Komisioni hetimor për verifikimin e ligjshmërisë të të emëruarave në administratën publike zhvilloi sot mbledhjen e radhës me një propozim të ri nga maxhoranca.
Sipas zyrës së shtypit të Partisë Demokratike, mazhoranca ka kërkuar për të mos kryer hetim të plotë për të inkriminuarit e emëruar pas ardhjes në pushtet.
Deputetët e Partisë Socialiste Musa Ulqini dhe Ulsi Manja kërkuan që të ndryshojë plani hetimor i Komisionit që ishte miratuar ndërkohë me konsensus që në mars të këtij viti, kur nënkryetar ishte deputeti socialist Taulant Balla.
“Jemi të gatshëm për të bërë çdo verifikim. Këtu është vetëm një përfaqësues i opozitës. Ju e keni kërkuar këtë komision. Mazhoranca është e gjitha për të treguar vullnetin e saj. Ne do të përgjigjemi për çdo indicie të opozitës, por nuk mund të kërkojmë 15 mijë dosje sepse është e pamundur që ti shqyrtojmë”, tha Ulqini.
Kryetari i Komisionit, Genc Pollo, tha se ky ka qenë një shqetësim i opozitës, opinionit publik, komunitetit ndërkombëtar, por dhe segmenteve të mazhorancës, përfshirja në administratën publike jo vetëm në Kuvend, përfshirja në administratën publike e elementeve me të shkuar dhe të tashme kriminale, çka dëmton atë që administrata publike duhet të bëjë, si dhe dëmton imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.
Deputetët e opozitës kundërshtuan dhe votuan kundër këtij propozimi që ngre dyshime të arsyeshme që “PS dhe LSI kërkojnë të mbulojnë e të mbrojnë njerëz të inkriminuar që janë emëruar në pjesë të ndryshme të administratës publike”.
