Gonzalo Higuain nuk ka arritur kurrë të luajë një finale të Champions-it, kompeticion që ende mungon në arkivin e tij: pas lamtumirës nga Real Madrid këta të fundit janë rikthyer ta fitojnë, por në Kardif me fanelën e Juventus-it, nuk do të ketë vend për sentimentalizma. “El Pipita” nuk ka patur kurrë një raport të mirë me finalet, por ka një dëshirë të jashtëzakonshme për t’i treguar botës se edhe në momentet më vendimtare, ato që vlejnë një karrierë të tërë, detyra për të shënuar vjen para së gjithash.
Sipas “Tuttosport”, Higuain ka dashur t’i përgjigjet kritikave lidhur me pamundësinë për të qenë vendimtar në momentet e duhura: “Janë 11 vjet që luaj në Europë dhe kam mësuar t’i kontrolloj mirë emocionet e mia. Fati më ka vënë përpara dy ish-skuadrave të mia, Napoli-t dhe Real Madrid-it në momentet kyçe të sezonit: për ato ndjej afeksion të madh, por unë duhet të jap gjithçka për skuadrën që po më jep besim, Juventusin”.
Një gol ndaj Ronaldo me shokë do të shlyente gjithçka: “Nëse arrij të shënoj, pastaj mos hajdeni të më kërkoni… Jemi një hap larg të jashtëzakonshmes, në gusht pamë njëri-tjetrin në sy dhe e kuptuam se do të mund të ishim protagonistë të një sezoni të mrekullueshëm. Më pëlqen jashtëzakonisht shumë mentaliteti bardhezi, e njihja edhe më parë se të luaja këtu”.
Real është tashmë e kaluara e Higuainit: “Do të jetë e çuditshme të luash këtë ndeshje dhe të takohesh me shumë ish-shokë të cilëve i uroj më të mirën nga fillimi deri në vërshëllimën e fundit. Për ne ka rëndësi vetëm fitorja, duam të hyjmë në histori. Do të jetë një ndeshje e fortë dhe e bukur njëkohësisht. Si jam? Mirë, kam një dëmtim të lehtë nga ndeshja e Bolonjës, por në përgjithësi jam mirë”.
