Himara, perlë e natyrës, kala e historisë

redaktor

Ali Hasani

Udhëtimi ynë nga Tirana për në Himarë pati si qëllim njohjen e natyrës dhe historisë të kësaj treve, çka na u duk se ato ishin në bashkëjetesë njëra me tjetrën. Gjatë rrugës, kënaqësi të veçantë na dhanë qendrat e transformuara të qyteteve Durrës, Kavajë, Lushnje, Fier dhe Vlorë, si edhe  peizazhi mahnitës i Radhimës, Tragjasit, Orikumit, Dukatit, dhe pamjet e mrekullueshme të pyllit me pishën flamurë në Llogara.

Një pushim i këndshëm, mëngjesi dhe një kafe, mes gjelbërimit e ujit të ftohtë në parkun Kombëtar të Llogarasë na relaksuan pa masë.

Pasi lamë mbrapa Qafën e Llogarasë 1090 m, (Qafen e Cezarit, siç e thërrasin të vjetrit) si dhe Akrokreunet (Vetëtimat), me majën e çikës 2045 m, na u shfaq me gjithë madhështinë dhe bukurinë e vet krahina e Himarës, bregdeti Jon, si edhe disa nga perlat e Rivierës Joniane deri në lumin e Borshit. Ato janë “7 margaritarë” të çmuar në “gjerdanin” e Bregut, fshatrat: Palasë, Dhermi, Vuno, Pilur, Kudhës, Qeparo dhe Himarë, kryeqendra e bashkisë (275 km nga Tirana).

Rruga është plot kthesa dhe e tatëpjetë për të zbritur në Palasë, por ne shijojmë peizazhin mahnitës që përshkojmë dhe ndërkohë të gjithë bashkë këndojmë në kor  këngën e preferuar të Nënë Aleksandrës (bijë e kësaj treve): “Kush është Lule e Vilajetit/ Që ja ka bota sevdan/ Himara në breg të detit/ Shtatë fshatra që ka/”… Për të vazhduar më tej me këngën tjetër: ”Vajzë e valëve”…

big1Për një vizitor a turist, vendas apo të huaj, njohja e plotë e Himarës, një krahinë kaq e bukur, fillon vetëm kurë e shikon me sy, e përshkon me këmbë dhe e studion nga afër çdo pëllëmbë apo vlerë të saj, si në rastin tonë. Me ne është edhe profesor Jani.

Përshtypjet e udhëtimit janë vërtetë të jashtëzakonshme. Syri ynë çlodhet me plazhet dhe rërën e pastër, molet dhe gjiret e qeta të mbushura me kaltërsi, kalatë e gurta e madhështore, kishat e manastiret e shumta, shtëpitë e lyera me të bardhë, gjuha, kultura, folku, tradita dhe historia këtu, na bëjnë të ndjehemi si në një vend evropian. Dhe ne, këtë po bëjmë. Prandaj, pak histori na bën mirë!

Mësuam se Himara ka qenë vendi i Kaonëve dhe fis Epirot, si edhe qendër e banuar që prej 3000 vjetësh dhe nuk është braktisur asnjëherë nga banorët e saj. Emri vjen nga greqishtja: himarros – përrua. Mendohet se njerëzit e parë në këtë krahinë janë shfaqur 10.000 vjet më parë në vendbanimin shpellor të Spilesë.

Vlerë të madhe kulturore dhe historike përbëjnë edhe pemët gjenealogjike të disa fiseve të kësaj popullate, me histori 400-vjeçare të afro 16 brezave, që ruhen deri në ditët tona si dokumente. Popullimi i dendur, i tejlashtë dhe i vazhdueshëm i vendbanimeve të Himarës që nga prehistoria vërtetohet me monumente e studime arkeologjike të kryera gjatë shekujve, deri në ditët tona. Gjithë arkitektura e banesës himariote është në funksion të lirisë, ku çdo shtëpi është një kullë dhe çdo fshat një kala.

Himara, është krahinë e vogël por me histori dhe peripeci të mëdha, është vend i kapedanëve dhe i lirisë, i punës dhe i këngës, vend me klimë që jep frymëzim, me ngjyrë dhe aromë natyre, gjelbërim të përhershëm, majëmale me pisha e lule të egra shumëngjyrëshe, shpate me makje të harlisura, me tarraca me ullinj e bahçe me portokalle, limona, mandarina, fiq, rrush e pjeshkë.

Që nga Palasa e në vazhdim, në gjithë Bregun e Himarës, në një vijë afro70 km, syri shikon vetëm det të kaltër e të pastër, det pa mbarim, me gjire, mole e plazhe pafund, njëri më i bukur se tjetri, me rërë të imët, të trashë apo me gurë.

32zubypBukuria e këtyre plazheve, ujërat e kristalta dhe rëra e pastër, tërheqin çdo vit qindra e mijëra pushues e turistë, vëndas dhe të huaj, çka e ndihmon ekonominë e kësaj zone.

Këtu, nga bregu i ujit, nën e mbi rrugën nacionale janë vendosur si të pikturuara nga dora e njeriut shtatë fshatra, që janë në harmoni të plotë me bimësinë e gjelbër dhe gjithë resurset e tjera që ka brenda kjo zonë, por që rrallë në ndonjë vend tjetër të botës mundë t’i gjejmë.

Terreni është tepër i larmishëm, me kontraste të mëdha të realitetit, me përrenj e kroje dhe ujë mali të ftohtë e të bollshëm, me hone, gryka, kanione, brigje shkëmbore, me kepa, gremina e shpella detare, me fusha të vogla e tarraca madhështore të gjelbëruara, të krijuara nga natyra e dora e himarjotëve. Klima është tipike mesdhetare, me dimër të butë e verë të freskët.

Kudo ku kalojmë është ndërtuar një infrastrukturë hoteliere e kulinare bashkëkohore, me ushqime të zonës vetëm bio, si dhe ofrohen hotele, motele, restorante, kafe, shërbime, plot shtëpi, dhoma, dhe një mikpritje që himarjotët e kanë disi të veçantë. Ata janë njerëz të thjeshtë, të dashur, bujarë e shumë punëtorë, veçanërisht, gratë.

Tre fshatra të Himarës, sot, krahas gjuhës shqipe, flasin edhe greqisht që sipas Enciklopedisë së madhe Greke, përafron me dialektin e greqishtes që flitet në  ishullin Mani të Peloponezit në Greqinë Jugore.

Kohë më parë, himarjotët ( dhërmijasit ) tregtonin me shumicë qitrot e tyre të famshme, një frut që e kërkonte tregu grek dhe ai italian.

Kënga himarjote është polifonike, pa vegla muzikore, ku marrin pjesë tre ose më tepër këngëtarë. Kurse vallja udhëhiqet nga dy të parët, me tre hapa para dhe një mbrapa, me dy kohë, si dhe këmba përplaset fort mbi dysheme.

Në këmbët e Palasës shtrihen shumë plazhe të preferuara, midis të cilëve, plazhi Stalla që është një nga plazhet më të mëdhenj të krahinës.

himare14Himara dallohet edhe për numrin e madh të kishave e manastireve që ka, çka tregon lidhjen e thellë të popullit himarjot me fenë kristiane (ortodokse). Në oborrin e kishës së Shën Gjergjit ndodhet një sternë uji, e gdhendur plotësisht mbi një shkëmb, me përmasat e një banese (në Himarë). Pothuajse të gjitha kishat dhe manastiret e krahinës janë shembujt më të mirë të artit bizantin, ndërtuar në pozicione dominuese e rrethuar me mure të lartë. Në këto objekte kulti, ruhen mbishkrime të pikturuara ose të gdhendura, piktura murale dhe ikona me vlera të veçanta, shumica e të cilave janë restauruar kohët e fundit, përjashto plot të tjera që ruhen edhe si rrënoja. Në Palasë është kisha e Shën Dhimitrit (1828). Ndërsa Dhermiu është fshati i më shumë se 30 kishave si: kisha Shën Kostandinit, kisha e Shën Mërisë, e Shën Dhimitrit, e Shën Thanasit (1671), e Shën Gjon Theologut (1689), e Evangjelismoit (1689), kisha e Shën Parashqevisë (1744), kisha e Shën Spiridhonit me një kambanorë madhështore, kisha e Shën Harallambit, në krah të së cilës ndodhej shtëpia 2 katëshe e familjes Mais, e cila në tërmetin e vitit 1930 u godit nga shkëputja e një shkëmbi të rënë nga mali dhe ku humbën jetën nëna dhe 3 vajzat e saj; kisha e Ipapandasë (1751), kisha e Shën Stefanit, kisha e Shën Nikollës me pikturat murale nga më të vjetrat në krahinë.

Në Vuno gjinden kisha e Shën Mërisë, kisha e Shën Pagëzorit, kisha e Shën Mëhillit (1783), kisha e Shën Theodhorit si edhe manastiri dhe kisha e Spiridhomit (1784).

Në Kudhës është kisha e Shën Gjergjit; në Qeparo kisha dhe manastiri i Shën Mitrit (1760), kisha e Sh. Mërisë (1796), kisha e Shën Spiridhonit (1859).

10Në Pilur (fshati i këngës dhe ballkon i bregdetit), është kisha e Shën Kollit, ndërsa në Himarë është kisha e Gjithëshenjëtorëve, kisha e Sh. Kollit (ndërtim i Ali Pashë Tepelenës, 1818).

Për të gjitha këto vlera, natyrore e historike të  Himarës, mëndja na shkon në një “Projekt shqiptarë Jonian” që kërkon angazhim të përbashkët shtet – biznes, për infrastrukturën rrugore, hoteleritë, objektet e shërbimit e gjithçka tjetër në standarde evropiane. Himarën e kemi këtu. 26 vjet që thërrasim: “ E duam Shqipërinë si gjithë Europa”…

Shembujt nuk mungojnë. Në Dhërmi pushoi ish kryeministri anglez Toni Bler. Këtu pushuam edhe ne! Ishim në shoqërinë e prof. Jani Koçit, njërit prej studiuesve më në zë të Himarës, të cilin e falënderojmë me gjithë zemër!…

Share This Article
1 Comment
  • Shkrimi Ali Hasanit- Nje “MARGRITAR i TETE”
    (mes shtate fashatrave- margaritareve te Himares.)

    Se pari dua te me falin lexuesit e gazetave se jam bere ca i bezdis-shem..(nuk e them dot si… fund kepuces); po e them vete.
    Po c’te besh kur ke pena “MARGARITARE”si kjo e sotmia e Aliu te mbrekullushem, sjelle mua deri tej Oqeanit e nxjerre nga “tatepjeta e mendies”, ato lajmet vrasese nga atdheu NENE.
    Ky shkrimi Ali Hasanit eshte per mua, shkuar “trinitrines”; I faleminderit atij “KULLE-KESHTJELLE e GJALE e BREGUT te perles SHQIPTARE;nga Spileja e tej..ne Karaburunin me “Keshtjellen natyrore SAZAN.
    C’te them. Ty pene KESHTIELLE vec PAc urate GJYShI,-MRODHESI,shendet,PENE MBRODHESISH, …(jo paresore lajmet vrasese.(per mediat kjo)

    Toronto 20-9-2016 Guri Naimit D.(Dh Xh.)

  • Jam me fat qe e njoh Zotin Ali Hasani qe pervecse studiues eshte dhe nje njeri me zemer te madhe qe shperndan vetem miresi me kedo qe takohet.
    Nga Eli dhe Sibora

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *