PYETJE:
Përshëndetje,
Para disa muajsh u largova nga shtëpia dhe fillova Universitetin. Në Tiranë kam takuar një djalë. Kanë kaluar rreth tre javë që ne takohemi dhe ndjehemi mirë. E vetmja gjë që më shqetëson lidhur me marrëdhënien seksuale, është fakti që kemi vetëm tre javë bashkë. Të dy jemi të virgjër. Më bën të dyshoj në se jam gati për të kryer marrëdhënie seksuale me një djalë që e njoh vetëm prej tre javësh. Pyetja ime është: A mos po nxitohemi ?
Faleminderit shumë
PËRGJIGJE:
Pyetja jote, në këto kohë kur tek ne flitet për një “moralitet të ri”, duket sikur tingëllon e çuditshme. Por e vërteta është ndryshe. Shumë vajza bëjnë pyetje ku ndjehet shqetësimi lidhur me virgjërinë dhe humbjen e saj, ndaj dhe zgjodha, midis shumë pyetjeve, ti përgjigjem kësaj tëndes.
“Të humbasësh” virgjërinë, ose të vendosësh të bësh interkursë për herë të parë, është një vendim me shumë rëndësi për çdo vajzë dhe djalë. Është e kuptueshme, që ashtu siç thoni ju, ky është “një moment i mrekullueshëm, i shumëpritur”. Ideja e interkursës së parë, për shumë të rinj, është sfiduese dhe plot fantazi. Por, duhet të dini, se realiteti, shpesh, nuk përputhet me fantazitë.
Shumica e njerëzve, nuk kënaqen, madje ndjehen të zhgënjyer nga interkursa e parë seksuale. Ajo mund të jetë jo e rehatshme, alarmuese, e çuditshme dhe shpesh e pakënaqshme. Ka të rinj që pas interkursës së parë seksuale mendojnë: “E çfarë, asgjë për t’u mbajtur mend? !”
Që të ndjeheni seksuale me dikë, ju duhet: Të kaloni bashkë një kohë të mjaftueshme, kjo ndihmon që marrëdhënia të rritet e forcohet. Ju duhet rritni mirëbesimin ndaj njëri-tjetrit. Të komunikoni sa më mirë e hapur me njëri-tjetrin. Të keni humor i cili ndihmon shumë për forcimin e marrëdhënies. Ka edhe plot gjëra të tjera për të cilat ju duhet të mendoni.
Në letrën tuaj, ju thoni se u shqetëson fakti që njiheni me njëri-tjetrin vetëm prej tre javësh dhe a është kjo kohë e mjaftueshme për të filluar marrëdhëniet seksuale. Zgjedhja është juaja, unë do të sugjeroja t’i bënit vetes disa pyetje, të cilat do t’u ndihmojnë të kuptoni më mirë situatën ku ndodheni:
A kënaqeni kur bisedoni dhe kujdeseni për njëri tjetrin?
A i jepni kënaqësi njëri tjetrit kur putheni, përkëdheleni dhe fërkoheni ? Disa të rinj kuptojnë se këto veprime, që ndryshe quhen ekstrakursa, i çojnë ata deri në orgasma të mrekullueshme dhe e bëjnë kalimin tek akti seksual (interkursa), si dhe vetë aktin , akoma më të kënaqshëm.
Çfarë mendoni se do të ndodhë me ju të dy, po qe se prisni edhe pak kohë?
Çfarë do të humbisni dhe çfarë do të fitoni nga fillimi i marrëdhënieve të mirëfillta seksuale tani?
A mendoni se interkursa do ta ndryshojë marrëdhënien tuaj? Do të bënit mirë t’i shikonit të gjitha mundësitë.
Çfarë do të thotë për ju dhe për dashnorin tuaj të bëni interkursë?
Kur e imagjinon veten duke bërë seks me djalin, cila pjesë e eksperiencës së imagjinuar të duket më e kënaqshme dhe cila pjesë e eksperiencës të bën të ndjehesh e shqetësuar?
Në qoftë se edhe pas këtyre që të shkrova, ndjehesh, akoma, e shqetësuar për kohën e shkurtër që e njihni njëri-tjetrin, kjo do të thotë se ju akoma nuk jeni gati për këtë hap. Bëni mirë të kaloni më shumë kohë me njëri-tjetrin, kjo do t’u ndihmojë ta njihni më mirë shokun. Shkoni bashkë në kinema, në koncerte, në restorante, dilni shëtitje, zbuloni çfarë keni të dy të përbashkët dhe rritni ndjenjat për njëri tjetrin.
Në kohën kur do të vendosni të kryeni interkursën, përpiquni të keni gjetur informacionin që është i domosdoshëm për mbrojtjen, pra seksin më të sigurtë. Si të mbroheni nga shtatzënitë e padëshiruara dhe nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Mësoni për kondomet dhe opcionet e tjera të kontrollit të lindjes, efektivitetin e tyre dhe avantazhet dhe disavantazhet e tyre. Po qe se e mendoni të vlefshme, nuk është keq të bisedoni me mjekun tuaj.
Tre ditë, tre javë, tre muaj, tre vjet…. nuk janë shumë të rëndësishme. Koha e përshtatshme për të kryer interkursën e parë, është zgjedhje e juaja dhe pasi ta keni vendosur diskutojeni me dashnorin tuaj.
Në letrën tënde, ti i shpreh mendimet dhe ndjenjat e tua në mënyrë shumë elokuente. Provo ti ndash këto mendime me djalin tënd, ashtu siç ndani bashkë jetën dhe seksualitetin tuaj. Kjo do ta rritë ndjeshëm e shëndetshëm marrëdhënien tuaj dhe do t’u ndihmojë për të marrë vendimin e drejtë, në kohën e duhur.
Që të mos mbeteni edhe ju e zhgënjyer nga hera e parë, po të shkruaj disa porosi që duhet t’i keni parasysh për herën e parë.
Interkursën por herë të parë duhet ta kryeni në një vend të rehatshëm, të sigurtë, ku nuk u shqetëson kush. Ajo nuk duhet kryer në kushte të vështira, në këmbë, dhe të frikësuar. Ju duhet të jeni të çlodhur dhe të keni bërë një dush të dy bashkë.
Duhet të dini se gjenitalet janë si flokët e borës, që nuk janë dy njësoj. Kjo është arsyeja që mekanika e seksit për herë të parë, për shumë të rinj, është e pasigurtë. Shumë vajza shqetësohen në se organi i djalit do të mund të akomodohet brenda saj pa dhëmbje. Këtë frikë e kanë edhe djemtë, veçanërisht, ata që mendojnë se kanë pasuri të madhe atje poshtë. Vajzat si ti, që provojnë penetrimin për herë të parë nuk ndjehen komode dhe provojnë dhëmbje. Ka dy arsye kryesore për këto dhëmbje:
E para- Sepse himeni do të griset për herë të parë. Himeni është një membranë e vogël që mbulon hyrjen për në vaginë. Ndonjëherë, himeni griset edhe me mënyra të tjera, që nuk kanë lidhje me aktivitetin seksual. Por, për shumicën e vajzave, seksi për herë të parë, është ai që e shkatërron himenin. Shkatërrimi i himenit, për disa vajza, mund të jetë me dhëmbje dhe me pak gjakderdhje, por kjo e fundit nuk ndodh gjithmonë.
Për arsye se muret e vaginës janë shumë të forta tek një vajzë që bën seks për herë të parë, ky është një faktor tjetër që mund të pengojë penetrimin, veçanërisht, kur penisin i djalit nuk është i forcuar plotësisht. Në seksin për herën e parë, kjo pengesë shton shqetësimin dhe bën që forcimi i penisit të mos arrihet fare. Shpesh, angazhimi në paralojë seksuale të mirë e të zgjatur, e largon këtë faktor negativ dhe penisi arrin të forcohet mirë.
E dyta- Një arsye tjetër që hera e parë të mos jetë e rehatshme për vajzat, është kur muret e vaginës mund të shtrëngohen tej normales dhe kjo nuk është komforte për penetrimin. Vaginat ndryshojnë shumë nga njëra vajzë tek tjetra, ndaj vajzat e provojnë herën e parë në mënyra të ndryshme. Sic e kuptoni kjo varet nga ndërtimi i trupit të tyre. Vulva e vajzave, ashtu si penisi i djemve, kanë dimensione të ndryshme. Por, duhet të dini, se madhësia e gjenitaleve të çdo personi nuk ka rëndësi për aktin seksual, po qe se ju do të dini t’i përshtatni ato. Ka shumë mënyra për ta bërë seksin të kënaqshëm, qoftë me penetrim ose jo.
Ka edhe disa arsye të tjera, jo të zakonshme, që e bëjnë penetrimin të vështirë. Ka një gjendje që quhet vaginizmi që ndodh në 2% të vajzave. Në këtë gjendje sa herë provohet penetrimi, ndodhin kontraksione muskulare intensive dhe të dhimbshme të mureve vaginale. Veç vaginizmit, disa vajza ndodh ta kenë shumë të trashë himenin dhe ai nuk zgjerohet lehtësisht pa shkaktuar dhëmbje të konsiderueshme dhe gjakosje. Në këto rrethana, bëni mirë të shkoni tek gjinekologu.
Në qoftë se seksi penetrant është shumë i parehatshëm për ju, provoni disa aktivitete të tjera që janë po ashtu plot kënaqësi. Po qe se ju të dy e keni mbledhur mendjen se do të bëni penetrim vaginal, ju duhet të keni aty pranë në dispozicionin tuaj sasi të mira lubrifikanti (K-Y ose silicon), dhe merrini punët me ngadalë, mos nxitoni. Provoni ta rritni gradualisht gjerësinë e vaginës tuaj. Kjo do të ndihmojë për të lehtësuar penetrimin e penisit. Filloni duke future djali në fillim një gisht. Po qe se kjo shkon mirë, le të fusë dy gishta. Po të doni mund të bleni një dildo që e ka masën më të madhe se dy gishta. Bëjeni këtë si një lojë plot shakara të gëzuar. Kënaquni pa nderë asnjë lloj presion ndaj njëri tjetrit. Pas kësaj djali të provojë të penetrojë. Uroj ta eksploroni plot kënaqësi këtë eksperiencë.
Paçi fat e shëndet
Dr. Adem Harxhi – DITA