Prof. As. Dr. Artan Xh. DUKA
Pushtimi rus në Ukrainë ishte deri dje i paimagjinueshëm për një kontinent që gëzon paqe prej shtatë dekadash. Çdo mendje normale do e shihte si blof kërcënimin për luftë por ja që lufta vetëm akt normalësh nuk është. Mjerisht, edhe në Ukrainë, doli një kronikë e paralajmëruar që tanimë ka lebetitur në panik qytetërimin e shekullit të 21 që, këtej bën plane për kolonizim të Marsit, këtej shtanget me kolonizimin në zëmër të Europës.
Ushtria ruse nuk ka punë në Ukrainë. Me apo pa të drejtë, për çdo pretendim e shqetësim ndaj politikave të fqinjit, fatin e popullsisë ruse në Ukrainë përfshirë dhe rajonet rebele në lindje, ka plot forume, forma e mënyra paqësore për t’i parashtruar e zgjidhur ato. Dhe kur ka logjikë, koha prodhon edhe mirëkuptim.
Pushtimi nuk i bën nder Rusisë që ka bërë emër në histori me qëndresat ndaj pushtimit dhe milionat e të rënëve për lirinë e saj e vetë Europës. Ky pushtim i paprovokuar nuk të çon kund; pushtimi është një gjë, mbajtja nën pushtim një tjetër. I provuar e stërprovuar historikisht, është përkufizim i anormales me të humburin e madh palën që e nis atë.
***
Me pushtimin e Ukrainës, Rusia po vet-izolohet dita-ditës përballë denoncimit e damkosjes mbarë botërore, nga OKB e nivele të tjera, duke prodhuar një standard të pa hasur më parë të sjelljes së komunitetit botëror ndaj respektimit të ligjit ndërkombëtar.
Nga ana tjetër, ky pushtim mjerisht ekspozoi njëkohësisht edhe duart e lidhura, shkurtpamësinë e mefshtësinë e komunitetit ndërkombëtar për të parandaluar këtë luftë nga problematika e vijave të kuqe, fjala e fundit e thënë e para, fakti i kryer etj (sikurse Rusia në Siri, dikur me aeroportin e Prishtinës apo me ftesën Dombase pak ditë më parë etj, edhe Ukraina mund të ftonte për një vizitë miqësore një prani ushtarake, qoftë dhe simbolike, të aleatëve të saj etj). Më shumë se denoncimi luftës, vlen parandalimi i saj dhe kur ndodh, ndalimi një orë e më parë i saj.
Ukraina sot është e vetme në ballafaqimin “David-Goliat” sepse perëndimi nuk mund të bëhet palë direkt në konflikt dhe lufta nuk dihet sa do zgjatë. Ajo që dihet është se si do të përfundojë. Në tryezë bisedimesh por me faturë tragjike njerëzore e ekonomike pas.
E ndërsa komuniteti ndërkombëtar zhgënjeu në parashikimin e parandalimin e kësaj lufte, të paktën të mos zhgënjejë në ndalimin urgjent të saj dhe për hir të jetëve në rrezik, dështimi nuk duhet të jetë mundësi. Në lojë është fati i qindra-mijëra civilëve të bllokuar nga konflikti, jeta dhe siguria e të cilëve ia vlen çdo çmim. Shtëpitë, rrugët, uzinat, shkollat, spitalet etj., edhe rindërtohen por jetët ikin pa kthim dhe për të mbijetuarit ajo nuk do të jetë më kurrë si më parë.
***
Kronika e luftës sot, sesa veprimet ushtarake, dominohet nga episodet pafund të tragjedisë njerëzore dhe krizës humanitare mes civilëve. Civilët në Ukrainë, ukrainas apo rusë qofshin ata, në Kiev apo Donbas, kanë të drejtën e jetës dhe sigurisë në shtëpitë e tyre, në mos, mundësinë e një korridori humanitar drejt saj deri në një armëpushim të shpejtë real.
Siguria e jetës së civilëve duhet të jetë kryefjalë e prioritet i çdo tryeze dhe kurrsesi përpjekjeje për të fituar kohë apo pikë mes palëve. Civilët nuk ka pse aludohen si “mburoja” njerëzore të qendrave urbane dhe humbja e jetëve nuk mund të përcillet si dëm “rrethanor”.
Ata ishin në shtëpitë e tyre kur lufta u trokiti në derë. Ushtria ruse kurrsesi nuk duhet të bombardojë qendrat e banuara urbane dhe ajo ukrainase duhet të bëjë çmos të organizojë apo spostojë betejat jashtë tyre sa kohë civilët janë në mes.
Kjo marrëzi ndaj jetës së civilëve por dhe ushtarëve që bijë nënash janë, duhet të marrë fund urgjentisht dhe palët, Ukraina, Rusia e Perëndimi duhet të ulen në tryezë e të mos çohen pa rënë dakord për një armëpushim urgjent për të vijuar më pas me bisedimet për kundërshtitë që nxorrën shejtanin nga shishja. Nuk është as dobësi apo forcë dhe as epërsi apo tërheqje sa kohë paqja dhe jeta e civilëve janë në rrezik.
***
Gjeopolitika është ajo që është dhe palët kanë ato këndvështrime që kanë rreth kontekstit historik të konfliktit dhe zinxhirit shkak-pasojë. Por, jeta e njeriut është mbi gjithçka dhe një padrejtësi e pretenduar diku nuk vihet në vënd duke shkaktuar padrejtësi tjetërkund.
Empatia nuk është asnjëherë e tepërt në komunikim. Lufta në Ukrainë nuk erdhi nga hiçi. Mesa duket “kapaku” historik që iu vu situatës në rajon e më gjerë pas luftës së ftohtë, la plot bishta jashtë që nëpërkëmbin të sotmen tre dekada pas. Dhe kur në lojë është jeta e siguria e qytetarit, përgjegjësi duhet të ndjejmë të gjithë.
Ndërkohë që kufijtë në Europë nuk kuptohen kur kalohen, sot kufiri ruso-ukrainas, por jo vetëm, po ri-ngjall reminishencat e ndarjes së luftës së ftohtë. Në Europë, kudo ku ka kufij, nuk duhet të ketë vend as për karshillëk të të “voglit” dhe as për patronazh historik të të “madhit”. Paqja dhe bashkëjetesa e mirë ka nevojë vetëm për komunikim dhe mëndje të hapur nga të gjithë. Dhe më shumë se për heronj të luftës, kemi nevojë për heronj të paqes.
Rusia, Ukraina dhe Perëndimi kanë përgjegjësinë historike për të zhbërë pa kthim fantazmën e luftës së ftohtë. Etiketimet dhe përjetimet pas viteve 90, nga të dyja anët e perdes së hekurt, duhet të respektojnë nevojën e të gjithëve për respekt dhe besim reciprok. Fituesi të dijë si të festojë, i humburi të dijë si të reflektojë.
Përfundimi luftës së ftohtë duhet të ishte pragu i hapjes së mbarë hapësirës europiane. NATO, BE, Rusia duhet të jenë palë në projektin e rindërtimit, mirëbesimit dhe bashkëpunimit pa kthim në Europë duke lënë vijat e kuqe të së shkuarës pas.
NATO duhet të zgjerohet më tej si instrument sigurie në kontinent gjithnjë duke respektuar ndjeshmëritë historike dhe kohën për reflektim për të mos lënë asnjë pretekst për të spekuluar me sindroma “kubane” të viteve 60 apo shqetësimin për “mur” të ri që ri-izolon Rusinë! Kompleksi “izolimit” që krijoi lufta e ftohtë në Rusi nuk kapërcehet lehtë dhe perëndimi si fitues ka rolin e tij.
Rusia nuk është Serbi dhe qasja e perëndimit ndaj agresionit të radhës ka tjetër kontekst. Efektet e denoncimit mbarëbotëror të pushtimit dhe sanksionet pasojat e të cilave do i vuajnë edhe rusët e shumtë që nuk janë dakord me këtë luftë, mbeten për t’u parë por e rëndësishme për Perëndimin mbetet që të shkurajojë spekulimin dhe forcimin e autoritarizmit në kurriz të aspiratës për liri e demokraci.
***
Tek ne, së bashku pushteti, opozita, media, shoqëria civile etj, janë bërë një në mbështetjen ndaj Ukrainës duke kontribuar sa munden për të. Por ndërsa kemi pak në dorë për Ukrainën kemi shumë në dorë për situatën në rajon.
Dikur ishte NATO ajo që i dha fund pushtimit serb në Kosovë. Konjuktura e atëhershme ishte e favorshme për Kosovën por sërish dhe sot që Rusia po shpalos haptazi forcën, mbetet sërish në favor të saj.
Sot Perëndimi e Rusia e kanë tejkaluar diplomacinë tradicionale dhe morinë e komplekseve që bart ajo. Shtetforcimi i Kosovës dhe integrimi saj në BE e NATO nuk do të varen më në të njëjtën masë nga ndjeshmëritë ruse në rajon. Rusia nuk ka më “gojë” për të predikuar në emër të ligjit ndërkombëtar ndaj dhe bota shqiptare në rajon ka mundësinë për të zënë vendin historik në rajon.

Perendimi duhet te bente gjithshka per ta parandaluar luften, tani qe ndodhi, gjithshka per ta ndaluar se po ikin jete pa pasuria shkon e vjen… nuk behet fjale per led leshim ndaj rusit qe e menderosi fare me kete pushtet por per zgjidhje qe marrin ne konsiderate historine dhe e lene kohen te beje te sajen
Shkrimi me i mire qe kam lexuar. Sikur te perkthehej ne shume gjuhe te stampohej ne flamuret e paqes dhe te. Valviteshin gjithandej si nje thirje e madhe per te gjithe ata qe mendojne se lufta eshte zgjidhje. Gjaku nuk eshte uje. Kur derdhet nuk harrohet kurre.PAQE