“E kujtoni Shqipërinë? Vendi i çartur komunist, që ju priste flokët në aeroport në rast se ato ishin shumë të gjatë? Ku ata urrenin çdo gjë perëndimore, por shikonin si të çmendur filmat e Norma Wisdom? E pra, ka ndryshuar! “Kështu nis shkrimi i britanikes Daily Mail, vetëm dy ditë më parë që e cilëson vendin tonë si këndin e fundit të Ballkanit, me plazhe të bukura dhe çmime që ju bëjnë të buzëqeshin. Pa diskutim që një prej këtyre këndeve është edhe Himara. Një ditë, para hapjes zyrtare të sezonit turistik ne kemi biseduar me kreun e bashkisë së qytetit bregdetar, Jorgo Goro. Duket se gjithçka është gati që kjo zonë të presë turistët këtë verë.
Z. Goro, nesër çelet sezoni veror në Himarë. Çfarë surprizash keni përgatitur këtë vit?
Mund të themi që surprizat janë po ato. Them po ato sepse Himara është vetë një surprizë më vete duke ofruar gjithçka ka. Detin. Plazhin. Malin. Është e tepërt të vazhdoj, por këtë vit surprizë kemi shërbimin. Si kryetar i Bashkisë së Himarës kam punuar më së shumti në këtë drejtim. Shërbimi dhe vetëm shërbimi. Përmirësimi. Ofrimi i një shërbimi siç edhe kërkon turisti shqiptar apo i huaj. Për të qenë më konkret, na përmendni disa arsye pse pushuesit duhet të vijnë në Himarë? E drejtë, përpos bukurive që ofron Himara, një arsye ç’ka i ka sjellë pothuajse çdo vit turistët, ajo që këtë vit do gjejnë, është shërbimi. Jo pa qëllim jam kujdesur gjatë periudhës së dimrit për ofrimin e shërbimeve turistike jo vetëm në sezonin turistik, por edhe në dimër. Kjo është sfida e çdo bashkie në Shqipëri. Funksionimi i turizmit edhe jo në sezon. Këtë sfidë kanë fituar operatorët turistikë, shumë afër nesh. Vetëm pak milje larg. Në ishullin e Korfuzit.
Z. Goro, një pikë e dobët e turizmit në Shqipëri është, shërbimi. Ju mendoni se i plotësoni kërkesat e
pushuesve këtë vit?
Më pëlqen pafund që ju po i mëshoni termit “shërbim”. A mund të mjaftojë vetëm bukuria e natyrës pa shërbim? Mendoj se jo. Një turist i huaj apo edhe shqiptar vjen në Himarë. Herën e parë nga marketingu që është zhvilluar. Kurioziteti për të parë se çfarë është Himara apo kushdo vend atraktiv. Por për ta risjellë sërish atë në vendin ku ne jetojmë çdo ditë, në Himarë, është shërbimi. Një shërbim i mirë është padyshim ADN-ja e funksionimit të një industrie si turizmi. Për shumë vende te rajonit përbën edhe përqindjen më të madhe të GDP-së. Pra një turizëm elitar i gërshetuar me shërbimin e kualifikuar do na sillte çdo vit e më shumë turiste. Më shumë të ardhura. Ndaj edhe kam vënë në jetë projekte deri diku mjaft të vlefshme dhe me shumë mbështetje nga partnere kryesisht OJF ndërkombëtare. Por mendoj se ky është vetëm fillimi. Këtë sezon të 2013 e kemi sezonin e parë të provës së asaj ç’ka arritëm.
Po për sa i përket aktiviteteve kulturore e artistike. A ka një bashkëpunim bashki-biznese për t’u dhënë pushuesve pak më shumë se një lokal nate?
Natyrisht që Bashkia pa biznesin dhe biznesi pa Bashkinë as që nuk mund të mendohet se janë dy instrumente që nuk rendojnë funksionimin mes njëri-tjetrit. Për të thënë të vërtetën ajo që kam këmbëngulur më shumë është fokusimi në fushën e gastronomisë. Pra atë të restoranteve. Pushuesit që këto dy vite kanë qenë më të shumtë në numër kanë qenë familjarë. Ata kërkojnë këtë lloj turizmi më shumë. Pra hotelerinë dhe restorantin të përfshirë në të. Nuk mund të ketë sukses në zona të tilla, me plazhe të izoluara pa hotele rreth e rrotull zhvillim sidomos në lokalet e natës. Ky vit që vjen, nga statistikat që kam patur ka më pak kërkesa për leje funksionimi si lokale nate. Ndoshta edhe për shkakun se vitin që shkoi pati një aksion nga Policia Ndërtimore e ardhur nga Tirana për prishjen e ndërtimeve pa leje, kryesisht lokale që ofronin shërbime në zona pa leje ndërtimore. Por edhe me ato subjekte që këtë vit do të ofrojnë shërbime të tilla ne kemi kontaktuar duke u kërkuar respektimin rigoroz të ligjit. Këtu duhet edhe bashkëpunimi me struktura të tjera që nuk janë në juridiksionin e Bashkisë së Himarës.
Pastërtia është diçka për të cilën hera-herës po flitet si një nga problemet më të mëdha për pushuesit.
Ç’masa janë marrë për këtë vit?
Turizëm. Shërbim. Pastërti. Më kryesorja kjo e fundit. Imagjinoni një Himarë të papastër. A mund të kërkohet të implementojmë strategji zhvillimi për shtim numri turistësh nëse nuk kemi pastërtinë. Ajo që do binte menjëherë në sy. Ajo që do na i shumëzonte me 0 gjithçka që ne do kërkonim të ndërtonim për turizmin në Himarë. Ka patur projekte të vogla që kanë funksionuar gjatë vitit. Një prej tyre ishte vendosja e sa më shumë depozitave të mbeturinave (kazane plehrash), në pothuajse çdo qendër turistike. Gjithsesi mbetet ende shumë për të bërë veçanërisht në disiplinimin e dorëzimit të tyre nga subjektet operatore turistik punonjësve të pastrimit të bashkisë. Një fenomen ky që nuk ka funksionuar edhe aq sa duhet. Kjo pasi nuk i shërben punës së bashkisë sepse falë këtij mosdisiplinimi krijohet një mjedis i pa-pastër dhe ajo që artikulohet më së shumti nëse nuk ka kryer punën si duhet është institucioni i bashkisë që unë drejtoj.