Hetim i thelluar për tregun e energjisë

Saimir Lleshi

Autoriteti i Konkurrencës (AK) ka mbyllur një hetim të thelluar në tregun e importit të energjisë elektrike, me qëllim mbulimin e humbjeve në rrjet.

Nga hetimi nuk janë provuar dot shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, megjithatë Autoriteti ka vlerësuar se procedurat e tenderimit nuk janë të besueshme dhe nuk ka përjashtuar se mund të ekzistojnë marrëveshje mes operatorëve për ndarjen e tregut.

Hetimi nisi pas ankesave nga kompania GEN-I, që akuzon Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike se ka informuar dy kompanitë e tjera konkurrente, EFT dhe GSA, për vlerën e ofertave të GEN-I, me qëllim nxjerrjen nga tregu të kësaj të fundit. Në fakt, nga analiza e kryer nga Autoriteti i Konkurrencës, tregu i importit të energjisë për mbulimin e humbjeve në rrjet rezulton shumë i përqendruar.

Për vitin 2014, tregu është dominuar nga shoqëria EFT, me një përqindje që varion nga 42% në muajt gusht dhe tetor deri në 84% në muajin qershor. Pjesa tjetër e tregut është ndarë mes shoqërisë ankimuese GEN-I dhe subjektit tjetër GSA, që kanë mbajtur mesatarisht 21% deri në 22% të tregut, për 12 muajt e vitit 2014.

Në analizën e ndarjes së tregut muaj pas muaji, Autoriteti i Konkurrencës gjykon se afërsia e ofertave fituese lë dyshime për shkëmbim informacioni dhe bashkëpunim mes konkurrentëve në treg, konrektisht mes kompanive EFT dhe GSA.

Megjithatë, nuk mund të provohet se ka pasur një rrjedhje informacioni nga ana e OSHEE, duke qenë se në mjaft raste ofertat e ankimuesit GEN-I kanë ardhur më vonë se ofertat e dy subjekteve të tjerë. Autoriteti i Konkurrencës vlerëson, sidoqoftë, se tregu në fjalë ka ende problem.

Baza ligjore e rregullatore që zbatohet për blerjen e energjisë elektrike dhe mënyra se si ajo zbatohet, e kufizon numrin e pjesëmarrësve në procedurë, e bën procesin jotransparent dhe të besueshëm për shoqëritë pjesëmarrëse dhe, si rrjedhim, e bën tregun më pak elastik, duke sjellë ulje të numrit të ofertuesve. Kjo e ndikon negativisht konkurrencën dhe rrit kostot përfundimtare të produktit të blerë.

Ofertat e kompanive pranë OSHEE dërgohen në postën elektronike zyrtare të personave përgjegjës për procesin e prokurimit, pra, jo nëpërmjet një adrese të posaçme për prokurimet, që të hapet dhe të lexohet në prani të pjesëmarrësve. Kjo e bën procesin jo të besueshëm dhe jotransparent. Mbështetur edhe në raportin e Kontrollit të KLSH-së, sërish Autoriteti i Konkurrencës nuk ka gjetur dot prova apo evidenca direkte për ta vërtetuar këtë. /DITA/

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *