Hervin Çuli rikthen Luiza Xhuvanin dhe Luli Bitrin në Teatër

Dita

Teatri Kombëtar ka paraqitur të enjten premierën e re që hap sezonin artistik si dhe ndryshimet që do të bëhen për “pranimin” e aktorëve në Teatër. Drejtori i Teatrit, Hervin Çuli ka ndërruar taktikë këtë vit, që si duket nga rezultatet e vitit të kaluar, edhe pse i konsideron sukses, nuk ka ndjerë impakt publik. Kjo ndoshta është jashtë “arsyes” se si mendon Çuli të funksionojë një teatër. Megjithatë ai ka thënë se këtë sezon do të ketë rreth 30 shfaqje repriza më tepër se sezonin e kaluar, ku bëhet fjalë për hapjen e dyerve për teatro “privatë” të vetëfinancuar.

Pra, nuk ka artikuluar se po mban një teatër me shfaqje “borxh” ose thjesht po liron hapësirat për alternativa të tjera veç repertorit të TK-së. Për këtë pjesë ka shpjeguar se nuk ka shtim të buxhetit për shfaqjet. Gjithashtu, drejtori i teatri Çuli ka deklaruar rishikimin e kontratave duke argumentuar se tashmë do të ketë kontrata nga 4 muaj deri në 2-vjeçare. “Do të rikthej në teatrin Kombëtar Luli Bitrin dhe Luiza Xhuvanin”, ka deklaruar Çuli.

Ndërsa shfaqja e parë që hap sezonin, “Kujtesa e ujit”, premierë e sjellë nga një trupë private dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës është vepër e autores angleze Sheila Stefanson. Kjo shfaqje hyn në kategorinë e komedive të zeza dhe bën fjalë për tri motra që mblidhen në një shtëpi të përmbytur për funeralin e nënës së tyre dhe shndërrohen në peng të së shkuarës.

“Kujtesa e ujit”, është vepër e autores angleze Sheila Stefanson, e cila vjen e inskenuar në versionin shqip përmes interpretimit të aktorëve, Olta Daku, Rajmonda Bulku, Neritan Licaj, Marin Orhanasi, Violeta Trebicka dhe Jonida Vokshi. Ditë më parë, drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar në Tiranë, Hervin Çuli ka shfaqur shpresën se ky sezon do të jetë me plot suksese dhe spektatorë.

“Jam i bindur që i gjithë kolektivi i teatrit do të bëjë më të mirën e mundshme për t’ju qasur publikut me një nivel të lartë artistik. Shpresoj të na ndiqni dhe të jeni pjesë e rrugës sonë”, kishte shkruar Çuli në faqen zyrtare të Teatrit Kombëtar në Facebook.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *