Pas helmimit ditën e shtunë dhe të diel në dy dasma në qytetin e Elbasanit, rritet bilanci i personave që shkojnë me simptomat e helmimit në spitalin rajonal të Elbasanit. Luan Rrapi, nëndrejtor i spitalit rajonal në Elbasan, ka thënë se në urgjencën e këtij spitali kanë shkuar 44 persona, mes tyre edhe fëmijë. 31 prej të helmuarve janë shtruar në spital.
“Helmimi ka ndodhur të shtunën dhe të dielën. Pacientët kanë qenë në të njëjtin lokal në 2 dasma. Ka disa të shtruar. Gatishmëria e spitalit është 100%.
Deri tani ka 31 persona të shtuar, si edhe 2 fëmijë në pediatri. 3 persona i kemi dërguar në Tiranë dhe 8 raste kanë marrë mjekim ambulator. Që prej orës 1 nuk ka pasur më fluks pacientësh“, shprehet Luan Rrapi, nëndrejtor i spitalit të Elbasanit për Report tv.
Policia e Elbasanit është duke ndjekur që prej ditës së djeshme ngjarjen me helmimin në dy dasma.
Ende nuk ka një shpjegim zyrtar për ngjarjen, ndërkohë që mësohet se janë marrë disa kampione nga ushqimi që ndodhej në lokal për të mësuar çfarë e ka shkaktuar helmimin e pacientëve.
o.j/dita
