Hemofilia, simptomat dalluese dhe kujdesi që duhet treguar!

J L

Hemofilia është një çrregullim i gjakut, i cili nuk mpikset siç duhet, gjë që mund të çojë në gjakrrjedhje spontane, si dhe gjakrrjedhje pas lëndimeve të ndryshme, apo operacioneve. Gjaku përmban shumë proteina të quajtura faktorë të koagulimit që ndihmojnë për të ndaluar gjakrrjedhjen. Personat me hemofili kanë nivele të ulëta të faktorit VIII (Hemofilia A) ose faktorit IX (Hemofilia B). Mosmarrja në kohë e kujdesit të duhur mjekësor për trajtimin e kësaj sëmundjeje mund të shoqërohet me pasoja të rënda.

Lidhur me diagnostikimin e duhur të kësaj sëmundjeje, autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik bëjnë me dije se njohja e simptomave të hershme ndihmon në parandalimin e ndërlikimeve që mund të vijnë prej saj. Simptomat varen nga sasia e faktorit që mungon në gjak. Ato mund të jenë nga të formave më të lehta, e deri tek ato të fazave më të rënda. Megjithatë ndër shenjat dalluese më të shpeshta të hemofilisë janë: gjakrrjedhjet në artikulacione, shenjë e cila mund të japë ënjtje dhe dhimbje në nyje.

Kjo simptomë haset më shumë në gjunjë, bërryla dhe këmbë.Një tjetër shenjë dalluese është edhe gjakrrjedhja në lëkurë ose muskuj duke dhënë hematoma. Ndërkohë që në shumë persona hemofilia shoqërohet edhe me gjakrrjedhjet nga goja dhe mishi i dhëmbëve, si dhe gjakrrjedhjet që janë të vështira të ndalohen pas humbjes së një dhëmbi. Simptoma të tjera dalluese të kësaj sëmundjeje janë edhe gjakrrjedhjet e shpeshta nga hunda dhe të vështira për t’u ndaluar, gjakrrjedhjet pas cirkumcizium (bërjes synet), ato pas kryerjes së gjilpërave, siç janë vaksinat, gjakrrjedhjet në kokën e foshnjës pas një lindjeje të vështirë. Një tjetër shenjë dalluese mund të jetë edhe gjaku në urinë.

Kujdes!

Hemofilia është një gjendje shëndetësore, e cila mund të bëhet kërcënuese për jetën nëse nuk identifikohet hershëm dhe nuk mbahet nën kontroll.Për të parandaluar çdo komplikacion nga hemofilia ka shumë rëndësi vendosja sa më herët e diagnozës.Personat që kanë ose kanë pasur anëtarë të familjes me hemofili duhet të testojnë djemtë menjëherë pas lindjes.Mënyra e vetme e identifikimit të hemofilisë është testimi nëpërmjet gjakut i nivelit të faktorit.Trajtimi parandalues shmang dëmtimet shëndetësore serioze.

Shenjat e shpeshta dalluese të hemofilisë :

  • Gjakrrjedhjet në artikulacione që hasen më shumë në gjunjë, bërryla dhe këmbë.
  • Gjakrrjedhjet në lëkurë ose muskuj duke dhënë hematoma.
  • Gjakrrjedhjet nga goja dhe mishi i dhëmbëve, dhe gjakrrjedhjet që janë të vështira të ndalohen pas humbjes së një dhëmbi.
  • Gjakrrjedhjet e shpeshta nga hunda dhe të vështira për t’u ndaluar
  • Gjakrrjedhjet pas cirkumcizium (bërjes synet).
  • Gjakrrjedhjet pas kryerjes së gjilpërave, siç janë vaksinat.
  • Gjakrrjedhjet në kokën e foshnjës pas një lindjeje të vështirë.
  • Gjaku në urinë.
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *