Nga Dhimitër Shtëmbari
Zbritur dekada më parë, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, mendimi na çon edhe te ata shumë njerëz që i dhanë zë punës së ndershme.
Kujtojmë me nostalgji, ndër shumë të tjerë, shoferët e shkëlqyer Dhimitër Delijorgji nga Gjirokastra, Pilo Lera nga Korça, Nikoll Çuni nga Shkodra…
Kujtojmë me respekt e nderim traktoristët e famshëm Riza Burja nga Shkodra, Rako Pina nga Lushnja, Shyqyri Kanapari nga Kavaja…
Sjellim ndërmend e, sigurisht, nuk mund të mos u shprehim mirënjohje mjelëseve rekordmene të kohës Gjyze Mara nga Kamza, Selvije Hoxha nga Lushnja…
E si të mos jetosh emocion kur të vjen në kujtesë emri i Gani Tuçepit, këtij inxhinieri pa diplomë, që projektonte e ndërtonte kanale ujitës shpateve të maleve të Dibrës.
Dhe ndërsa lexon për tunelet e këtyre kohëve, mendimi tw çon te Sali Vata, ose “luani i tuneleve”, siç flitej atyre kohëve për këtë njëri të përkushtuar.
Brezit të ri, ndoshta, i bëhet të buzëqesh teksa dëgjon të flitet për Alo Qosen në Sojnik të rrethit të Gramshit, që, edhe pse ishte brigadier, punonte drejtëpërdrejt në prodhim gjysëm dite dhe realizonte po aq norma pune sa edhe çdo anëtar i brigadës.
Po le të mos zgjatemi më tej me të tilla figura të shquara të punës dhe të qendrojmë te personazhi i shkrimit tonw; Bajram Hysko, banor i lagjes “Kadri Qystri” i qytetit të Lushnjes.
Që kur ishte fort i ri zotëronte të gjitha llojet e patentave
I lindur në vitin 1930 në një familje të thjeshtë qytetare, edhe pse fare i ri në moshë, pionier, Bajram Hysko do të lidhej ngushtë me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Drejtuesit lokalë të Luftës do ta aktivizonin në detyra që kërkonin sa zgjuarësi, aq edhe guxim e trimëri.
Në vitet e para të pasçlirimit Bajram Hyskon do ta gjeje brigadave vullnetare të Rinisë. Në aksionet për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara nga lufta. Në hapjen e rrugëve fshatrave të ndryshëm të rrethit. Në kanalin e Vlashukut, që do të mund t’i jepte ujë fushave të mbjella të Myzeqesë.
Do ta gjeje edhe aksioneve të Rinisë në hekurudhat e para të Shqipërisë. Dhe kudo e kurdoherë, njëri i sakrificës.
Sakaq, u shkonte nga mbas atyre që merreshin me makina e traktora. S’i ndahej shpirti nga mjetet mororrike. Nuk u përtonte kurseve. Sakrificë është të mësosh qoftë edhe duke mos u paguar. Të mësosh nuk është kohë e humbur, mendonte.
Dhe vazhdonte të përvetësonte mësime e shprehi për përdorimin e llojeve të ndryshëm të traktorëve. Atyre me goma dhe atyre me zinxhirë. Të kombajnave e të mjeteve që përdoreshin në Bazën Mekanike të Ndërmarrjes.
Kur shkoi në zyrën e Kuadrit të NB “Nëntori” për t’u pranuar në punë, Bajrami paraqiti disa lloje patentash dhe dëshmish profesionale për përdorimin e mjeteve motorrike.
– Sa mirë! Ti i paske të gjitha! Pikërisht ti na duhesh këtu! – i patën thënë në atë zyrë. – Që nesër fillo nga puna.
Nga shënimet e hershme me kujtime
Duke shfletuar bllokun e hershëm me fletë të zverdhura të gazetarit, gjej në të shënime interesante nga një bisedë e zhvilluar dekada më parë me mekanizatorin e shquar Bajram Hysko.
– Nuk ka qënë kjo fushë kështu siç e shikon tani, – më pat thënë atëhere Bajrami në atë bisedë. – Tërbufi ka qënë një kënetë e madhe e mbuluar me ujë e kashtë. Në Dushk pat qënë një skelë, ku “ankoroheshin” anije që transportonin njërëz për në kodrat e Grabjanit, të Gërmenjçokut apo të Bishtçukasit. Brënda kënetës kishte ishuj, ose bëze, siç i thoshnim atëhere, ku gjeje kasolle peshkatarësh.
Në faqet e tjera të bllokut tim të shënimeve gjej të shkruar: “Atyre kohëve të para vitit 1960 këtu gjeje mekanizatorë nga të gjitha anët e Shqipërisë. Shikoje traktorë të rëndë “Stalinecë”, që hapnin vija për kullim, siç shikoje edhe mjaft ekskavatorë “Voronezh” , që hapnin kanale kulluese në drejtim të hidrovorit të Bishtçukasit.”
Në shënime, lexoj: “Atyre viteve të para, kur qe larguar ujë shekullor, kjo fushë ishte krejt torfë. Kam një histori, na thotë Bajrami: Mbasi punova tërë ditën, mbrëmjes vonë shova traktorin dhe shkova në shtëpi. Të nesërmen mjetin e gjej të mbytur nën tokë! I dukej vetëm kabina! Torfa e kishte thithur poshtë, brënda saj! U mblodhëm për të diskutuar, se si do të mund ta nxirnim. Na u desh ta hapnim torfën përpara mjetit, të shtronim dërrasa e, në vazhdim, edhe trungje, që arritëm ta nxirnim traktorin nga poshtë.”
I ndërgjegjshëm, si vetw ai
Në armatën e madhe të mekanizatorëve të NB “29 Nëntorit” Bajram Hysko do të ishte nga më të shquarit. Shumë punëtor. Më sakt: i sakrificës. Atë që të tjerët e arrinin për një javë, ai e arrinte për tri ose katër ditë. Punën e një muaj, e realizonte brënda tri javëve. Si? Siç dinte ai ta realizonte. Domosdo, edhe me sakrificë.
Ndërkohë, ishte edhe shumë modest.
Tregon Viktor Davidhi, ish përgjegjës i propagandës bujqësore në NB “Nëntori”: Rasti e solli të isha më Bajramin te sektori i Tri Urave, ku kishim vendosur një qëndër të madhe të emulacionit socialist.
– Viktor, – më drejtohet Bajrami, – çfarë është kjo këtu?!
– Kjo që shikoni është, – ia kthej. – Objektivi i ndërmarrjes, angazhimi juaj dhe… realizimi faktik.
– Dakort me këto dy të parat, por realizimi nuk është i saktë. Në drejtorinë e Ndërmarrjes e keni marrë këtë tregues?
Kishte qendruar një hop dhe i ishte drejtuar sërish:
– Ta kanë dhënë gabim, more Viktor. Këtë tremujor nuk e kam arritur angazhimin. Vërtet e kam tejkaluar planin, bile ndjeshëm, por… angazhimin nuk e kam arritur.
Dhe unë, tregon Viktori, shkoj në drejtorinë e Planit të Ndërmarrjes, mësoj treguesit e realizimit të detyrave të këtij traktoristi dhe vërtet gjej të vërtetën që më kishte pohuar vet Heroi.
Ndërsa bëja korigjimin, një mendje më thoshte: e kush do të qe ai njëri që do të mund të mendonte se Bajram Hysko s’e kishte arritur angazhimin?!
Mirëpo, hajde ta ndreqje me të zotin e punës!
I ndërgjegjshëm si vet ai, Bajrami nuk ndihej i qetë po të mos shprehte vetëm të vërtetën.
Me Heroin Belul Kamberi e lidhte ndjenja e dashurisë për punën
Në mbrëmjen e 28 Nëntorit të vitit 1974, në prag të 30 vjetorit të çlirimit të Atdheut, përmes Radiotelevzionit Shqiptar Bajrami dëgjoi të ishte dekoruar me titullin më të lartë: Hero i Punës Socialiste.
Më 2 dhjetor 1974 vjen i deleguari nga Tirana për të dorëzuar dekoratën e lartë. Në presidium, në krah të Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë të rrethit, Rrapi Gjermëni dhe kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit, Miti Rrapo, ishte ulur edhe Bajram Hysko, pak më tej – edhe naftëtari Belul Kamberi nga Sevasteri i Vlorës.
Pasi foli i deleguari nga Qëndra, pritej të fliste edhe i porsadekoruari, Bajrami. Në çast nxori një letër dhe nisi ta lexojë, por… e kuptoi se e pengonte. Vendosi të fliste i shpenguar. Ashtu bëri. Dhe u shpreh:
– Në këtë dekoratë, të dashur vëllezër e motra, kanë pjesë tërë punonjësit e Ndërmarrjes Bujqësore “29 Nëntori”. Se nuk jam vetëm unë që e bonifikuam atë ish kënetë të mallkuar, prej së cilës përfituam rreth 15 mijë hektarë tokë. Se nuk jam vetëm unë, që kemi arritur të marrim mbi 40 kv grurë për ha dhe mbi 60 kv misër për ha në të gjithë sipërfaqen…
Folën edhe disa nga shokët e Bajramit, duke vënë në dukje edhe modestinë e shokut të tyre.
– Po, kemi të dalluar edhe shokë të tjerë, – qe shprehur dikush, – por… Bajrami ha bukë veç. Në duart e tij mjeti punon dhe këndon.
Atë pasdite të 2 dhjetorit 1974 titulli i Heroit iu dorëzua edhe naftëtarit të shquar Belul Kamberi, invalid i njohur i LANÇ. Dhe Bajrami e kishte ftuar në shtëpi shokun e vet, duke kaluar me të një mbrëmje të gëzuar.
I veçantë, mes të veçantëve
Aty nga fundprilli i vitit 1976 në një zonë të fushës së gjërë të NB “29 “Nëntorit” gjatë një nate ra shumë breshër. Kur dolën në mëngjes nga shtëpia banorët e sektorit Pluk, dhe jo vetëm këta, kishin mbetur të shtangur. Në dhjetëra hektarë grurë, grurë që ishte në fazën e nxjerrjes së kallirit, qe bërë rrogoz përtokë! Ishte një pamje vërtet e dhimbshme.
Ministrja e Bujqësisë, Themije Thomaj, u gjend urgjent aty dhe, tepër e trishtuar nga ajo pamje e pazakontë, ftoi të vinin aty specialistët më të mirë të bujqësisë. Ftoi edhe shkencëtarë të Institutit të Kërkimeve Bujqësore.
Mendimet e shprehura për atë problem që shtrohej ishin të ndryshme. Kishte nga ata që mendonin, se toka duhej pluguar. Të tjerë thoshnin, se duhej korrur gruri i rrëzuar. Por kishte edhe nga ata që besonin ende te fuqia organike e bimës. Edhe pse i bërë lesë mbi tokë, shpreheshin këta, bima e grurit mund të ringrihet disi dhe të lidhë kokrra.
Mbas shumë diskutimesh u vendos, që në pjesën më të madhe të sipërfaqes bima të lihej për t’u rimëkëmbur. Dhe ashtu u veprua.
Kur erdhi koha e korrjes, doli problemi tjetër: kush do të mund ta merte përsipër për ta korrur, se bima, sidoqoftë, paraqitej tepër e përkulur.
– Këtë punë mund dhe duhet ta kryejë vetëm Bajram Hysko, – qenë shprehur në drejtorinë e Ndërmarrjes.
Këtë mendim e patën përforcuar edhe vet mekanizatorët e Ndërmarrjes.
Kuptohet, Heroi nuk e pati të lehtë, por mjeshtëria e tij e lartë profesionale bëri të mundur që ta realizonte detyrën në mënyrën më të mirë të mundshme.
Një përgjigje e zgjuar drejtuar Hysni Kapos
Ndërkohë që atë mëngjes dielli kishte marrë përpjetë dhe kombajnerët bëheshin gati për t’u futur në detin e gjërë të grurit të NB “29 Nëntorit”, në krye të arës arrin Sekretari i Komitetit Qendror të PPSh, Hysni Kapo. Përshëndet mekanizatorët dhe i pyet:
– Sa kv grurë për hektarë do të merni nga kjo sipërfaqe që keni marrë përsipër të korrni?
Kombajnerët nisën të vështronin njëri – tjetrin në sy.
Hysniu nuk i la të mendonin gjatë, por ndërhyri sërish:
– Këta të Drejtorisë së Ndërmarrjes më thonë, se do të meret mbi 50 kv për hektarë, çka do të thotë, sipas këtyre, se do të mund të arrihet edhe angazhimi i marrë…
Pat qendruar një çast dhe u qe drejtuar sërish:
– Hë, jeni të një mendjeje me shokët e drejtorisë së Ndërmarrjes?
Teksa e kishin parë se mysafiri i lartë e priste një përgjigje, kishte ndërhyrë Bajram Hysko:
– Shoku Hysni; unë nuk e di se si e keni kohën, por po qe se mund të prisni, këtë përgjigje mund t’jua japim të përafërt mbas një gjysëm ore…
– Posi, pres sa të doni ju…
– Do të bëjmë me kombajnë nja dy rrugë; një tutje e një tejtu dhe… kjo do të na përgjigjet, – kishte shtuar Bajrami.
Dhe ashtu qe vepruar. Mbas dy rrugëve të kombajnës ishte mësuar e vërteta: detyra edhe mund të realizohej, ndërsa angazhimi…
Kur kishte dëgjuar përgjigjen që iu dha, Hysniu kishte vështruar nga kuadrot e drejtorisë, si për t’u thënë: këta duhen dëgjuar e besuar.
Besonte vetëm te shenjtëria e punës
Me rastin e 1 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, në sallën e Pallatit të Kulturës në Lushnje do të organizohej një solemnitet festiv.
Në presidium duhet të kemi patjetër edhe nja dy Heronj të Punës Socialiste, ishte dhënë porosia nga ana e Komitetit të Partisë të rrethit.
Kur po afrohej ora e fillimit të mbledhjes solemne, njëri nga Heronjtë, pikërisht Bajram Hysko, nuk po dukej.
– Ka karriken e vet, madje atë që ndodhet menjëherë mbas Sekretarit të Parë, – ishte shprehur kryetari i Këshillit të Bashkimeve Profesionale të rrethit, Sotir Mita.
Një nga instruktorët e Komitetit të Partisë i hipi biçikletës dhe nxitoi për në shtëpinë e Heroit. Nuk e gjeti atje! Nxitoi për në drejtorinë e Ndërmarrjes, por as atje nuk mësoi ndonjë lloj përgjigjeje.
Të nesërmen e kësaj mbledhjeje e thirrën Bajramin në Komitetin e Partisë të rrethit dhe i kërkuan sqarime lidhur me mungesën që kishte bërë në mbledhjen festive kushtuar 1 Majit.
– Isha në punë, – u pati thënë. – Nuk mund ta lija përgjysmë mbjelljen e misrit në një parcelë në afërsi të Çermë – Sektorit.
– Dakort, dakort, – i patën thënë. – Por shokët e Partisë të donin në mbledhje… Je hero. Tani le ta shikojë këtë çështjen tënde vet Komiteti i Partisë i Ndërmarrjes.
Një nga punonjësit e Komitetit të Partisë të NB “29 Nëntori” i qe drejtuar Llazar Akullit – kryetar i Bashkimeve Profesionale të Ndërmarrjes, që të merte pjesë në një mbledhje të organizatës – bazë të Partisë, ku do të mund të këshillohej Bajrami për mungesën e bërë në solemnitetin e 1 Majit.
– Do të shkoni në organizatë për të këshilluar Bajramin?! – qe habitur Llazari. – Sikur nuk shkon kjo. Unë për Të kam përgatitur një Fletë Nderi me rastin e 1 Majit.
* * *
Teksa përgatitja këtë shkrim, shfletova edhe një herë librin interesant të shkrimtarit Sokrat Ndreçka “Ata bënë epokë”, botim i Bashkisë së Lushnjes, për të gjetur ndonjë material shtesë për Heroin Bajram Hysko, por… nuk ia gjeta emrin! Në këtë libër janë përfshirë emra njerëzish shumë të nderuar të Lushnjes, por, përse të mos e themi: duke mos gjetur disa nga Heronjtë e Punës, lëndohesh në ndjenjë.
Dhe, natyrshëm, të lind pyetja: përse të mos jetë në këtë libër, fjala vjen, edhe Heroi i shquar i bujqësisë, Bajram Hysko? Me zetor, me traktor apo me kombajnë ai nuk dëmtoi asgjë, përkundrazi, i qendisi fushat e ish NB “Nëntorit”.
Dekorata e lartë i qe dhënë jo për fjalët e bukura propagandistike, por për tërë ato realizime të arritura me aq shumë sakrifica e djersë, që begatuan fushat e gjëra mbi ish kënetën e mallkuar të Tërbufit.
Mbi të gjitha, Bajram Hysko ishte NJERI.

E kam njohur Bajram Hyskon; eshte ashtu siç pershkruhet nga gazetari Dhimiter Shtembari. Ishte nje mekanizator vertet idealist, qe punonte per llogari te viteve te ardhshme. Thuhet bukur, ai vertet fluturonte neper kohe. Meritojne te tille njerez qe te kujtohen e te nderohen ne breza. sepse punuan per Shqiperine, aspak per veten e tyre. Nderime, Dhimiter!