Lëndimi i simpatizantëve të PD-së pas mitingut të mbajtur ditën e shtunë, ka bërë që Specialistët për krimet ndaj jetës të mbështetur nga Prokuroria dhe Garda e Republikës të nisin hetimet lidhur me këtë ngjarje.
Prokuroria ka sekuestruar 12 ndriçues të cilët ishin të vendosur në 4 platforma. Sekuestrimi është bërë për të bërë ekzaminimin e tyre, pasi dyshohet se pikërisht ndriçimi ka qenë shkaku i lëndimit të dhjetëra personave që morën pjesë në miting, mes tyre edhe kreu i PD-së Lulzim Basha.
Policia ka referuar çështjen në prokurori sipas nenit 201 të kodit penal, referuar ndotjes së ajrit.
Ditën e djeshme në vendngjarje mbërritën edhe kimistët e ushtrisë, të cilët, në bashkëpunim me ekspertët kriminalistë, u përpoqën të mblidhnin prova.
Por, gjatë këqyrjes së bulevardit dhe trotuareve pranë Kryeministrisë, ekspertët nuk gjetën asnjë provë të dyshimtë, pasi skena e krimit nuk u ngrit menjëherë pas mitingut nga policia, por ditën tjetër në 7 të mëngjesit.
Megjithatë, ekspertët kanë mbledhur prova të tjera rrethanore, përfshirë veshjet e simpatizantëve në miting, të cilat janë dërguar në laboratorin shkencor për t’iu nënshtruar analizave.
Në hetime janë përfshirë edhe Drejtoria e Antiterrorit dhe Kundërzbulimi i Shërbimeve Inteligjente, pasi nuk përjashtohet as mundësia e ngjarjes me qëllim destabiliteti nga faktorë të jashtëm.
