Hemorroidet, shkaqet dhe trajtimi që duhet të ndiqni

Ornela

Gastroenterologu Altin Cekodhima, detajon ushqimet që duhet dhe nuk duhet të konsumoni për të parandaluar dhe shmangur riaktivizimin e hemorroideve

Fryrja e enëve të gjakut (venave) në zorrën e trashë, shkakton hemorroidet, që janë edhe patologjia më e shpeshtë që shfaqet si tek femrat, ashtu edhe tek meshkujt. Mjeku gastroenterolog Altin Cekodhima, tregon se cilët janë faktorët e riskut që favorizojnë zhvillimin e sëmundjes, ekzaminimet dhe testet që duhet të bëni për diagnostikimin e tyre, si dhe masat që duhet të merrni në korrigjimin e regjimit ushqimor, për të parandaluar dhe qetësuar dhimbjet e shkaktuara nga hemorroidet.

Dietat e varfra në fibra, mungesa e aktivitetit fizik, vështirësitë në jashtëqitje, diarreja, apo kapsllëku janë ndër faktorët që ndikojnë në formimin e hemorroideve. Për të shmangur formimin e tyre, apo parandaluar rishfaqjen në momentin që i kemi trajtuar, duhet të jemi të kujdesshëm me ndjekjen e një stili të shëndetshëm jetese, veçanërisht kundrejt ushqimeve që përzgjedhin të konsumojmë gjatë ditës, përdorimit të lëngjeve, si dhe aktiviteti fizik.

Personat që vazhdimisht përdorin ushqimet e pasura me fibra gjatë përditshmërisë së tyre kanë më pak gjasa për të zhvilluar apo pasur hemorroide. Ndërsa ata  që ndjekin një regjim të pasur me ushqime të përpunuara janë në rrezik të lartë.  Kjo pasi një dietë e varfër me fibra mund të shkaktojë kapsllëk, i cili i acaron shumë hemorroidet. Simptoma më e shpeshtë e hemorroideve është gjakderdhja e padhembshme pas lëvizjes së zorrëve.

Çfarë janë hemorroidet dhe nga se shkaktohen?

Termi hemorroide i referohet një situate në të cilën venat përreth anusit, ose pjesës së poshtme të rektumit (zorrës së trashë), janë të fryra dhe të skuqura. Hemorroidet mund të jenë shkak i shtërzimeve për të defektuar. Faktorë të tjerë që luajnë rol në formimin e tyre janë shtatzënia, moshimi, konstipacioni (kapsllëku) kronik ose diarreja (barkqitja) kronike. Hemorroidet janë dy llojesh, të brendshme, ose të jashtme përreth anusit.

 

Altin Cekodhima

Cilat shenjat dalluese të hemorroideve?

Disa probleme anorektale që përfshijnë fisurat, abcesin, irritimin, kruajtjen dhe djegien (pruritis ani), kanë të njëjtat shenja dhe gabimisht i referohen hemorroideve. Hemorroidet zakonisht nuk janë të rrezikshme për jetën. Në shumë raste simptomat e hemorroideve ikin brenda disa ditëve. Ndonëse shumë njerëz që kanë hemorroide nuk shfaqin shenja fare, shenja më e shpeshtë e hemorroideve të brendshme është gjaku i pastër që lyen feçet, letrën e tualetit dhe WC.

Ndonjëherë hemorroidet e brendshme rrëshqasin jashtë anusit, irritohen dhe bëhen të dhimbshme. Këto lloj hemorroidesh quhen të prolabuara. Shenjat e hemorroideve të jashtme përfshijnë dhimbje, ënjtje, ose një kokërr të madhe përreth anusit, si rezultat i mpiksjes së gjakut, situatë e cila njihet si trombozë e hemorroideve të jashtme.

Përveç kësaj, lodhja e tepruar, fërkimi, ose pastrimi përreth zonës së anusit mund të shkaktojnë irritim të shoqëruar me hemorragji, apo kruarje e cila mund të bëhet një rreth vicioz shenjash. Mukusi i tepërt gjithashtu mund të shkaktojë kruarje.

Sa të shpeshta janë hemorroidet?

Hemorroidet janë shumë të shpeshta si tek burrat, edhe tek gratë. Pothuajse gjysma e popullsisë kanë hemorroide rreth moshës 50 vjeç. Gjithashtu, hemorroidet mund të jenë të shpeshta edhe tek gratë shtatzëna, situatë e cila shpjegohet me presionin që fetusi shkakton në bark. Ndryshimet hormonale shkaktojnë gjithashtu zgjerim të venave hemorroidale. Gjithsesi hemorroidet gjatë shtatzënisë janë probleme kalimtare.

Si diagnostikohen hemorroidet?

Një diagnostikim i saktë mund të bëhet vetëm nga mjeku. Është shumë e rëndësishme që të paraqiteni tek mjeku specialist në momentin që keni hemorragji, sepse ajo mund të jetë shenjë e sëmundjeve të tjera të traktit tretës përfshirë dhe kancerin e zorrës së trashë (kolorektal).

Doktori do të ekzaminojë anusin tuaj nëpërmjet “touché rectale” që do të thotë ekzaminim i cili realizohet me gisht të lubrifikuar për të prekur anomalitë përreth. Një ekzaminim tjetër për hemorroidet është ai me anoskop, një tub i ndriçuar që lejon pamjen e anusit nga brenda për të vlerësuar hemorroidet e brendshme. Për të përjashtuar mundësinë e ndonjë sëmundjeje tjetër të traktit tretës, është shumë e rëndësishme të kryhet videokolonoskopia.

Si parandalohet formimi i hemorroideve?

Trajtimi medikamentoz i hemorroideve ka për qëllim të lehtësojë simptomat, por janë të rëndësishme masat parandaluese për formimin e tyre. Parandalimi i përsëritjeve të hemorroideve do të kërkojë jashtëqitjen normale (pa kapsllëk), e cila arrihet me një dietë të pasur me fibra dhe lëngje. Me anë të kësaj diete arrihet që materialet fekale të jenë të buta dhe lehtësisht të lëvizshme nëpër zorrë duke mënjanuar shtërzimet në defekim dhe uljen e presionit të venave të anusit.

Ngrënia e sasisë së duhur të fibrave ushqimore dhe pirja e 6 deri në 8 gota lëng rezultojnë në jashtëqitje të butë e të formuar, e cila bën të lehtë zbrazjen e zorrës. Fibrat ushqimore merren nëpërmjet konsumit të frutave, perimeve dhe miellit me përmbajtje krundesh. Mjeku mund t’ju rekomandojë të merrni edhe fibra suplementare, si për shembull produkte farmaceutike. Aktiviteti fizik ku përfshihet të ecurit, si dhe rritja e sasisë së fibrave dhe lëngjeve në dietë janë një kombinim i duhur për parandalimin dhe mospërsëritjen e hemorroideve.

Dieta e rekomanduar për hemorroidet

  • Frutat

Duhet të konsumoni fruta të tilla, si: Mollë, dardha, rrush, bostan, shegë, luleshtrydhe, kumbulla, pjeshke, ananas, mango.

  • Lëngjet

Duhet të pihet sa më shumë ujë,si dhe lëngje të tjera, por jo alkool.

  • Fibrat

Ushqimet e pasura me fibra janë buka e zezë, perimet e blerta, sallatat, lakrat, spinaqi,

  • Perime

Ndër perimet e rekomanduara që të konsumohen sa më shpesh janë: lulelakrat, karotat, panxhari, bishtajat, fasule, bizele, thjerrëza, kunguj, kastraveci.

Nga regjimi i përditshëm ushqimor duhet të shmangen këto ushqime:

  • Pikantet: speca djegës, piper.
  • Ushqimet e ëmbla me shumë sheqer.
  • Pijet e ëmbla dhe me konservonte, si: Cola, Fanta, Pijet energjike
  • Banane, bamje, kos, djathë, gjize.
  • Pijet alkoolike.,
  • Fastfood, hamburger, sandviç, patate të skuqura, patatinat.

 

Faktorët që ndikojnë

  • Shtërzimet në të detektuar (jashtëqitje).
  • Shtatzënia.
  • Moshimi.
  • konstipacioni (kapsllëku) kronik.
  • Diarreja (barkqitja) kronike.
  • Moskonsumimi i fibrave dhe lëngjeve.

 

Share This Article
4 Comments
  • Pershendetje kam nje pyetje kam problem me jashtqitje pasi te konsumoj ushqim djegs kam edhe gjakderdhje gjate jashtqitjes dhe dhimbje barku por nuk e di se a e kam nga hemorroidet apo cfare nese mundeni te me jepni nje pergjigjje

  • Përshëndetje! Kam mami me hemorroide dhe ka shumë dhimbje kur tenton të dalë jashtë.Ka kohë që vuan por tani ka arritur në një gjendje jo normale dhe shumë mjekime për një problem me kockun e krahut.Ka dhe tencion të lartë herë pas here.Aktualisht po përdor një krem dhe kalium pramangat për shplarje ,duket sikur qetësohet por i fillon prap kur tenton te dalë me jashtëqitjen,nuk ka gjakderdhje po shumë dhimbje .A ndikojnë mjekimet ? Po stresi se duket e rënduar nga ana psikologjike kur nuk është e qetë.Faleminderit për kohën tuaj!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *