Al Jazeera nxjerr disa gabime në numërimin e vota të “Topit të Artë”
Televizioni Al Jazeera ka hedhur hije dyshimi mbi numërimin e votave për “Topin e Artë”, të cilin e fitoi për herë të katër Lionel Mesi. Rrjeti nga Katari nuk e diskuton se argjentinasi është më i miri dhe e meriton trofeun, por ka evidentuar një numër faktesh, të cilat komprometojnë numërimin. Kapiteni i Brazilit, Tiago Silva, kishte deklaruar publikisht se vota e tij ishte për Kristiano Ronaldon, por në fletën e votimit të shpallur nga FIFA vota e brazilianit është për Mesin. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me kapitenin e Çekisë, Tomash Rosicki, i cili kishte deklaruar votën për Balitetin, por sipas sitit të FIFA-s ai ka votuar për Mesin, Ronaldon e Van Persin, ndërsa italiani nuk figuron fare. Raste të tilla ka edhe për trajnerin e Kolumbisë, Jose Pekerman; të Gabonit, Paulo Duarte dhe të Tajlandës, Winfried Schaffer. Ndërkaq, Al Jazeera ka bërë të ditur se trajneri i Zimbabwes, Nelson Matongorere, ka deklaruar se nuk ka votuar, ndërsa në listën e FIFA-s figuron edhe vota e tij.