“Do të vazhdoj të përkrah Shqipërinë dhe të jem pjesë e vendit tim”. Është ky reagimi i Herolind Shalës. Mesfushori 24-vjeçar, që u la jashtë listës përfundimtare për Francë 2016 nga Gianni De Biasi ka reaguar për herë të parë që pasi la i dëshpëruar vendgrumbullimin e Kombëtares në Austri nëpërmjet një postimi në profilin e tij zyrtar në Facebook.
Reagimi i fundit ky nga katër të larguarit pasi Gjimshiti, Rashica, dhe Rrahmani kishin folur që ditën e largimit, e ndoshta dhe disi i detyruar nga një koment që i është atribuuar vëllait të Herolindit, Mirlindit, i cili kishte komentuar me tone mjaft të rënda zgjedhjen e De Biasit duke shkuar deri aty sa të krahasonte Shqipërinë me Serbinë, gjithsesi nuk dihet me siguri nëse ky ishte vërtet profili i vëllait të Herolindit, i cili nëpërmjet faqes së tij zyrtare ka shuar çdo spekulim duke u shprehur:
“Përshëndetje miq. Siç e dini nuk jam pjesë e skuadrës për në Francë, por unë do të vazhdoj ta përkrah Shqipërinë dhe të jem pjesë e vendit tim. Zgjedhjet e trajnerit duhen respektuar dhe shpresoj në sukses në Kampionatin Evropian. Gjithçka që keni lexuar për mua nuk janë të vërteta, do të jem pjesë e Shqipërisë përgjithmonë. Forca Shqipëri!”. Një reagim ky prej profesionisti dhe shqiptari të vërtetë.