Nga Adem Harxhi
Ka shumë njerëz që kanë dëshirë të vishen si seksi tjetër. Disa e bëjnë hapur, disa të tjerë e bëjnë fshehurazi.
“Veshja ndryshe” (me teshat e seksit tjetër) është një term që përdoret për një tok fenomenesh komplekse. Kjo varion nga veshja e një ose disa artikujve të gjinisë tjetër, siç janë të mbathurat dhe sutjenet femërore, që i përdorin fetishistët burra, e deri tek veshja e mbretëreshave të komedive.
Karl Jungu, na mëson se nevoja për “veshje ndryshe”, dhe pse në shkallë të ndryshme, ekziston tek çdo njeri.
Jungu tregoi se burrat dhe gratë ndjehen jo të plotë ashtu siç janë dhe që të plotësohen, në mënyrë të pandërgjegjshme, kërkojnë të identifikohen me seksin e kundërt. Kjo historikisht lidhet me një mit të famshëm grek.
Hermafroditus, quhej djali i perëndisë greke Hermes dhe perëndeshës Afrodite. Kur djali u bë pesëmbëdhjetë vjeç, ai ra në dashuri me një nimfë të bukur, e cila i u lut zotave që t’i bashkonte të dy në një qenie e vetme dhe të pajisur me organet seksuale të të dyve. Dëshira e saj u plotësua dhe ne fituam fjalën “hermafrodite” = Hermes+Afrodita.
Fëmijët, përgjithësisht, kanë dëshirë të vishen ndryshe. Sipas “Boston Globe” të vitit 1987, Senatori Eduard Kennedy i dhuroi një paruke bionde dhe një minifund, nipit të tij Josef Kennedy, për natën e krishtlindjeve,.
Veshja ndryshe na jep mundësinë të shprehim anë të ndryshme të personalitetit tonë, gjë që vërteton argumentin e sipërcituar të Jungut. Në vitin 1982 në filmin “Tootsie”, aktori i shquar Dustin Hoffman, luajti rolin e një femre. Më pas, ai tha se roli i lejoi të eksplorojë “anën e tij femërore” dhe të mësojë shumë më shumë për personalitetin e tij.
Termi “intersex”, përdoret më shpesh nga termi “hermaphrodite”. Zakonisht, njerëzit lindin me gjenitale që i identifikojnë qartë si mashkull ose si femër. “Është djalë” ose “është vajzë”, thonë njerëzit kur u lind një fëmijë. Por, fëmijët që lindin me interseks, ose hermafroditë, është vështirë t’u përcaktohet gjinia së cilës i përkasin. Ata kanë lindur me organe riprodhuese dhe organe gjenitale të pa përcaktuara qartë dhe ato janë në nivele të ndryshme zhvillimi.
Për të kuptuar më mirë se çfarë është interseksi, bëni këtë analogji: Mendojeni seksin biologjik si një spektër ngjyrash, ku ngjyra e njërit skaj është “femra” dhe ngjyra e skajit tjetër është “mashkulli”. “Intersexualët”, ose hemarfroditët, janë ata që janë vendosur në një nga pozicionet e ngjyrave të ndërmjetme – diku midis dy ekstremeve. Duke bërë këtë krahasim, do të kuptoni sa i madh është numri i variacioneve që mund të ekzistojnë.
Zhvillimi i fetusit në mitrën e nënës është një proces i komplikuar, në të cilin përfshihen kromozomet, gjenet, gonadet (ovaret dhe testikujt), hormonet dhe receptorët hormonalë. Në të gjithë këto elementë mund të shfaqen variacione. Kjo bën që një vajzë ose një djalë të lindë me gjenitale dhe organe riprodhuese të brendshme, që ndryshojnë nga norma. Variacionet e jashtme dallohen që në lindje, ndërsa variacionet në organet gjenitale të brendshme nuk mund të dallohen përpara se djali dhe vajza të arrijnë moshën e pubertetit.
Gjendja më e zakonshme e interseksit është hyperplasia adrenale congjenitale. Çfarë ndodh në këtë rast?. Fetusi me XX kromozome, pra një fetus femër, i nënshtrohet çrregullimeve gjenetike që lidhen me funksionin e gjëndrave adrenale. Adrenalet, në këtë rast, prodhojnë më shumë hormon dhe vajza lind me një klitor që është më i madh se mesatari. Kjo vajzë me XX kromozome (kromozome tipike “femërore”) mund të ketë anatomi tipike femërore, por me një klitor të madh që duket si penis.
Njerëz të tjerë me interseks mund te kenë XX kromozome (kromozome tipike “femërore”), por ndjejnë dhe veprojnë si “meshkuj”. Ata kanë penis, por nuk kanë testikuj. Në vend të testikujve kanë dy ovare, kanë një uterus dhe tubat e Fallopit. Të tjerë, mund të ndjehen dhe veprojnë si “femra”, edhe pse kanë XY kromozomin (kromozome tipike “mashkullore”). Këta kanë dy testikuj dhe disa organe riprodhuese të brendshme mashkullore.
Disa djem, që kanë sindromën e Klinefelter-it (XXY kromozome), duket sikur zhvillohen “normalisht” deri në pubertet. Por, kur fillon puberteti, ata shfaqin “ndryshime “ tipike. Ata janë të paaftë të prodhojnë spermatozoide, gjë që i bën të jenë sterilë(të paaftë për të ngjizur fëmijë).
Këto që thashë janë vetëm pak prej shumtë variacioneve kromosomale që mund të shfaqen.
Në shumicën e shoqërive njerëzore, gjinia dhe ideja që njerëzit kanë për gjininë, ka të bëjë shumë me mënyrën si njerëzit flasin, veprojnë dhe trajtohen. Llogaritet se, afërsisht, 1 në 2000 fëmijë ka anatomi riprodhuese “konfuzionuese” dhe kjo e bën të vështirë identifikimin e fëmijës si “mashkull” ose “femër”. Numri i këtyre fëmijëve nuk është aq i vogël, ndaj këto largime nga norma nuk duhet të neglizhohen nga mjekët dhe prindërit.
Për t’i klasifikuar qartë individët me interseks si vajzë ose djalë, roli i kirurgjisë është i rëndësishëm dhe shpesh ajo kryhet që në lindje, ose në moshë fare të re. Qëllimi i saj është të ndryshojë gjenitalet, për t’i bërë ato të duken “normale”. Këto operacione, që shpesh bëhen për arsye kozmetike, mund të prishin funksionin e gjenitaleve dhe kjo është një formë e shkatërrimit ( mutilimit) gjenital. Për shembull, doktorët mund të bëjnë një operacion “kozmetik” tek një vajzë e sapo lindur, ose fare e vogël, që ka lindur me një klitor të madh. Ky operacion bëhet që të zvogëlohen përmasat e klitorit, deri në atë masë që ai të konsiderohet “normal”. Por, mund të ndodhë, që kjo ndërhyrje kirurgjikale të prishë përgjigjen seksuale të vajzës, kur ajo të rritet. Operacioni dëmton nervat e klitorit.
Shumë persona të rritur që janë me interseks, janë në gjendje të gjykojnë dhe të vendosin vetë, për t’i bërë këto operacione. Por adoleshentët, që prindërit vendosën t’i operojnë sapo ata kishin lindur, ndjehen të shkatërruar, të diskriminuar, të pafuqishëm dhe të detyruar. Shumë prej tyre, tani që janë rritur, nuk ndjehen në përshtatje me seksin që u kanë dhënë prindërit, me operacionin që e kanë kryer kur ishin fëmijë. Personat e operuar që fëmijë, kur rriten, ndjehen të pakënaqur nga këto operacione.
Është kjo arsyeja, që doktorët sot këshillojnë: Personat e lindur me “interseks”, të operohen kur ata vetë do të jenë të aftë për të marrin vendimin për operacionin që do të përcaktojë gjininë e tyre. Këshillohet që kur të marrë vendimin, personi të ketë informacionin dhe mbështetjen e duhur. Kjo do të thotë që operacioni të bëhet kur personi të jetë në moshë që të japë pëlqimin.
Ajo që do t’u këshilloja prindërve dhe gjithë shoqërisë, lidhur me trajtimin e personave që lindin me interseks është : Silluni me ata të përkushtuar dhe me kujdes. Mos i kufizoni nga jeta. Ndihmojini që nëpërmjet edukimit, këshillave, mbështetjes dhe historive personale e të suksesshme të shokëve të tyre me “interseks”, të integrohen sa më mirë e sa më shpejt në jetë.
———
Marrë nga rubrika e Dr. Adem Harxhit në DITA. Ndalohet ribotimi i plotë apo i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë dhe pa citimin korrekt e të dukshëm të burimit. Fotografia shoqëruese: “Hermafroditi i fjetur” në Muzeun e Luvrit
mu duk pak si rrokoko ky shkrim!!
në rrëmujë e tmerrëshme!!
si me fol alfred cako për mënçurinë e rromakëve që nuk përdornin vaksinat kundër epidemive!!
o doktor e ke bërë pak si lesh e li!!