Heroi Pandi Toçe dhe deheroi Agron Cane

redaktor

Shqiptarët këto ditë u tronditën nga dy ngjarje, pa e dalluar se cila i shokoi më shumë: e larta apo e ulëta, akti i një fisniku apo skandali i një lamashi? Rrallë kush e kuptoi se morali i shoqërisë sonë u vu në test dhe, pak kush e ndjeu se sa poshtë kemi rënë. E larta lidhej me fatin tragjik të Pandi Toçes, i gëlltitur nga një gropë thithëse në liqenin artificial të Tiranës: në tentativën për të shpëtuar një fëmijë 12-vjeçar dhe, e ulta, me perversitetin moral të një palo zyrtari hije, i cili, në këmbim të vendit të punës: i kërkonte nënës t`i sillte në shtrat vajzën e saj 14 vjeçare. Në atë llucë ku duhej të fundosej deheroi, për fat të keq u mbyll jeta e një heroi, që, shoqëria shqiptare për të zezën e saj, nuk e ndjeu të vetin. Në mos u çudit, që ai ekzistonte ende, si një atavizëm i së shkuarës. Opinioni publik nuk denjoi të merrej me të, pasi të shpëtosh tjetrin sot mbetet një utopi, është e pabesueshme, romantizëm libror, pasi gjithandej dëgjon për gropat e zeza, ku rrezikojmë të bjemë të gjithë. Krahas “gropës financiare” që ankohen qeveritarët, u desh dhe kjo gropë thithëse, të merrte një njeri të nderuar, duke shpallur njëherësh dhe rrezikun e falimentimit të një shoqërie në rrënim moral.

Siç ndodh rëndom, opinionin publik e kapi një lloj mallëngjimi, i cili u fashit shpejt, pasi shpërtheu lajmi i bujshëm i një deheroi, i cili, nga pozita e një punëdhënësi me kompetenca të deleguara, bënte dallaverexhiun, vetëm se rrinte pas bythës së një deputeti. Duke dëshmuar dhe njëherë tjetër se rrëthanorët e pushtetarëve ushtrojnë pushtetin de facto, kundrejt atij de jure të autoriteteve. Me fuqinë e huajtur, shpurrakët ndonjëherë bëhen më të fuqishëm nga vetë zotërit e tyre. Në emër të dikujt mund të nxirren përfitime më shumë nga ç`mund të nxjerr ai vetë prej emrit të tij. Kjo është forma më e sofistikuar e kapjes së shtetit demokratik prej “të qepurve”, dava sekserësh e matrapazë zyrash. Pa qenë asgjë, ata befas kthehen në gjithçka. Ata nuk kanë frikë, as turp prej të këqijave që bëjnë, sepse e dinë që fatura u shkon titullarëve, të cilëve u bije pazari, nuk kanë duk, veçse prej faqezinjëve, të cilët, thirren në popull si objekte pronësie: i “atij politikani” dhe i “kësaj pushtetareje” dhe, asnjëherë të vetes, siç qe dhe i ndjeri, Pandi Toçe.

Të gjithë e harruan heroin e vetmuar dhe, gjithandej flitet veçse për deheroin e shumëfishuar. Kjo Shqipëri e vogël, ku gjithkush njihet si pare e kuqe, si është e mundur të ndodh: kundrejt atij që i duhet, të zgjedhë atë që i prish punë?! Agron Cane nuk është më një rast i izoluar, tashmë ai është një fenomen. Nuk është puna se ai pëlqehet poshtë, e gjithë puna është se ky soj arrin të fitojë simpatinë lart. Deheroi nuk është fenomen i një krahu politik, ai është dukuri i atyre që vijnë në pushtet. Nëse ngjyra mund të bëhet shkak diskriminimi racor, deheroi ynë bojatiset enkas: qoftë me blu apo të kuqe, si e si të bjerë në sy për një zell partiak, që, realisht po na rezulton çdo herë që e ka për punë të pista. Kjo nuk është një çështje maniakësh, tashmë ky është një problem i madh i shoqërisë sonë, që, thërret për shpëtim.

Kështu heroi na doli të jetë atipik dhe deheroi tipik, i kësaj shoqërie që e zgjat enkas tranzicionin, ndoshta nga që heronjtë i mungojnë realisht, apo që u ka ndërruar vendet: sojlliut me sojzësin? Njerëzit e shajnë të keqen, s’lënë gjë pa thënë kundër saj, siç po ndodh realisht dhe me Agron Canen, por, qofsha i gabuar, kur vjen puna për të zgjedhur: bëhen me të keqen. Nëse kjo tendencë kthehet në forcë zakoni, atëherë ky është një mjerim.

Në çdo shoqëri të shëndetshme, ai që sugjerohet për t`u imituar është heroi. Ndër me ne po ndodh krejt ndryshe. Deheroi i sotëm është kthyer në një hero për të përlyerit, fal politikës, që, në “tregun e zi” të baltosjes, faqeziun e kthen në një “ar të zi”. Në këtë farë feje, ku ka rënë politika, mos u çudisni një ditë, si një ish-ushtarak të na mburret për kontributete e tij të futjes në Nato, apo fal aftësive operacionale të tij janë asgjesuar aq e kaq grupe kriminale në shfrytëzimin e të miturve. “Nuk dua të them shumë fjalë se mburrem, por po deshi Zoti dhe unë zgjidhem kryetar i bashkisë, dije se vajza jote do të shikojë të ardhmen”, shprehet perversi. A duhet ta besonte hallexheshka? A duhet ta besojmë ne, që ky farë burri të na kthehet një ditë, si njeri karriere? Sa e sa të tillë, që, kur i kemi dëgjuar se do të zënë poste, apo pretendojnë të bëhen deputet, qoftë dhe më lart, ne jemi gajasur, gjithësesi të nesërmen ata janë bërë dikushi me pushtet, duke tallur menderen me ne. Nëse Dritero Agolli është shprehur me tallje në një varg të tijën se “Lek Dukagjini nuk është Lek i Lecit.”, me gjithë këto përçudnime të politikës, duhet të ketë kuptuar se Lek i Lecit mund ta torolisë Lek Dukagjinin, me keq nga një roje nate.

Me sa duket, po i japim të drejtë Shekspirit kur thotë se e keqja ka arritur deri aty sa: ”Virtyti duhet t`i kërkojë ndjesë vesit”. Historia e heroit dhe e deheroit mbetet një argument kokëfort për aq kohë sa politika nuk do bëhet palë me të keqen, duke besuar se Pandi Toçe është një hero i gjallë dhe jo i stisur, sikurse ishin ata të realizmit socialist, të cilët, në vitet e gjata të tranzicionit u kthyen në kapo.

Share This Article
6 Comments
  • Rilinda-it e sotem ne ndryshim nga “Rilndas-it”e pare ne pamundesi per ti hipur kalit pasi eshte jasht mode kan vendosur ti hipin krevat-it!!
    Nuk ka te dhena per Rilindas-it e medhenj,!!Por “Rilindas-it”e vegjel kerkojne ti hipin krevat-it nga tre veta bashk!:))

  • Shume e goditur si gjetje ! Lufta mes vleres dhe vesit ! Me pelqeu kaq shume dhe une votoj , kuptohet per vleren…

      • Një esse mjaft e goditur dhe mjaft e ngjeshur në “lëndë” por unë dua të them diçka tjetër. Autori F. Rustemi te cilin nuk e njoh dhe as e kam takuar ndonjëherë eshtë nje autor shumë i thellë dhe interesant. Rastesisht me kanë rënë ne dore nje apo dy libra te tij ku analizonte Kadarené dhe një incident me të dhe sinqerisht më ka habitur? Eshtë një autor shumë i thellë dhe cuditem përse është kaq i pazëshëm në median e shkruar shqiptare? Kur e lexova në librat që thashë mendova,- si ka mundësi qé ky e njeh Kadarenë kaq thellë dhe vetë është kaq i padegjuar? Ja doli sot dhe mua më duket si çudi! Eshtë autor i hatashëm? Nderime për këtë esse! Mjaft e arrirë!

  • Një esse mjaft e goditur dhe mjaft e ngjeshur në “lëndë” por unë dua të them diçka tjetër. Autori F. Rustemi te cilin nuk e njoh dhe as e kam takuar ndonjëherë eshtë nje autor shumë i thellë dhe interesant. Rastesisht me kanë rënë ne dore nje apo dy libra te tij ku analizonte Kadarené dhe një incident me të dhe sinqerisht më ka habitur? Eshtë një autor shumë i thellë dhe cuditem përse është kaq i pazëshëm në median e shkruar shqiptare? Kur e lexova në librat që thashë mendova,- si ka mundësi qé ky e njeh Kadarenë kaq thellë dhe vetë është kaq i padegjuar? Ja doli sot dhe mua më duket si çudi! Eshtë autor i hatashëm? Nderime për këtë esse! Mjaft e arrirë!

  • I bardh qofsh, Bardh Rustemi…
    i kthjellet, pavaresisht modave, “rebel” i kendshem i myzeqareve te urte te …ushnjes!
    i larte, si shtat fjale majakovskiane ne variantin modern kuptimor te saj…
    I vertete dhe i tejdukshem si ne poezine per “perdorjen e Faslli Halitit”…!

    I sinqerte dhe i pakompromis, sepse behet fjale per moralin si virtyt per te mbetur njerez,
    jo per moralin si ves per te bere karriere ne tranzicion dekompozues…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *