Admirim dhe vlerësim maksimal për Manuel Neuer. Presidenti i Bajernit, Uli Hënes, ka vetëm elozhe në adresë të heroit të portës bavareze, sidomos pas paraqitjes fantastike të tij në fitoren 2-0 kundër Arsenalit në Champions League. Portieri 27-vjeçar priti penalltinë e Mesut Ozilit dhe eliminoi pa rrezik disa raste të tjera, ndërsa impresionoi edhe me pasime të sakta. “Ato që po bën Neuer pa dyshim që e vendosin atë në shkallën më të lartë”, thotë Hënes. “Nuk ka çmim për këtë lojtar! Portieri ynë nuk qëndron i fokusuar vetëm te kuadrati që ka përpara dhe disa njerëz duket se e harrojnë diçka të tillë. Është vetëm çështje kohe që ta shohim Neuerin duke luajtur në gjysmëfushën e kundërshtarit. Mbrojtësit tanë kanë siguri kur e kthejnë topin në portë dhe Neuer në mënyrë perfekte me të dyja këmbët mund ta pasojë më pas te lojtarë të tjerë”. Ndërkaq, ndeshja nuk përfundoi në të njëjtën mënyrë për portierin përballë, Shçesni, i ndëshkuar me karton të kuq pasi shkaktoi penallti. Që nga e mërkura është ndezur debati nëse rregulli i ndëshkimit të trefishtë duhet hequr dhe Hënes është dakord, ashtu si edhe vetë Neuer. Aktualisht është propozuar që të hiqet kartoni i kuq pas penalltisë dhe Bordi Ndërkombëtar i Futbollit do ta shqyrtojë propozimin me të cilin janë dakord edhe FIFA e UEFA.