të ndërhyjnë edhe ministritë për zgjidhje të problemit. “Të verifikohen lejet e punës për punëtorët turq. Kemi informacion se punëtorët turq janë me viza turistike”, ka bërë me dije Nikolla. Punëtorët pretendojnë se mbahen për 12 orë në punë dhe nuk paguhen për shtesat. Ata denoncuan publikisht mungesën e transparencës së kontratës mes palëve, si dhe mungesën e sigurisë në punë dhe shkeljeve të tjera të të drejtave të punëtorëve shqiptarë.
Shoqërimet
Policia e Elbasanit ka shoqëruar mbrëmë në komisarit 4 punonjës të HEC-it të Banjës, pasi akuzohen se kanë marrë pjesë në protestat e paligjshme kundër firmës. Kreu i Sindikatave Shqiptare, Kol Nikolla, u shpreh se nuk ka pasur asnjë motivacion për shoqërimin e këtyre punonjësve. Të shoqëruarit që pritet të procedohen në gjendje të lirë, akuzohen edhe për organizimin e tubimit. Punëtorët shprehen se do të vazhdojnë protestat dhe nuk do të rikthehen në punë deri në plotësimin e kërkesave të tyre që kanë të bëjnë me nënshkrimin e një kontrate kolektive, zbatimin e 8 orarëshit zyrtar dhe pagesën e orëve shtesë apo të ditëve të pushimit.
