HIJE

redaktor

Ishim unë dhe ti

kur ta pashë shpirtin

mendova

që unë kisha mbrri

u ndal koha, bota

me ngjyrat e një vere pa stuhi

fytyrën ma ledhatoje

ndjehesha si atëherë

kur unë dhe ti nuk kishim roje

po ishim një shpirt i plotë

vetëm, por pa vetmi

me puthje dhe pëshpëritje ere

nga një vend tërësisht i krijuar prej buzeqeshjes

 

a ka pasur kurrë pamje më të bukur

se sytë e tu të qeshur?

nuk ka pas.

 

Në atë çast unë u bëra

kaptova në një jetë të re

dhe ndjeva çka do të thoshte

të jesh gjallë dhe të kesh hare,

prej vetes në qiell unë rashë,

ku një shkëlqim në sytë e tu të errët

e thirri shpirtin tim në emër –

hijet ikën prej së vërtetës,

kuptim zëri yt i dha krejt jetës,

dhe heshtur një mendim më ik

diçka që një e fortë si unë

nuk ia lejon vetes kurrë bre kurrë –

ti je meshirë për shpirtin tim.

 

Ateherë ti e ktheve trupin

pak fare e lakove

hija mbi hije ra në sytë e tu

mua më nuk më vështroje

dhe the:

“Nuk dua kurrë më dashuri“

 

Lulet që i mbollëm

gurë u bënë

gurë ngjyrë gri

Nuk i shkatërrove jo,

nuk shkatërrohet kurrë më ajo bukuri

po ti vetë u frikësove

nga shndërrimi prej dashurisë.

 

Të them unë ty

që prekjet e tua më ndryshuan

aty ku kisha plagë lule dolën

Të them unë ty

më bëre krejt tjetër njeri

për herë të parë unë guxova

në pasqyra të shihesha me të tjerë sy

Për një çast e shijova veten

dhe një botë pa lamtumirë

për një çast lashë shpirtin tënd të më avitej

për një çast i mbylla sytë –

më preke – e ndjeva një botë tjetër krejt

një trup të ngritur në betejë

një bukuri të frikshme.

 

Ateherë ti e ktheve trupin

hija mbi hije ra në sytë e tu

dhe unë këto fjalë dëgjova

“nuk dua kurrë më dashuri“

E unë

unë që guxova të dal nga hija për ty,

bashkë me lulet që mbollëm

mora ngjyrën gri

 

Për ty  guxova t’i kthehem jetës dritë

për ty guxova të bëhem dashuri

tash m‘thua

“nuk mundem më me ty“

Me ledhatime n’duar mbeta

aty dhe lulet që i mbolle ti

një bukuri e frikshme, e ngritur prej betejës;

 

E sikur as unë të mos guxoja?

t’i ikja asaj që prej prekjeve tua ka lind

t’i largohesha atij që me duar dashurish

bashkë me mua një rrugë të re e gjeti

para se të më thosh’ sfilitshëm me sytë e mbuluar nga një hije e vdekur:

“jo, nuk mundem, nuk dua dashuri”.

 

– Më fal, po

unë atij që nuk fliste, as nuk heshtej

por me mua ishte

atij unë i besoj

dhe ngritur rrugës tonë do eci

shpirtin tonë dot nuk e tradhtoj

dikur duhet t’iu kthehet luleve

ngjyra e një vere pa stuhi

aherë do t’i kthehem edhe unë

asaj botës pa lamtumirë

por deri atëherë do vazhdojë

vetëm,

në vetmi.

 

Më ledhaton ajo ndjenjë

kur zemra jote për një çast pushoi

n’duar t’mija heshtur

dhe per nje çast une pashë

që çdo gjë tjetër deri atëherë ishte vetem hije e vdekur

e të vërtetës dashuri

 

Vjen apo nuk vjen

kthehesh apo nuk kthehesh

unë,

krijesën tonë

këtë ndjenjë,

këtë shpirt të jetës

unë nuk e le,

do ta vazhdoj ecjen heshtur

 

dhe

më doje apo nuk më doje,

më do apo nuk më do,

unë tashmë jam dashuri.

 

*****

Autorja  Jetë Zhitia është një shkrimtare e re gjermano-shqiptare. Krijimet e Jetës, prozë dhe poezi, mund të lexohen çdo ditë ekskluzivisht në versionin online të gazetës

 

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *