Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, dyshohet se mund të ketë pësuar një trombozë. Ajo është shtruar në “Presbiterian Hospital”, në Nju Jork, pasi mjekët zbuluan një koagulim gjaku në tru, që dyshohet se e ka origjinën 15 ditë më parë, kur ish-zonja e parë e Amerikës u rrëzua dhe humbi ndjenjat. Zëdhënësi i zonjës Klintin, Filip Reins, thotë se ajo i është nënshtruar një terapie antikoaguluese dhe do të mbahet nën vëzhgim përgjatë 48 orëve të ardhshme.
Sëmundja
Mjekët po monitorojnë gjendjen e zonjës Klinton dhe do të vendosin nëse është e nevojshme një ndërhyrje në orët e ardhshme. Gjendja shëndetësore e shefes së diplomacisë amerikane nuk ka qenë e mirë që në fillim të këtij muaji. Mosshfaqja e saj në publik i ka shtuar hamendësimet në lidhje me shëndetin e saj. Problemet për zonjën Klinton nisën në 10 dhjetor, ku një virus në rrugët e tretjes e detyroi të anulonte udhëtimin e saj në Marok, ku do të merrte pjesë në një mbledhje të grupit të vendeve mike të Sirisë. Në 15 dhjetor, Klinton u rrëzua në shtëpinë e saj, pas një gjendjeje të fikëti që erdhi si pasojë e dehidratimit.
Trauma cerebrale që erdhi nga përplasja e kokës duhet të jetë shkaku i koagulimit të gjakut, për të cilin ajo u shtrua dje me urgjencë në spital. Familja Klinton është shprehur gjatë gjithë kësaj kohe se gjendja e saj shëndetësore ishte në përmirësim e sipër, madje ajo do të rikthehej në skenë për t’i dorëzuar detyrën pasuesit të saj në krye të diplomacisë amerikane, Xhon Kerri. Por në lidhje me shëndetin e saj ditët e fundit janë përhapur zëra edhe më të dëshpëruar. Revista e skandaleve “The National Enquire” shkroi pak ditë më parë se Klinton vuan nga një tumor në tru. Kjo hipotezë është hedhur poshtë menjëherë nga zëdhënësi i zonjës Klinton.
Hillari Klinton renditet në krye të sondazheve si gruaja më popullore në SHBA, duke lënë pas edhe Zonjën e Parë aktuale, Mishel Obama. Shumë amerikanë e shohin zonjën Klinton në krye të Shtëpisë së Bardhë pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, kur përfundon mandati i Obamës. / Përgatiti: Gazmira Sokoli