Helmimet ushqimore, si të veproni në ditët e nxehta

redaktor

Rreziku i temperaturave të larta nuk ka kaluar ende, çka do të thotë se duhet të jemi shumë të kujdesshëm në përzgjedhjen e ushqimeve që duhet të konsumojmë gjatë ditës, si dhe në përdorimin e rregullt të terapisë medikamentoze nga pacientët kronikë, e veçanërisht të moshuarit. Gjatë ditëve të fundit janë raportuar raste në rritje të helmimeve ushqimore, të trajtuara në strukturat publike të shëndetit. Pasojat janë dehidrim deri në toksikacione (helmim) të shkallës së rëndë, të cilat shpesh mund të mbartin pasoja serioze për jetën e pacientit. Mjeku infektolog në QSUT, Dr. Gentian Stroni, thekson se duhet të jemi të kujdesshëm në identifikimi e simptomave që paralajmërojnë se kemi të bëjmë me helmime të shkaktuara nga ushqimi. “Ndaj, kur një pjesëtar i familjes tuaj ankon për të vjella ose heqje barku të shoqëruara me rritje të temperaturës, kjo përbën atë që quhet helmim ushqimor. Nga vetë emri duhet të kemi parasysh që edhe shkaqet janë të shumëllojshme, në varësi nga ushqimi që ka ngrënë i sëmuri”, thekson doktori Gentian Stroni.

 

Shkaktarët

Disa nga shkaktarët e sëmundjeve diarreike dhe helmimeve ushqimore, janë disa mikrobe dhe viruse (të tilla janë “escherichia coli”, “enterotoksigjene”, “clostridium perfingensm staphylococus aureusm”, viruset “coxsackie”, viruset “echo dhe rotaviruset”, etj). Shkaktarët ndodhen në ajër, ujë dhe ushqime të kontaminuara, kafshë shtëpiake dhe të egra bartëse të këtyre mikrobeve, njerëz të sëmurë, ose bartës të tyre. Insektet mund të jenë transportues pasivë, sidomos për viruset. Periudha më e favorshme për përhapjen e tyre është stina e verës dhe sidomos periudha korrik-tetor.

 

Si merren këto infeksione?

Këto lloj infeksionesh pothuajse gjithmonë merren nga goja, zakonisht nga gëlltitja e ushqimit, ose pijeve të helmuara. Çdo prodhim ushqimor është një burim potencial për infektimin e njeriut. Burim për helmimin e ushqimit ose pijes mund të jenë njerëz mbartës pa klinikë, por burimi kryesor i infeksionit të njeriut është rezervuari i gjerë i salmonelave në kafshët e ulëta. Incidenca e lartë e infeksionit të përpunimit të ushqimeve dhe të prodhimit të tyre në sasi të mëdha shtojnë rrezikun e infektimit të njerëzve. Mishi kontaminohet me shumë rrugë, por më të zakonshmet janë infeksioni natyror i vetë kafshëve të përdorura si mish dhe i gjithë pajisjeve që përdoren gjatë therjes ose përpunimit. Vezët ose produktet e vezëve duke përfshirë ushqimet e gatuara me to, janë gjithashtu burim i zakonshëm infeksioni. Nga speciet e ndryshme të kafshëve, shpezët shtëpiake duke përfshirë pulat, gjelat e detit, rosat dhe vezët e produktet e vezëve përbëjnë një rezervuar të gjerë të infeksionit dhe burimin më të shpeshtë për infektimin e njerëzve. Ushqimi, ose pijet mund të kontaminohen nga minjtë, macet, insektet ose parazitë të tjerë, që strehojnë këto mikroorganizma.

 

Kujdesi për ushqimet

Ushqimet mund të rikontaminohen pas përgatitjes së tyre nga mungesa e higjienës në pajisjet e kuzhinës apo personelit të kuzhinës (mbartës mikrobesh). Ushqimi mund të rikontaminohet nëse pas gatimit, lihet të ftohet për një kohë të gjatë, sidomos në periudhën e verës. Por, nuk duhet të mendohet se ushqimi i futur në kohë në frigorifer nuk kontaminohet dhe nuk shkakton helmim. Një shembull i qartë është stafilokoku “aeurus”, që quhet ndryshe “helmimi ushqimor” klasik. Helmimi ndodh nga enterotoksina e prodhuar më parë në produktet ushqimore, ndërsa vetë stafilokoku mund të jetë larguar nga ushqimi. Ky lloj helmimi dallon nga të gjithë të tjerët, sepse shfaqet me shumë të vjella, diarre, temperaturë të lartë dhe shenjat shfaqen brenda një periudhe të shkurtër që nga koha e marrjes së ushqimit deri në shfaqjen e shenjave të para. Meqë helmimi ndodh nga toksina, mjekimi me antibiotikë nuk ka efekt.

 

Trajtimi që duhet të ndiqet

Trajtimi është i lidhur ngushtë me stadin e sëmundjes dhe llojin e mikrobit. Zëvendësimi i lëngjeve dhe kripërave minerale, është kushti i parë. Në format e lehta dhe kur nuk ka të vjella, marrja e mjekimit bëhet nga goja. Në format më të rënda, me temperaturë, të vjella të shumta, diarre dhe dhimbje barku, mjekimi bëhet intravenoz me perfuzione (serume) që mund të arrijnë disa litra në 24 orë, elektrolit, kortikoid dhe antibiotikë. Duhet theksuar që jo çdo helmim kërkon përdorim antibiotikësh. Antibiotikët e përdorur pa kriter mund të zgjasin ecurinë e sëmundjes. Ndërsa kortizonikët jepen në raste të veçanta. Duhet të kihet parasysh se edhe disa ditë ose javë pas kalimit të sëmundjes, pacienti eliminon mikrobe, prandaj trajtimi i zgjatur i tyre ka shumë rëndësi. E vetmja mënyrë për të parandaluar helmimet ushqimore është zbatimi i rregullave higjienike dhe teknologjike në përgatitjen e ushqimit. Mbrojtësja më e rëndësishme është higjiena vetjake. Duhet të tregohet mjaft kujdes në restorante, fast-foode dhe në konsumimin apo përgatitjen e prodhimeve të detit.

 

 

Simptomat

Të vjella

Heqje barku

Temperaturë

Dobësi

Zverdhje të lëkurës

Djersë

 

Këshilla

Lani me ujë të pastër e të rrjedhshëm të gjitha frutat dhe zarzavatet.

Ruani produktet ushqimore në vende të freskëta.

Konsumoni ushqime të sapo përgatitura.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *