Kryeministri Berisha i është referuar sërish vendimit që pritet të merret nga qeveria për heqjen e tatim-fitimit për rrogat e ulta.
Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha theksoi se heqja e kësaj takse është një mbështetje e fuqishme që qeveria shqiptare u ka dhënë të punësuarve në sektorin privat.
“Gjatë këtyre 7 viteve në përputhje me programin tonë ne kemi rritur në mënyrën më të fuqishshme rrogat dhe pensionet në sektorin publik, rritje që ka bërë që rroga mesatare të shkojë në 57 mijë lekë. Ky është rezultat i politikës sonë të rritjes së rrogave dhe pensioneve. Një gjë është e sigurtë që me rritjen e rrogave të sektorit publik ne kemi ndikuar fuqishëm, kemi udhëhequr këtë politik në të gjithë vendin çka do të thotë se politika e ndjekur në sektorin publik është ndjekur në mënyrë të pashmangshme edhe nga sektori privat. Me këtë vendim që së shpejti do të shkojë në Parlament ne si qeveri realizojmë një rritje prej 10 përqind të punonjësve të sektorit privat që janë të evidentuar 200 mijë punonjës. Kjo rritje është 1.2 rroga në vit dhe është rritja më e madhe dhe këta punonjës kanë njohur në tërë pjesën e tyre në këto sipërmarje” tha Berisha.
Sipas tij, kjo rritje konsolidon më tej taksën e sheshtë për të cilën theksoi se edhe pse është modeli më i mira ka nevojë për reformim.
“Nuk ka dyshim që taska e sheshtë është më optimalja por gjithnjë si çdo model edhe modeli ynë ultra-liberal ka nevojë për përmirësimet e tij, ka nevojë për reformim të vazhdueshëm dhe ky është një referimin në frymën e tij. Po të mos ishte taska e sheshtë s`do mund të imagjinohet vendimi që do merret së shpejti nga kjo qeveri. Por me rritjen 10 përqind të rrogave ne gjithashtu ngushtojmë me 10 përqind diferencën e rrogave” tha Berisha.
Sipas Berishës, ata që sulmojnë taksën e sheshtë e sulmojnë kryekëput nga pozita spekulative.
“Pretendimi se është e njëjtë për të gjithë është një mashtrim absolut, është e njëjtë si përqindje, por është e ndryshme në vlerë, aq sa ndryshojnë rrogat nga njëra-tjetra. Jo me urrejtje ndaj të pasurve, se në mënyrën më të përsëritur politikat që kanë sulmuar të zgjidhin problemet e të varfërve duke shkatërruar të pasurit kanë falimentuar dhe kanë shtuar në progresion gjeometrik numrin e të varfërve” shtoi më tej kryeministri.